E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fadroma te “Liqeni” ditën e tragjedisë

• Afrim Dibra, pronari 42-vjeçar i bar restorant "Liqeni" në Farkë ku mëngjesin e së enjtes u mbytën 16 veta e ka kaluar paraditen e tragjedisë i shoqëruar në qelitë e komisariatit numër një të kryeqytetit.Fatos MahmutajShkak për këtë ishte bërë një konflikt disavjeçar me pronarin e truallit, mbi të cilin është ndërtuar lokali, policët ndërtimorë dhe komunarët. Fatbardh Plaku, kreu i komunës së Farkës tha se, konflikti me Afrim Dibrën filloi mëngjesin e pesë marsit, ndërsa në bazë të dy vendimeve të Policisë Ndërtimore pranë lokalit kishte shkuar një fadromë për të prishur ato pjesë që nuk përfshiheshin në kontratën 20-vjeçare midis Dibrës dhe familjes së Habil Collakut. Sapo kanë mbërritur ndërtimorët e komunës janë kundërshtuar ashpër nga pronari Dibra, i cili i ka kërcënuar se do ushtronte dhunë nëse ata do hynin në territorin e tij. Në këtë moment ndërtimorët i kanë kërkuar ndihmë Policisë së Rendit, ku ka mbërritur në vendngjarje një grup i gatshëm i komisariatit numër një, i cili ka shoqëruar në qeli Dibrën. Pas pak orësh ai është liruar dhe është rikthyer në lokalin e vet, ku në mesnatë do të ndodhte tragjedia me 16 viktima. ProcesiSipas kryekomunarit Plaku, nuk ishte hera e parë që Afrim Dibra shoqërohej në polici për kërcënimin e policëve ndërtimorë dhe pronarëve të truallit të lokalit, anëtarë të familjes Collaku. Thuajse të gjitha herët ai kishte arritur të shpëtonte paq, pasi veprat që ai ka konsumuar parashikohen si kundërvajtje penale, ndërkohë konflikti i tyre kishte përfunduar në gjykatë. Burime nga Gjykata e Tiranës pohojnë se, padia e familjes Collaku kundër Afrim Dibrës ishte depozituar në gjykatë, më 19 shkurt të vitit të kaluar, ndërsa seanca e parë është zhvilluar më datë 11 qershor, pas rreth 4 muajsh. Shkak për shtyrjen e pazakontë të gjyqit ishte bërë fakti se i padituri Dibra nuk merrte dijeni për procesin, ndërsa gjykatës i ktheheshin fletëthirrjet pas me njoftimin "Larguar". Por edhe kur procesi është deklaruar i hapur, nuk është zhvilluar asnjë seancë e vetme, pasi i padituri Dibra arrinte t'i shtynte disa seanca duke gjetur shkaqe dhe pretekste nga më të ndryshmet, ndërsa të tjerat janë shtyrë me kërkesë të paditësit dhe mosformim të trupit gjykues.PadiaPadia në ngarkim të Dibrës i përket llojit të padive "Entifeoze", ndërsa paditësit janë Anila Kollaku (Collaku), Armonda, Edmond, Ferdi, Habil dhe Suzana Collaku. Baza ligjore janë nenet 784 deri 800 të Kodit Civil. Ndërsa objekt i padisë janë: "Zgjidhja e kontratës së entifeozes me aktin noterial numër 1468/428, datë 20 mars 2002. Pagimi i detyrimeve që rrjedhin nga kontrata. Lirimi dhe dorëzimi i pasurive që përdor i padituri. Heqjen e barrës në Hipotekë mbi pronat e vëna nga kontrata e entifeozës". E thënë ndryshe, Dibra ka siguruar një kontratë 20-vjeçare për shfrytëzimin e truallit të familjes Collaku. Në marrëveshjen noteriale është parashikuar që Dibra nuk do paguante qira derisa të fitonte shumën që kishte investuar. Vetëm pas kësaj ai do paguante, por që për 6 vjet me radhë nuk i kishte dhënë asgjë familjes Collaku. Burime nga procesi thonë se, gjatë seancave paditësi Collaku pohonte se, Dibra