E Diel, 1 Nëntor 2026

Frattini, vizitë zyrtare në Tiranë më 12 prill, konfirmon kontributin për liberalizimin e vizave

Vizita në një moment të rëndësishëm, dy ditë para se Parlamenti Evropian t’i propozojë KE-së nisjen e procedurave për hyrjen e Shqipërisë në “Schengen”


Në prag të propozimit të vendimit nga Parlamentit Evropian, për liberalizimin e vizave Shqipëri-BE, shefi i diplomacisë italiane, Franco Frattini ka përcaktuar në axhendën e tij diplomatike, një vizitë zyrtare në Shqipëri, vizitë kjo që pritet të zhvillohet më 12 prill. Lajmi u konfirmua dje nga ambasadori italian në Tiranë Saba D’Elia, i cili u shpreh se kjo vizitë tregon edhe njëherë marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe shtrirjen e tyre në një rang më të gjerë. Ministri i Jashtëm italian, Frattini, njihet si një lobues i fuqishëm i aspiratave të Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe një prej kontribuuesve më të mëdhenj në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Vetëm dy ditë më parë, kryediplomati italian, u shpreh në konferencën “Skenarët e zhvillimit Adriatiko-Ballkanik” se Komisioni Evropian, nuk duhet të vonojë vendimmarrjen për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Në diskutimet për integrimin e rajonit të Ballkanit, Frattini përsëriti të njëjtin qëndrim, jo vetëm ndaj Shqipërisë, por ndaj gjithë vendeve të këtij rajoni, sipas të cilit, rruga e duhur është drejt Europës, duke veçuar edhe faktin se Ballkani prej disa kohësh ka nisur të ecë drejt një paqe të konsoliduar dhe një integrimi progresiv. Ai u shpreh se Bashkimi Evropian nuk ka më dilema për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. Vizita e ministrit të Jashtëm italian në Tiranë, zhvillohet në një moment deçiziv, pasi pikërisht në mes të muajit prill, PE pritet të dalë me një deklaratë zyrtare për t’i propozuar Komisionit Evropian, nisjen e procedurave të marrjes së vendimit për heqjen e vizave me Shqipërinë. Nismë kjo, që është kërkuar me ngulm nga zyrtarët më të lartë të Parlamentit Evropian, konkretizuar fuqishëm së fundmi, përmes letrës së kryetarit të Komitetit për Lirinë, Drejtësinë dhe çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian, Juan Fernando Lopez Aguilar, me mbështetje të Komisionerit të Zgjerimin e BE-së, Stefan Fule, kryetarit të Komisionit për Punët e Jashtme në PE, Gabriele Albertini dhe Kryetarit të Delegacionit për marrëdhëniet me Shqipërinë në BE, Eduard Kukan, drejtuar Komisionit Evropian, veçanërisht Komisioneres për çështjet e Brendshme të Komisionit Europian, Cecilia Malmstrom, ku i kërkohet përshpejtimi i liberalizimit të vizave me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.


Ambasadori italian në Tiranë Saba D’Elia: Italia, vendi më mbështetës në procesin e liberalizimit të vizave/Italia është vendi që i ka qëndruar më pranë Shqipërisë, porsa i përket integrimit në NATO, aspiratës së anëtarësimit në BE dhe në procesin e liberalizimit të vizave. Kështu u shpreh dje, ambasadori italian në vendin tonë, Saba D’Elia gjatë ceremonisë së çeljes së Pranverës italiane: Italia dhe Shqipëria- Dy popuj, një det, një miqësi” ku merrte pjesë edhe Zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht edhe ministri i jashtëm Ilir Meta. Në fjalën e mirëseardhjes Ambasadori i Republikës Italiane në Tiranë, Saba D’Elia e vuri theksin në kuadrin e privilegjuar të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve, që dëshmohen qartë nga vizita e fundit e kryeministrit Berisha në Itali si dhe nga vizita e Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Franco Frattini në Tiranë më 12 prill. Gjithashtu Ambasadori D’Elia vuri në dukje lidhjet tradicionale kulturore e ato të miqësisë që ekzistojnë mes dy popujve, të cilat përbëjnë një urë të pazgjidhshme të këtyre marrëdhënieve. Ai e cilësoi këtë projekt të hapur ndaj ideve e nismave dhe ftoi, me këtë rast, të gjitha subjektet shqiptare e ato italiane të marrin pjesë aktivisht për realizimin e veprimtarive të ngjeshura të kësaj stine.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›