E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frattini: Mbështesim fuqishëm integrimin e Ballkanit në BE

Italia ka konfirmuar edhe njëherë mbështetjen e saj të fuqishme për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor. Ministri i Jashtë, Franko Fratini, gjatë vizitës së tij në Beograd, deklaroi se Italia është në favor të thirrjes së një samiti të kryeministrave të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, për t’i dhënë një mbështetje konkrete procesit të zgjerimit të Europës së Bashkuar drejt Ballkanit. Duke folur për gazetën “Veçernji Novosti”, kryediplomati italian tha se edhe heqja e vizave me këto vende do të forcojë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ekonomik mes rajonit dhe vendeve të Bashkimit Europian dhe do t’u japë mundësi të reja të dyja palëve.
I pyetur në lidhje me heqjen e vizave me Kosovën, Fratini mohoi çdo sugjerim se BE synon ta përjashtojë shtetin e ri nga ky proces. Ai tha, KE është në bisedime e sipër me zyrtarët e qeverisë serbe për të zgjidhur problemin e lëshimit të pasaportave për qytetarët serbë në Kosovë.
Për Serbinë, Fratini tha se pavarësisht rekomandimit të komisionit për heqjen e vizave, ajo duhet të arrestojë me çdo kusht të shumëkërkuarin për krime lufte, Ratko Mladicin, çka do të përcaktojë edhe kursin e integrimit europian të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›