Reforma Zgjedhore, Topalli: Mazhoranca pret propozimet e socialistëve

Deputetët e Bundestagut gjerman, kanë zhvilluar paraditen e sotme një takim me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, ku vlerësuan si të rëndësishme realizimin e reformave, që i takojnë Shqipërisë. Sipas deputetëve të Bundestagut gjerman, Shqipëria duhet të përfitojë nga përvoja e BE-së dhe sigurisht edhe nga gabimet që janë kryer në të kaluarën.
Në fjalën e saj, kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, theksoi se për reformën zgjedhore, e cila është diskutuar në Konferencën e Kryetarëve, mazhoranca po pret propozimet nga deputetët socialistë, sipas rregullores së Kuvendit. Topalli gjithashtu theksoi se bllokimi dhe bojkoti i parlamentit nga ana e opozitës, i kanë bërë shumë dëm vendit.
“Ligji për Gjykatën Adminsitrative është një produkt i angazhimit dhe kontributit të deputetëve të PS-së, që kanë bërë amendamentin dhe kanë marrë “ok” nga deputetët e mazhorancës, dhe pret votën për vullnetin politik. Është përsëritur gadishmëria, vullneti i fuqishëm për të marrë në konsideratë çdo propozim, që vjen nga opozita për reformën zgjedhore, që kjo të diskutohet me ODIHR dhe Komisionin e Venecias, për të cilin ne jemi të hapur për t`u angazhuar sa më shpejt”, theksoi në fjalën e saj, kryeparlamentarja Topalli.