Frattini: Vizat dhe statusi, brenda vitit
Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini, i cili vizitoi sot Tiranën, ka deklaruar në një intervistë për “Top Channel” se klasa politike shqiptare duhet të tejkalojë ndasitë dhe të punojë në Parlament për të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Zoti Frattini, ju ndodheni në Tiranë vetëm tri ditë përpara një vendimi të rëndësishëm në Bruksel për liberalizimin e vizave. është folur për shumë afate që prej vitit 2008, afate që janë shtyrë deri tani për shumë arsye. çfarë e ka penguar atë dhe çfarë e rrezikon aktualisht?
Unë mendoj se jemi vërtet në përfundim të këtij procesi, i cili sigurisht ishte i gjatë, por jo shumë i gjatë. Kam qenë unë që e kam hapur këtë proces, kur në cilësinë e komisionerit europian, vendosa që t’i propozoj Shqipërisë një dialog dhe më pas një negociatë për të mbërritur te liberalizimi i vizave. Vendimi që Komisioni Europian duhet të marrë, është një vendim teknik dhe jo politik. Pra ky vendim do të varet nga rezultatet që do të jenë arritur nga autoritetet shqiptare. Unë jam i bindur se këto rezultate ekzistojnë dhe se propozimi i Komisionit mund të jetë një propozim pozitiv. Besoj se shtetet anëtare të BE, me Italinë në radhë të parë, duhet të vendosin për liberalizimin e vizave para verës, pra pas pak muajsh, mes qershorit dhe korrikut, në mënyrë që shtetasit shqiptarë të mund të fillojnë të lëvizin lirisht menjëherë pas verës, në vjeshtë, pra në një kohë shumë të shkurtër. Unë besoj se këto rezultate janë arritur. Jam i sigurt, por gjithsesi, do të punojmë për këtë, që procedura të kurohet në mënyrë absolutisht transparente dhe që t’u njihet shtetasve shqiptarë ky rezultat, që nuk është një leje, por diçka që ata e kanë merituar.
Ka disa vende anëtare, që kanë pavendosmëri mbi liberalizimin e vizave në Shqipëri.
Kriza politike e vendit, mund të ketë efekte negative mbi këtë çështje?
Unë besoj, siç ju thashë, që vendimi për vizat është një vendim teknik, pra nuk duhet të ketë një impakt të tipit politik. Por gjithsesi, politika e brendshme në Shqipëri, është në një situatë ku të gjitha partitë politike duhet të ndiejnë së tepërmi përgjegjësinë e përbashkët për të punuar për Shqipërinë në Europë, pra mbi të gjitha për një regjim pa viza. Ky është një apel që u duhet bërë të gjitha partive politike. Sepse dihet, që t’i japësh përshtypjen Brukselit se këtu ka një Parlament që nuk funksionon, një Parlament të bllokuar, do të thotë që të japësh një imazh negativ për vendin. Dhe kjo është një përgjegjësie rëndë, të cilën unë uroj, se asnjë parti politike, as opozita, do të dojë ta marrë përsipër.
Zoti Frattini, ekziston më shumë se një mendim në Bruksel në Komisionin Europian apo mes vendeve anëtare të BE-së, se Bosnja është më përpara me plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave, sesa Shqipëria…
Unë besoj se nuk është në interesin e Europës, që të japë një mesazh negativ, duke shtyrë më tej afatet. Unë mendoj se vendimi për liberalizimin e vizave duhet të merret tani, para verës, si për Shqipërinë, si për Bosnjën. Të dy shtetet e meritojnë këtë sinjal pozitiv. Sigurisht nuk do ta konsideroja një përgjigje të drejtë dhe të barabartë, njohjen e këtij rezultati, për shembull vetëm për Bosnjën dhe jo edhe për Shqipërinë. është një çështje dinjiteti. është një çështje respekti për një vend, në këtë rast Shqipëria, e cila ka bërë progrese të mëdha.
Kur thoni në vjeshtë, në tetor do të hiqen vizat, keni parasysh hyrjen në fuqi të vendimit për heqjen e vizave apo marrjen e vendimit nga Këshilli i Ministrave të brendshëm europianë?
Unë besoj se duhet të bëhet hyrja në fuqi e vendimit. Vendimi i ministrave duhet të merret para pushimeve verore, d.m.th ose në qershor, ose në korrik. Në vjeshtë unë besoj se duhet të bëhet aplikimi konkret, pra çdo shtetas shqiptar i lirë për të lëvizur në Europë.
Zoti Frattini, edhe Shqipëria po kalon një ngërç politik. Nëse do t’u jepni një këshillë miqve tuaj në Tiranë, të dy palëve në pushtet dhe opozitë çfarë do sugjeronit për të zgjidhur krizën?
Unë i sugjerova qeverisë që të mbajë një qëndrim tërësisht të hapur ndaj opozitës, duke e ftuar këtë të fundit që të marrë pjesë në procesin e reformës. Për sa i përket opozitës, ashtu sikurse dihet, ka një mision vëzhgues ndërkombëtar, që ka vendosur me qartësi, se zgjedhjet në Shqipëri ishin korrekte dhe transparente. Dhe Gjykata juaj Kushtetuese ka vendosur që Parlamenti nuk mund të numërojë një për një votat. Pra duke pasur parasysh këto vendime, nuk mund të bëhet numërimi individual i votave.
#