jo vetëm që nuk i kishte paguar qiranë, por pretendonte se dilte me humbje. HetimiNë ambientet e bar-restorant "Liqeni" dje ndodhej vetëm një polic i komisariatit numër një të kryeqytetit. Veç vendit të ngjarjes dhe provave të tragjedisë që i kushtoi jetën 16 personave, atij i duhej të ruante edhe lokalin, ndoshta nga ndonjë vetëgjyqësi nga pronarët e truallit. Në prononcimin e dhënë për "Panorama" kryekomunari i Farkës, mohoi të ekzistonte ndonjë version hetimor për implikimin e pronarëve të truallit në tragjedi. Ai përkrahte konkluzionin e ekspertëve kriminalistë se mbytja e varkës kishte ardhur si pasojë e zhytjes së saj në anën e prapme nga mbipesha. Ndërsa në lidhje me familjen e Afrim Dibrës, Plaku pohoi se zyrtarisht ai nuk rezultonte i martuar me personin e quajtur Emine, që nëpër media u prezantua si bashkëshortja. Të paktën në zyrën e Gjendjes Civile të komunës ai nuk rezultonte i martuar. Verifikimi ishte bërë në regjistra nga komunarët, të cilëve u duhej të përcaktonin saktë familjarët e tij në mënyrë që t'iu jepnin ndihmën e premtuar financiare për tragjedinë.Ndërtimori:U konfliktuam me Dibrën "Paraditen e 5 marsit shkuam për të shembur një pjesë të bar-restorant "Liqenit" në bazë të dy vendimeve të policisë ndërtimore të disa muajve më parë". Kështu pohoi dje një nga inspektorët e policisë ndërtimore që kishte qenë i pranishëm në konfliktin që kolegët e tij patën me Afrim Dibrën në momentin kur u thirrr në ndihmë policia e rendit. Pasi Dibra paraqiti një dokument se e kishte ankimuar vendimin për shembjen e një pjese të lokalit policia ndërtimore u detyrua të largohej duke mos e ekzekutuar vendimin.Dje varrimi i pronarit të lokalitNë orën 11:00 të ditës së djeshme një kortezh i gjatë njerëzish dhe mjetesh përcollën për në banesën e fundit trupin e pajetë të 42-vjeçarit, Afrim Dibra. Në funeral merrnin pjesë, veç të afërmve dhe bashkëfshatarëve të tij, edhe përfaqësues të pushtetit lokal dhe mjaft persona që kishin mbërritur nga emigrimi. Ndërkohë në banesën e tij, ende të papërfunduar së ndërtuari, ndodheshin mjaft persona të tjerë. Trupi i Dibrës u vendos në varrezat e Farkës, që ndodhen në një nga kodrat e vogla pranë Rrugës së Elbasanit. Dëshmia e vajzës së pronaritNjë nga dëshmitë kryesore në dosjen penale të tragjedisë së ndodhur në Farkë, është rrëfimi i Erjona Dibrës, vajza e pronarit të lokalit ku darkuan 18 viktimat e ngjarjes. Ajo ka thënë në polici se, nuk kishte qenë në barkën e mbytur, por pasi ka dëgjuar britma në mes të liqenit kishte shkuar me një barkë të dytë, madje u kishte dhënë ndihmë disa prej të mbyturve, që mbijetuan derisa një tjetër person që ndodhej në barkë, kishte notuar e i kishte shkuar në ndihmë.Konflikti me familjen CollakuFamilja Collaku, me të cilët Afrim Dibra ndodhej në një konflikt civil gjyqësor është banore e vjetër e Farkës. Tashmë me vdekjen e personit të paditur nuk dihet se cili do të jetë objekti i padisë së tyre. Seanca e ardhshme në gjykatën e kryeqytetit pritet të zhvillohet mesditën e së mërkurës së javës së ardhshme. Shkak i shtyrjes së saj ka qenë mosgjetja e një avokati nga pala paditëse, ndërkohë i paditur është paraqitur me avokat. Gjykata pohon zyrtarisht se, ende nuk ka nisur shqyrtimi i provave.Incident