E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, Topi: Përkushtim për përmbushjen e kritereve

Presidenti Bamir Topi në takimin e zhvilluar me Ministrin e Jashtëm të Italisë, Franko Frattini dhe Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Stavros Lambrinidis ritheksoi domosdoshmërinë e rivendosjes së komunikimit për çështje madhore mes klasës politike shqiptare. Ai shprehu besimin se mbart përgjegjësinë dhe vetëdijen politike, po ashtu dhe maturinë për të kuptuar e realizuar që integrimi në Bashkimin Evropian kërkon bashkimin e përpjekjeve të të gjithë shqiptarëve dhe një përkushtim e angazhim tepër serioz për përmbushjen e kritereve dhe të detyrimeve që rrjedhin nga synimi i qartë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE.

Në këtë këndvështrim, Presidenti Topi, vlerësoi se pjesëmarrja e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, në hapjen e sesionit të ri parlamentar, ishte një tregues pozitiv e domethënës në këtë drejtim, ndërsa shprehu bindjen se me përpjekje serioze, dinjitoze dhe me ndihmën e partnerëve evropianë, Shqipëria shumë shpejt do të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.
 

“Edhe këto vizita të përfaqësueseve të lartë të vendeve të BE-së në Shqipëri janë dëshmi e kësaj mbështetjeje domethënëse për vendin tonë. Realizimi i reformave kyçe që garantojnë finalizimin me sukses të punës dhe aspiratës disavjeçare të shtetit dhe të popullit shqiptar për integrimin në BE, janë një prioritet i veprimtarisë dhe angazhimit të të gjitha institucioneve tona”, u shpreh Topi.
 

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini dhe Ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Lambrinidis falënderuan presidentin Topi për pritjen e rezervuar dhe vlerësuan rolin e tij kushtetues dhe të balancuar si simbol i unitetit të popullit shqiptar. Frattini dhe Lambrinidis rikonfirmuan mbështetjen e pakursyer jo vetëm të dy vendeve që ata përfaqësojnë, por edhe të Bashkimit Evropian për përmbushjen e aspiratave integruese të popullit shqiptar, por theksuan se procesi integrues evropian i Shqipërisë do të varet nga plotësimi i standardeve dhe nga bashkëpunimi i klasës politike shqiptare, e cila duhet të vendosë interesat madhore të vendit mbi gjithçka duke u ndërgjegjësuar maksimalisht për këtë.

“Mbi të gjitha, duhet një bashkëpunim për të bërë të mundur përparimin e Shqipërisë në rrugëtimin e saj integrues”, theksuan dy ministrat e Jashtëm të vendeve fqinje.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›