Frattini: Brenda verës, Shqipëria do marrë përgjigjen pozitive për kërkesën për anëtarësim në BE
Ministri i Jashtëm i Italisë Franco Frattini, një njohës i mirë i problematikës së Ballkanit Perëndimor, por edhe një mik i shqiptarëve, ka deklaruar sot se kërkesa e Shqipërisë për aderim në Bashkimin Evropian do të marrë përgjigje pozitive brenda kësaj vere. Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot në mesditë, ai ka shpallur edhe nismën më të fundit të qeverisë italiane, atë të mbajtjes së një samiti me vendet e hapësirës ballkaniko-danubiane, siç e quajti ai, të cilët do të marrin garancitë për anëtarësimin e shpejtë të tyre në BE. Duke mirëpritur kërkesën e Islandës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Frattini deklaroi se duhet të garantojmë qeverinë e Shqipërisë se në afatin më të vonë, brenda kësaj vere, do të miratohet edhe kërkesa e saj për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtar me të drejta të plota në BE. Gjatë konferencës për shtyp në Trieste, ai kujtoi gjithashtu se duheshin përcaktuar afate konkrete edhe për procedurat e anëtarësimit të vendeve të tjera të rajonit, si Kroacia, Mali i Zi apo Serbia. Gjatë konferencës për shtyp nuk është përmendur Kosova, për të cilën duket se do të praktikohen procedura sui generis anëtarësimi edhe për shkak të veçantisë që paraqet shteti i ri ballkanik.
...