te varret e OsmanëveNjë ditë pas varrimit të tetë pjesëtarëve të familjes Osmani, të cilët humbën jetën në tragjedinë e Farkës, dje të afërmit e tyre kanë shpëtuar rastësisht nga një ndodhi që mund t'i kishte tronditur jo pak. Dashamir BiçakuNë mes të varreve ku prehen viktimat e familjes Osmani në Sharrë, varrmihësit kanë marrë urdhër nga përgjegjësit e administratës së varrezave, që të hapnin dy varre të rinj për dy persona të vdekur në kryeqytet. Në mes të varreve ku prehen dy fëmijët binjakë, Rei dhe Esi Osmani, qe vendosur hapja e një varri të ri. Në krah të dy fëmijëve, tri ditë më parë qenë varrosur prindërit e tyre, përkatësisht Saikida dhe Alket Osmani. Varri tjetër ishte urdhëruar të hapej mes kushërinjve të tyre të vdekur në të njëjtën tragjedi. Halil dhe Hatixhe Osmani qenë varrosur në anën tjetër, ndërsa në mes tyre prehen dy vajzat e tyre, Eli dhe Aurela Osmani. Fillimi i punës prej varrmihësve që kërkonin të hapnin dy varre të reja mes viktimave të tragjedisë së Farkës, ka shkaktuar incident mes anëtarëve të familjes Osmani. Këta të fundit kishin mbërritur në varrezat e Sharrës dje në mëngjes, një ditë pas varrimit të njerëzve të tyre, sipas traditës për të vënë lule dhe për të qëndruar për pak kohë pranë varreve të viktimave. Kur kanë parë që po hapeshin varret e rinj, të afërmit e viktimave kanë mbetur të shtangur. Pas kësaj ata kanë kërkuar të komunikojnë me administratën e varrezave për të mësuar shkakun e gjithë kësaj që po ndodhte. Varrmihësit janë shprehur se ishin urdhëruar nga përgjegjësi për gërmimet, ndërsa  kanë vendosur më pas të mos hapnin varr të ri mes dy binjakëve. Reagimi i pjesëtarëve të familjes Osmani pranë administratës së varrezave të Sharrës, ka bërë që të ndërpritej puna për hapjen e dy varreve të rinj pranë atyre të familjes Osmani. Varri që ishte hapur nga punëtorët është mbyllur sërish prej tyre. Megjithëkëtë, meraku i babait të Alket Osmanit, Avni Osmani, ka qenë se mes fëmijëve të tyre mund të hapeshin varre të rinj. Vetëm pasi është siguruar nga administrata e varrezave publike të Sharrës, familja ka pranuar të largohet. Avni Osmani, babai i Alket Osmanit dhe gjyshi i Rei dhe Esi Osmanit, ka treguar dje për gazetën "Panorama", incidentin me varret e nipërve dhe kushëririt të tij Halil Osmani. Avniu nuk harron të shtojë se tragjedia mund të ishte evituar, nëse të gjithë personat nuk do të hipnin në një varkë. A mund të na tregoni çfarë ka ndodhur paradite në varret ku prehen të afërmit tuaj?Një ditë pas varrimit të djalit, nuses e dy fëmijëve dhe Halilit me të shoqen dhe dy vajzat e tij, sipas zakonit ne shkuam të vizitonim varret dhe të vinim lule. Sapo mbërritëm pamë varrmihësit që po punonin në mes të varreve të dy fëmijëve. Ne kishim lënë një vend bosh gjatë hapjes së tyre ku ishte hedhur dheu. Kjo pjesë qe shfrytëzuar për hapjen e një varri të ri aty. Dy të tjera do hapeshin pranë varreve të fëmijëve të Halilit. Pse po i hapnin varret aty?Nuk e di, por të ndash dy fëmijët e vegjël, nuk është e mirë. Po kështu të afërm të vdekur në një tragjedi të tillë s'mund të ndahen.Kush kishte kërkuar të hapeshin varre të reja mes të afërmve tuaj?U interesuam pranë administratës së varrezave dhe tek njerëz të tjerë të administratës. Sapo