Berisha: Ka vështirësi, por edhe rroga
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se ekonomia shqiptare ka vështirësi, por se këto janë kalimtare. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri akuzoi njerëz pa emër se po përpiqen të mashtrojnë shqiptarët duke folur për krizë dhe duke synuar të minojnë besimin e qytetarëve tek institucionet financiare.
“Mendoj që në këtë situatë të pashembullt ekonomike, nuk them se nuk ka dhe nuk do të ketë vështirësi, e vërteta është që ekonomia shqiptare ka këtë vit një start, deri tani, shumë pozitiv dhe e ka bërë këtë pa u tretur në një propagandë kakofonie mjerane që shqipëron nga mëngjesi deri në darkë kriza, kriza dhe vetëm kriza”, deklaroi Berisha.
“Ata, të cilëve nuk u del ndonjëherë kriza nga koka dhe që flasin nga mëngjesi deri në darkë për krizë shqiptare, në qoftë se do t’u referoheshin fakteve të institucioneve ndërkombëtare, ekspertëve më të mirë dhe jo sharlatanëve, do të ndiheshin të turpëruar me sulmet e paskrupullta dhe të paprincipta që bëjnë çdo ditë ndaj ekonomisë shqiptare. Dhe tani së fundi, në mënyrën më amorale dhe më të ulët, po ndërmarrin sulm ndaj bankave. Kjo është e turpshme”, tha Kryeministri.
Deklarata e tij erdhi pak minuta pasi INSTAT-i njoftoi statistikat në rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto për tremujorin e katërt. Berisha përsëriti dje premtimin për rritjen e pagave dhe pensioneve në maj të këtij viti.