Opozita kthehet me vonesë nga qorrsokaku antievropian
Një prapakthehu lejohet, sigurisht, lejohet që PS të jetë “pro” rezolutës së liberalizimit të vizave. Praktika e bojkotit permanent është arkivuar, bile është protokolluar një rikthim i arsyes së opozitës përballë nevoja që ka vendi, dhe jo politika ditore e Edi Ramës. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të socialistëve kuptuan se irracionalizimi miop i jetës politike të opozitës nuk ka shkuar deri aty sa të investohej në mënyrë apatride me lojën kundër aspirimit legjitim të shqiptarëve për të lëvizur të lirë në zonën “Schengen”. Ky është jo vetëm një objektiv i maxhorancës, por edhe një objektiv kombëtar.
Kësisoj, fatmirësisht sindroma anti-europiane e Xhelil Gjonit nuk u kthye në një patologji të pashërueshme. Me pjesëmarrjen e sotme të socialistëve në seancën parlamentare, ku pritet të votohet rezoluta për liberalizimin e vizave, i bëhet një shërbim vendit. Natyrisht kjo rezolutë ka për qëllim të inkurajojë ekzekutivin dhe të gjithë aktorët politikë e shtetërorë që të japin të gjithë kontributin e mundshëm në këtë proces parësor.
Gjithashtu ky qëndrim “ndryshe” i PS mund të interpretohet si një sinjal pozitiv, se opozita, dalëngadalë po përpiqet të hyjë në shinat institucionale dhe po i drejtohet konstruktivitetit politik; të dyja këto qendrime rekomandime edhe të Parlamentit
Europian. Megjithëse në daljet e tyre në konferenca për shtyp socialistët kanë kërkuar vetëm miratimin e kërkesave për komisionet parlamentare, opozita - e kryesuar në
kuvend nga lideri soc-komunist Gramoz Ruçi - ka vendosur ta braktisë bojkotin për
këtë seancë të rëndësishme. Por gjithsesi skeptikët bëjnë thirrje për kujdes, pasi ende s’konfirmohet se socialistët kanë vendosur të votojnë pro-rezolutës. Të njëjtat “gojë të liga” thonë se ata mund të kërkojnë një shtyrje të votimit të rezolutës, duke “arsyetuar” se një rezolutë e tillë nuk mund të ketë të gjitha efektet pozitive, pa zgjidhur më parë krizën brenda vendit. Një kleçkë moralo-politike që do të humbte unitetin për një kauzë madhore. Afërmendsh debatet pritet të fokusohen në një analizë të këtij procesi dhe jo votim të rezolutës, ç’ka do të ishte një devijim nga shpirti i kësaj rezolute.
Sepse votimi i pakushtëzuar i rezolutës nga Kuvendi shqiptar, padyshim do jepte një sinjal pozitiv për Brukselin, i cili do kishte edhe këndvështrimin e duhur gjatë leximit të përmbushjes së pyetësorit të BE.
Qëllimi i kësaj rezolute është unifikimi i një vullneti politik, edhe pse në fund të një ngërçi politik, dy partitë kryesore politike janë të afta të koordinojnë energjitë pro-pozitive për çështje që kanë të bëjë me pritshmërinë e rikthimit të Shqipërisë në gjirin e familjes europiane, pas 50 vjet obskurantizmi komunist. çdo vonim, apo shtyrje e kësaj rezolute do të nxirrte në anulim loje një pjesë të politikës shqiptare, dhe do të ishte prova
Më e mirë e ngushticës mendore të një klase politike anti-integrim. Në këtë mes Partia Demokratike e ka bërë hapin e parë, por si në çdo tango, kërkohet që edhe partneri tjetër të sillet sipas kodit kalorësiak, duke vënë mënjanë pretendimet e përditshme për një investim më afatgjatë. Liberalizimi i vizave është një pjesë e procesit të hyrjes së vendit tonë në Europë. Madje ky proces përfshin në radhë të parë, një demokraci parlamentare e institucionale, një ekonomi konkurruese dhe një sjellje politike konstruktive dhe jo dekonstruktive, siç është dëftyer opozita në 6 muajt e fundit.