iu kërkuam një gjë të tillë ata menjëherë thanë që varret të mos hapeshin pranë varreve tona, sepse nuk mund të bëhej një gjë e tillë. Kështu ndodhi.A i mbyllën varret e reja punonjësit?Po, menjëherë. Ata kishin mundur të hapnin vetëm një varr, atë pranë fëmijëve të Halilit. Atë e mbyllën menjëherë sapo folëm ne. Varrin tjetër pranë dy fëmijëve të vegjël binjakë, Rei dhe Esi, sapo kishin nisur të gërmonin, por nuk kishin hapur gjë. Më pas varri u mbyll po vetë nga ata. Kurse varrin tjetër nuk mundën ta hapnin dhe e lanë punën në gjysmë. A kishte vend më tej për të hapur varre të tjerë?Po kishte varre një sipërfaqe në krahun verior të parcelës, matanë varreve tona. Ajo ishte bosh e tëra dhe atje mund të hapeshin varre të tjerë. Por ndoshta ata për të shfrytëzuar çdo pëllëmbë tokë donin të hapnin edhe aty. Nëse do të kishin varrosur njeri aty, s'do të kisha qenë i qetë asnjëherë.Njëri prej viktimave usta, vëllai: Na ndërtoi vetë të gjitha shtëpitëTIRANE - Halil Osmani, një prej viktimave të tragjedisë së tri netëve më parë në liqenin e Farkës, përshkruhet prej të vëllait Përparimit, si një njeri i qetë dhe punëtor. Sipas tij, ai kishte punuar gjithë jetën usta, murator dhe këtë profesion nuk e kishte lënë as gjatë kohës që djemtë e tij, Edi dhe Altini, punonin si emigrantë në Itali. Përparimi pohon se ata kanë ardhur nga Erseka në vitin 1997. Pasi blenë nga një sipërfaqe toke nisën të ndërtonin shtëpitë e tyre pak nga pak. "Ne erdhëm këtu me radhë njëri pas tjetrit dhe nisëm të ndërtonim shtëpitë tona. Të gjitha këto shtëpitë tona këtu, i ka ndërtuar thuajse të gjitha Halili. Gjithë jetën me mistri e çekiç në duar punoi". Të parën ndërtoi shtëpinë e tij, këtu tregon, Përparimi. Sipas tij, në katin e parë vendosi të banonte vëllai i tyre Faiku, ndërsa në katin e dytë vendosi të banonte vetë Halili. "Pasi ndërtoi shtëpinë e tij, ai punoi të ndërtonte shtëpinë time, që ndodhet rreth 100 metra më lart". Përparimi, një burrë më tepër se 50 vjeç, me flokë të thinjur, tregon se pasi ka ndërtuar pjesërisht shtëpitë e vëllezërve dhe të tijën, ka nisur të punojë edhe për shtëpinë e kushëririt të tij, Avni Osmanit dhe të vëllait. "Në këto banesa që kemi ne, ai ka dhënë kontributin e tij në çdo cep", pohon Përparimi. Një ditë pas tragjedisë në familjet e viktimaveTIRANE - Një ditë pas ceremonive mortore të organizuara në familjet e Avni Osmanit dhe kushëririt të parë të tij, Halil Osmanit, tragjedia është ende në sytë e të afërmve dhe pjesëtarëve të familjeve. Dyert e familjeve qëndrojnë të hapura e ngushëllimet vijnë nga të njohur e të panjohur. Ngushëllimet përcillen nga njerëz me kravata e këmisha të bardha, nga njerëz të veshur thjeshtë që kanë hedhur pas krahëve një rrobë si mbrojtje nga shiu i ditës së djeshme. Veç njerëzve të njohur, miq të familjes, të afërm, fqinj e të njohur, dyert e familjeve Osmani i kanë gjetur edhe njerëz që thuajse nuk kishin lidhje fare me ta. Përmasat e tragjedisë kanë shtyrë jo pak njerëz të gjejnë dyert e tyre. Thuajse në çdo moment telefonat e pjesëtarëve të familjeve të Avni Osmanit e fëmijëve të Halil Osmanit nuk pushojnë. Të afërm të tyre, nga jashtë vendit, telefonojnë pa pushim. Ismaili thotë se gjatë dy ditëve ka marrë ngushëllime nga shumë