Frattini: Në verë hiqen vizat për Shqipërinë

Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini ka deklaruar se pret që nga fillimi i kësaj vere Shqipëria të jetë gati për t'ju bashkuar vendeve të tjera në libaralizimin e vizave . Në një intervistë për Zërin e Amerikës Frattini theksoi se Shqipëria do të bashkohet me vendet e tjera shumë shpejt.
"Shqipëria ka bërë hapa mjaft të rëndësishme përpara. Italia po e ndihmon Shqipërinë dhe ka qenë një nga mbështetëset e saj më të mira në këtë aspekt. Por ekzistojnë disa kritere që duheshin përmbushur. Tani mendoj se ka ardhur koha që Shqipëria t'u bashkohet të tjerëve. Mendoj se në fillim të kësaj vere, në bazë të pritshmërive të mija, Shqipëria do të jetë gati të hyjë në regjimin e udhëtimeve pa viza" theksoi Fratini.
Ndërsa në lidhje me pyetësorin dhe bojkotit të opozitës Fratini theksoi se ai shpreson që të gjitha partitë politike në Shqipëri do ta kuptojnë se është në interesin e përbashkët të vendit që ai të hyjë sa më shpejt në Bashkimin Europian, pra që t'i përgjigjet sa më shpejt pyetësorit duke shtuar Italia do ta inkurajojë dhe do ta mbështesë Shqipërinë në çdo rast.
"Jam i sigurt se Kryeministri Berisha dhe opozita do të bien dakord se është në interesin kombëtar të Shqipërisë që ajo të hyjë sa më shpejt në Bashkimin Europian" theksoi Fratini.