Frattini: Politika të bashkëpunojë për reformat

Politika shqiptare duhet të bashkëpunojë për të përfituar nga koha që ka humbur. Ky ishte mesazhi që ka përcjellë ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini në konferencën e përbashkët për shtyp të mbajtur pas takimeve të zhvilluara në vendin tonë me krerët e politikës. Frattini në fjalën e tij theksoi se në këto takime është folur për angazhimin politik, por sipas tij, nëse kjo nuk pasqyrohet në veprimet e duhura dhe jo vetëm me fjalë, atëherë nuk do të ketë asgjë pozitive në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian.
“Mbeten ende shumë gjëra, si p.sh 52 rekomandimet që janë dhënë nga OSBE-ODIHR dhe Këshilli i Evropës. A është e mundur që këto rekomandime të zbatohen? Unë them se po. A do ishte e mundur që të rifillojnë takimet e komisionit parlamentar për çështjen e integrimit? Unë mendoj se po. A është e mundur që të dyja palët të bien dakord për Avokatin e Popullit? Unë mendoj se po. Këto ishin vetëm disa shembuj, unë them se Shqipëria ka nevojë për një pakt kombëtar për Evropën, ashtu siç e arriti Shqipëria për integrimin në NATO”, u shpreh Frattini. Ndër të tjera ministri i jashtëm italian theksoi se ky pakt politik nuk do të drejtohet nga ndërkombëtarët, por nga shqiptarët.
Sipas Frattinit, nëse ndodhë kjo Shqipëria ka një shans të rëndësishëm,që të bëhet së shpejti anëtare e Bashkimit Evropian. Pyetjes se çfarë garanice ka marrë nga lideri i opozitës në takimin e zhvilluar sot, Frattini nënvizoi se Rama tha se do bashkëpunojnë për funksionimin e parlamentit. Ndër të tjera, ministri i Jashtëm italian theksoi se opozita dhe qeveria të bëjnë që parlamenti të funksionojë normalisht.
“Ne nuk mund t`ju japim garanci se çdo të ketë në raportin e KE-së, që do të dalë në shtator apo tetor. Çdo gjë do të varet nga ato arritje konkrete. Kam përmendur deri më tashti tre gjëra; përsa i përket Avokatit të Popullit, rifillimi i funksionimit të parlamentit dhe takimet e reja të Komisionit Parlament për çështje të integrimit evropian”, shtoi Frattini.