njerëz nëpërmjet telefonit, por edhe që kanë vizituar shtëpinë e tyre. Babai i Alketit, Avniu dhe Përparimi, vëllai i Halilit nuk harron të falënderojë në asnjë moment të gjithë ata që iu kanë ndenjur pranë dhe që i kanë ngushëlluar. "Kjo na ka bërë të ndihemi më të fortë dhe të kuptojmë se nuk jemi vetëm në këtë fatkeqësi", pohon Përparimi, vëllai i Halilit. Përparimi, ashtu si kushëriri i tij, Avniu, nuk harrojnë të falënderojnë zyrtarët dhe njerëz të ndryshëm të politikës që i kanë ngushëlluar dhe që, sipas tij, iu janë gjendur pranë në një ditë të tillë.Flet e mbijetuara: Debati me pronarin  para nisjes së varkësNë momentin që trupat e pajetë të nënës, babait dhe të vëllait do të dilnin nga dera e shtëpisë, Romira 17-vjeçare ka kërkuar të jetë pjesë e kortezhit. "Dua t'i takoj për herë të fundit", ka thënë ajo. Por dhimbja e madhe që ka përjetuar nuk e ka lejuar të qëndrojë, derisa njerëzit e saj më të dashur u mbuluan nga dheu në varrezën e qytetit të Beratit. Trazhgim Sokolaj / Dilaver XheliliVetëm disa orë më vonë, vajza e mbijetuar e tragjedisë së Farkës ka mundur të marrë veten. Tashmë ajo e ndjen më tepër se kurrë mungesën e familjes së saj, ndërsa pret e përcjell e veshur me të zeza njerëzit që e ngushëllojnë. Për oficerët e Zyrës së Hetimit të Vrasjeve në policinë e Tiranës, dëshmia e Romirës ka qenë kyçe për të zbardhur tragjedinë me 16 viktima, të gjithë të afërm të saj. Adoleshentja kujton se e ëma e ka shpëtuar nga mbytja e sigurt, pasi varka e fatkeqësisë po mbulohej nga uji. Është e dhimbshme për ju, po a mund t'i rikujtoni momentet e tragjedisë?Unë jam gjallë falë nënës sime që nuk jeton më. Ajo më shtyu nga barka kur po mbushej me ujë, bashkë me Luenën, gjithashtu gjallë nga tragjedia e familjeve tona. Mbaj mend që pasi kemi dalë nga lokali është bërë një debat që ka zgjatur rreth pesë minuta mes pronarit të barkës dhe personave të tjerë që ndodheshin me ne në ditëlindjen e vëllait tim, Albanit. Dikush i tha Afrim Dibrës: Ç`ne të gjithë ne në një varkë të vetme, nuk na merr të gjithëve. Por ai këmbënguli që të hipnim të gjithë, duke thënë që kur të hipnim të ndaheshim në mënyrë të barabartë në dy grupe dhe të qëndronim në të dy anët që të mos kthehej barka. Kur lundruam rreth 15-20 metra, mami dha alarmin se varka po fuste ujë. "Ashtu të duket se është errësirë, nuk ka asnjë problem", iu përgjigj pronari. Por kur varka po anohej, mami më shtyu duke më hedhur në ujë. Kur rashë në ujë u rrëqetha se ishte shumë i ftohtë dhe nuk po kuptoja se ç'po ndodhte.Vetëm ju u hodhët në ujë?Pashë që mami shtyu dhe kushërirën, Luenën. Ndërkohë barka u anua dhe njerëzit ranë në ujë. Nuk po shihja dot njeri, vetëm Luenën që m'u duk si në gjumë. E kam qëlluar me duar në fytyrë disa herë derisa i hapi sytë. Më pas kam nisur të përplas duart për të notuar, të dilja nga uji. Në atë kohë m'u afrua djali tjetër që shpëtoi bashkë me ne që na ndihmoi. Në fakt, nuk e dinim as vetë çfarë po ndodhte. Para se ta kuptonte se unë dhe Luena ishim gjallë në ujë, djali që na ndihmoi ka tentuar të nxirrte nga uji trupat e Ejsit dhe Reit, binjakë mes tyre. Nuk e di pse Beqiri është tërhequr nga përpjekja për të nxjerrë binjakët dhe ka ardhur në drejtimin tonë duke ndihmuar Luenën. Ndoshta nuk i pa trupat e tyre. Unë shikoja për mamin, por nuk dukej asgjë. Ishte errësirë dhe shumë ftohtë.