Bildt: Po fuqizohen forcat integruese në Ballkan
Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, vendi i të cilit kryeson Presidencën e Bashkimit Europian, shprehu dje bindjen se rajoni i Ballkanit është zhvilluar pozitivisht në aspektin e integrimit. Duke folur në Parlamentin Europian, Bildt tha se ndryshimet e tilla janë të rëndësishme për politikat e integrimit të BE-së për këtë rajon. "Do të thosha se, për herë të parë për një kohë të gjatë, forcat e integrimit në rajonin e Ballkanit kanë filluar të jenë më të fuqishme se sa forcat e dezintegrimit. Kjo është me rëndësi kritike, që ne të ruajmë shpejtësinë në politikat tona të integrimit për këtë rajon të veçantë", tha Bildt. Deklaratat e ministrit të Jashtëm suedez vijnë një ditë pas atyre çka tha Presidenti i ri i Parlamentit Europian, Jerzhi Busek. Situata në Ballkan tani është premtuese tha ai. "Në këtë rajon nuk ka më tensione, të cilat i kemi parë në të shkuarën. Vendet në rajon tashmë po trokasin në derën e Bashkimit Europian", shtoi ai. Ai theksoi se Bashkimi Europian duhet të pranojë anëtarë të rinj, por në një mënyrë tërësisht natyrale, ç‘ka do të thotë se në radhë të parë duhet të plotësohen të gjitha kushtet e kërkuara. "Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për rajonin, por edhe për të gjithë europianët", theksoi Busek. Zyrtari i lartë europian bëri të ditur se Bashkimi Europian ka kapacitet që të zgjerohet drejt Ballkanit Perëndimor, por theksoi se vendet doemos duhet t‘i përmbushin kushtet e parashtruara. "Mund të pranojmë anëtarë të rinj, edhe ata në mënyrë tërësisht të natyrshme. Por, paraprakisht duhet të përmbushen kushtet", insistoi ai. Liberalizimi i vizave, vlerësoi Buseku, është shumë i rëndësishëm, në mënyrë të barabartë edhe për Ballkanin Perëndimor edhe për Europën Lindore. "Ne në Poloni e dimë se sa është e rëndësishme që të mos ngrihen perde të reja të hekurta dhe do të mbajmë llogari për këtë çështje. Gjithsesi, njëherazi do të jemi shumë të kujdesshëm. E dini edhe vetë se cilat janë arsyet. Por, doemos duhet të shkojmë në këtë drejtim, drejt pezullimit të vizave. Kjo është e domosdoshme", deklaroi kryetari i ri i PE-së, Jerzhi Busek.