Çfarë bëtë kur arritët në breg?Kemi thirrur për ndihmë dhe kemi qëndruar në breg derisa banorët e më vonë policia ka ardhur. Por nga njerëzit e mi nuk shihja asnjë mbi ujë. Mua më çuan në spital, po aty mësova se kisha humbur gjithë familjen time, motrën me fëmijët e kushërinjtë tanë. Dëgjova që thërritej: Pse na ndodhi kjo, jemi të pafajshëm. Jeni e vetmja e mbijetuar e familjes suaj. Jeta vazhdon për ju.Jam vetëm 17 vjeçe dhe ndihma e familjes time më duhej shumë në këtë moshë. Por është dhimbje e paimagjinueshme që pjesëtarët e familjes nuk jetojnë më. Nuk besoj se ka dhimbje më të madhe për një person dhe mua do më ngelë peng për gjithë jetën. Klithmat e fundit nuk do të më hiqen nga mendja sa të jem gjallë.Përcillet dhe nënë e bir në familjen BlamoThuajse në të njëjtën kohë me viktimat e familjes Hysaj, familjarët e Pranvera e Erion Blamos, nënë e bir, i kanë përcjellë ata për në banesën e fundit. Nënë e bir janë përcjellë për në varrezat në dalje të qytetit të Beratit, ndërkohë dhe në këtë ceremoni varrimi kanë marrë pjesë qindra qytetarë. Erjoni, shok i ngushtë me Alban Hysajn, bashkë me të ëmën kishin marrë pjesë në festimet për ditëlindjen e 21-vjeçarit, duke u bërë dhe ata pjesë të një tragjedie të shumëfishtë.Në ceremoni dhe kreu i PSPak përpara nisjes së ceremonisë mortore në familjen Hysaj ka mbërritur kryetari i PS-së, Edi Rama. I shoqëruar nga disa prej deputetëve të këtij qarku, kreu i PS-së u ka kërkuar familjarëve që të bëhen të fortë për të përballuar këtë dhimbje të madhe. Rama ka ngushëlluar familjarët duke u shprehur se bashkohet në dhimbjen e tyre ashtu si çdo qytetar i Beratit dhe gjithë Shqipërisë. Një ditë më parë, Rama mori pjesë në ceremoninë e varrimit në familjen Osmani në Tiranë.Xhaxhai: Nipit i mësova zanatinXhaxhai i Romira Hysajt, Hamzai, thotë se tani më shumë se kurrë do i qëndrojë pranë mbesës së tij. I përlotur ai tregon se Albanit ia kishte mësuar ai zanatin e elektroautit, duke e bërë 21-vjeçarin profesionist në këtë fushë, aq sa të hapte një servis në Tiranë. "Në të ardhmen do të bëhej një usta me emër në Tiranë", shprehet Hamzai. "Humbja e vëllait, gruas së tij dhe nipit do të na mbeten një plagë për gjithë jetën. Sot pas varrimit e ndjemë plotësisht mungesën e tyre".Tre vjet më parë u plagos një nipTre vjet më parë, një tjetër ngjarje që përfundoi me një të plagosur rëndë, ka ndodhur në familjen Hysaj. Ata kujtojnë se një nip i tyre, ndërsa kishte festuar ditëlindjen në periferi të qytetit të Beratit po kthehej me dy shokët e tij në qytet. Për shkak të pijes dhe të shpejtësisë, makina doli nga rruga, duke përfunduar në lumë. Nipi i familjes Hysaj mbeti i plagosur, ndërsa dy shokët e tij humbën jetën.Qyteti i Beratit përcjell me lot familjen HysajBERAT - Qyteti i Beratit është zgjuar i vrenjtur ditën e djeshme, jo nga reshjet e shiut, por nga dhimbja e familjes Hysaj. Në orët e paradites u nisën drejt varrezave të qytetit 3 arkivole, të cilët mbanin trupat e pajetë të viktimave të tragjedisë së ndodhur në liqenin e Farkës në Tiranë. Të parët kanë dalë nga banesa në lagjen "Vakëf" tre anëtarët e familjes Hysa, Pëllumb, Majlinda e djali i tyre, Alban. E gjithë lagjja është mbipopulluar nga të afërmit, pushtetarë e qytetarë të thjeshtë të qytetit. Pasi kanë kryer ngushëllimet në shtëpinë e prindërve, Qamil e Refie Hysaj, pjesëmarrësit kanë pritur të bëhen pjesë e kortezhit. Dhimbja ka qenë tepër e madhe dhe askush nuk ka mundur të përmbahet, kur rreth orës 10:00 arkivolet kanë dalë nga shtëpia. Në nisje të ceremonisë mortore përfaqësuesi i prefekturës, Ali Qeseja, i shprehu ngushëllimet familjes Hysa, duke mbajtur fjalën e rastit. Ai i ka kërkuar nënës së Pëllumbit, Refies, të jetë e fortë për të përballuar dhimbjen, ndërsa është shprehur se gjithë qyteti i Beratit është sot me Rominën, e cila është e vetmja e mbijetuar e familjes Hysa. Më pas mes dhimbjesh e lotësh familjarët Hysaj i kanë dhënë lamtumirën e fundit tre pjesëtarëve të familjes, të cilët humbën jetën pas festimit të ditëlindjes së djalit të tyre në liqenin e Farkës. Vajza e familjes është kthyer pas në shtëpi, pasi gjendja e saj e rëndë nuk e ka përballur dot momentin e varrimit të njerëzve të dashur.Ngjarja bëhet shkak për kontrolleTIRANE - Tragjedia e ndodhur së fundi në Farkë mund të bëhet shkak për kontrolle të shumta të policisë ndaj mjeteve lundruese. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme thanë se këto institucione mund të nxjerrin një urdhëresë të veçantë me qëllim monitorimin e kapacitetit të mjeteve lundruese në liqene dhe sipërfaqe të tjera ujore. Mësohet gjithashtu se policia do të verifikojë edhe hapësirat ligjore për rritjen e kontrollit dhe kujdesit të qytetarëve dhe subjekteve të biznesit në këtë drejtim. Shërbimet e policisë kanë qenë ato që janë përpjekur t'u japin ndihmën e tyre viktimave të tragjedisë së Farkës. Polumbarët e RENEA-s arritën të nxjerrin në pak kohë të gjithë trupat e të mbyturve nga uji, por ata kishin humbur jetën brenda pak minutave në ujin e ftohtë.“Kisha frikë mos binte avioni”Kur ora shënonte rreth 03:00 e mëngjesit të datës 6 mars, një zë i trembur, që qante me dënesë pranë tyre ka zgjuar nga gjumi dy vëllezërit Edi dhe Altin Osmani. Dashamir BiçakuTë lodhur nga një ditë e gjatë pune, ata janë përballur me lajmin e hidhur për tragjedinë. Thirrjet me të qara prej fëmije të kushëririt të tyre 26-vjeçar, Florit, kanë zgjuar dy vëllezërit, Altin dhe Edi Osmani. Edi tregon se është trembur kur ka dëgjuar Florin në dhomën e tyre pranë shtratit të tij, tek sa mundohej ta zgjonte. "Edi çohu, ka ndodhur tragjedi", pohon Eduarti të ketë dëgjuar prej Florit. Fillimisht ai tregon se kushëriri nuk i tregoi se kishin vdekur edhe motrat, por vetëm për prindërit. Më pas, kur u lidhëm në telefon morëm vesh çfarë kishte ndodhur. Edi ka pranuar të ndajë momentet e vështira, duke treguar për gazetën "Panorama" rrugëtimin e vështirë të tre kushërinjve, për të mbërritur përpara varrimit në shtëpi pranë njerëzve të tyre të familjes.Edi si e morët vesh lajmin për tragjedinë?Ishim lodhur shumë atë ditë, pasi po punonim në një hotel ku edhe flinim. Duhej të ishte vonë, ndoshta tre apo katër e natës dhe unë isha në gjumë. Erdhi Flori dhe më thirri te dhoma ku flija unë me vëllain Altinin. Më thirri kur hyri në dhomë dhe dëgjova që po qante. U ngrita menjëherë, edhe pse isha i lodhur dhe e pyeta ç'kishte. U çua edhe Altini. "Edi bëhuni gati, ka ndodhur tragjedi". Shtanga për një moment. Mendova menjëherë se mund të kishte ndodhur ndonjë gjë nga familja. Më pas Flori më tha se kishin vdekur vetëm nëna dhe babai. U tmerrova e s`dija çfarë të bëja, po qaja. Mora në telefon shtëpinë dhe më pas mora vesh se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë. Morëm makinën ngarkuam bagazhet dhe u nisëm nga Gargano, atje ku jetojmë, një provincë pranë Napolit. U nisëm të merrnim një avion që të niseshim për në Shqipëri. U nisët për në Romë apo në Napoli, për të marrë avion?Jo, u nisëm me makinë, për në Bari. Menduam se aty mund të gjenim avion për në Shqipëri. Në Napoli nuk ka avion direkt për këtu. Ne dinim që ka në Bari dhe u nisëm për atje. Çfarë ndodhi më pas?Qe tepër e vështirë, rruga ishte e gjatë. Zgjati rreth tri-katër orë në autostradë. Dukej si e pafund. Gjatë gjithë rrugës asnjë prej ne të treve nuk po mundte ta mbante veten. Të tre ishim në vaj. Madje, dy-tri herë makina gjatë rrugës rrëshqiti dhe mund të ishim përplasur. Flori arriti t'i shmangte, megjithëse edhe ai ishte në të njëjtën gjendje si ne. Mbërritëm në aeroport. Aty morëm vesh që s`kishte avion për në Shqipëri për atë ditë. Nuk dinim çfarë të bënim. Na dhanë variante, nga Roma, Athina dhe Milano. Zgjodhëm atë të Romës dhe u nisëm. Udhëtimi zgjati gati dy orë, pasi kishte mjegull dhe shi. Për gati gjysmë ore avioni nuk ulej dot në aeroport për shkak të shiut dhe mjegullës. Më pas zbritëm dhe u nisëm me avionin tjetër për në Rinas. Udhëtimi me avion qe më i qetë...?Ashtu menduam, por nuk qe i qetë. Ose së paku ne na dukej i tillë, për shkak të hallit që kishim. Gjatë rrugës avioni pësoi dy-tri rrëshqitje në hapësira boshe pa ajër. Një pasagjer që ishte përpara nesh kërkoi mjekun se nuk ndihej mirë dhe i ra të fikët. Zbritëm në Rinas, mbaruam punë me dokumentet shpejt dhe më pas u nisëm për në Tiranë. Mbërritëm këtu dhe gjetëm arkivolet e prindërve e motrave, që niseshin për në varreza.Hetimi i Prokurorisë: Tragjedia, vrasje nga pakujdesia e pronaritTIRANE - Prokuroria e Tiranës e ka klasifikuar tragjedinë e ndodhur në liqenin e Farkës "vrasje nga pakujdesia". Në këtë mënyrë ngjarja, e cila u mori jetën 16 personave është konsideruar prej hetimeve si aksidentale. Shkak i saj, sipas Policisë dhe Prokurorisë ka qenë mbingarkesa në varkën që kishte si kapacitet maksimumi tetë persona. Oficerët gjyqësorë kanë marrë në pyetje tre personat e mbijetuar që thanë se në momentet kur po hipnin në barkë viktimat kanë pasur një debat me pronarin e barkës, i cili ka kërkuar të hipnin të gjithë në mjetin lundrues pasi nuk kishte asnjë problem. Hetuesit kanë marrë sqarime edhe për sasinë e alkoolit të konsumuar gjatë mbrëmjes së mërkurë nga disa prej viktimave. Gjatë hetimeve mësohet se janë marrë në pyetje edhe dëshmitarët okularë të ngjarjes. Organi i akuzës ende nuk ka marrë një vendim për procedimin penal lidhur me tragjedinë. Madje, materialet kallëzuese të policisë dje kanë mbërritur në Prokurorinë e Tiranës. Burime nga kjo e fundit janë shprehur se nëse ngjarja nuk rezulton të ketë fajtorë të tjerë veç pronarit të varkës, atëherë dosja penale e tragjedisë duhet të mbyllet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›