E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një përkujtim në Bullgari

Shfaqja “Një përkujtim në kafe-teatër”, me tekst dhe regji të Haqif Mulliqit, tashmë ka përfaqësuar vendin në më shumë se dhjetë festivale ndërkombëtare. Së fundmi, kjo shfaqje ishte në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Vraca të Bullgarisë. Nga Albana S. Muja më 22 maj 2011 në ora 12:01

Shfaqja “Një përkujtim në kafe-teatër”, ka përfaqësuar vendin, teatrin, por edhe kulturën tonë në përgjithësi, në më shumë se dhjetë festivale ndërkombëtare. Ky është një krijim i suksesshëm i dramaturgut dhe regjisorit të kësaj shfaqjeje Haqif Mulliqi.
Mulliqi, përveç tjerash, me këtë shfaqje, bëri bashkë aktorët Mentor Zymberaj dhe Ismet Azemin, të cilët, me lojën e tyre, kudo kanë shkuar e kanë prezantuar në mënyrën më të denjë artin tonë teatror.

Këtë e thotë edhe vet Mulliqi, pasi sipas tij shfaqja është dëshmuar në tri përmbajtjet e saj.

“Si dramaturgji, formë regjisoriale dhe aktrim, duke i shtuar vlerën shkollës sonë, pra Fakultetit të Arteve në Prishtinë, për të cilën na e thonë vazhdimisht se është prej më të mirave, jo vetëm në regjionin e Ballkanit, gjë që është vlerësim i vërtetë dhe imponon ndjenjë të mirë”, tha ai.

Mulliqi thotë kështu ngaqë shfaqja njëllojshëm është vlerësuar lartë edhe në Jordani edhe në Cetinë të Malit të Zi edhe në Shqipëri edhe në Bullgari dhe kudo që është shfaqur.
Pak ditë më parë, ekipi i shfaqjes “Një përkujtim...” është kthyer nga Festivali Ndërkombëtar i Teatrit të Formave të Vogla në Vraca të Bullgarisë, e që ky festival është njëri prej festivaleve më të rëndësishme në këtë vend.

Sipas Mulliqit, ftesa për shfaqjen “Një përkujtim në kafe-teatër” në këtë event dallon nga ftesat e trupave tjera nga vendet e ndryshme të Evropës ngase, derisa trupat tjera vijnë në festival nga fakti se teatrot e tyre janë pjesë e rrjetit NETA, rrjet ky i festivaleve në më shumë se 25 vende të Evropës, kjo shfaqje është ftuar direkt me propozimin e përzgjedhësit të këtij festivali, Bllagoje Stefanovski (ish ministër i kulturës së Maqedonisë). “Në fakt, siç na tha zoti Stefanovski për shkak të cilësive të shfaqjes sonë, na e ka thënë se e ka shfrytëzuar një të drejtë të pashkruar të tij, duke na rekomanduar të jemi pjesë e programit zyrtar, e programit të festivalit në Vraca”, theksoi ai.

Stefanovski, pas falënderimit për pjesëmarrjen, ekipin e shfaqjes e ka paralajmëruar se tashmë janë të futur edhe në programin e Festivalit Evropian të Aktorit në Otoshevo, buzë brigjeve të Prespës, ku do të udhëtojnë për andej në fillim të korrikut, madje i është thënë që aktorët Ismet Azemi dhe Mentor Zymberaj domosdo do jenë pretendentët kryesor për ta fituar këtë çmim.

Pas Bullgarisë, shfaqja, përveç ftesës në Otoshevo të Maqedonisë, gjithashtu ka marrë ftesë edhe nga Festivali i Mostarit në Bosnjë. “Këtu nuk e di se si do t’ia bëjmë që të shkojmë, ndërsa Nina Mazur, një prej emrave më të mëdhenj të teatrit evropian, na e ka bërë ftesën që në shkurt të vitit të ardhshëm të marrim pjesë me ketë shfaqje në Festivalin e Kievit në Ukrainë. Ndërsa një kritike e teatrit nga Moska na ka thënë se do të bëjë përpjekje që shfaqja të marrë pjesë në një festival në Shën Petersburg”, tha Mulliqi.

Gjithashtu, para pak ditësh, është kontaktuar për pjesëmarrje edhe nga përzgjedhësit e festivalit të Avinjonit në Francë. Elementi, i cili provokon audiencën, ngado është dhënë kjo shfaqje, sipas Mulliqit, nuk është vetëm një, por ai ndalet vetëm tek dy apo tre syresh. “E para, unë mendoj se është teksti, (në shumicën e festivaleve drama ime është përkthyer në gjuhët përkatëse dhe shfaqja bëhet me titrim), mesazhet që ka ky tekst, dhe një lloj distance që, besoj se e kam krijuar nga tmerret e luftës, të cilën e kemi përjetuar secili prej nesh në mënyrë të vetë”, tha ai.

Ai pohon se sa herë që kanë shkuar nëpër ambiente ku dihet pak a shumë për luftën e Kosovës, për gjenocidin që e ka shkaktuar Serbia, viktimat, gratë e përdhunuara, etj, ata gjithmonë presin një tekst me shumtë elemente të folkpatriotizmit, me parafraza dhe fraza emfatike dhe me qasje të fuqishme të krijimit të një lloj akuze karshi agresorit. “ Unë në fakt, problemin në këtë dramë e kam shtruar gjakftohtë, ndërsa protagonistët e mi janë viktima të një rrethane dramatike të veçantë, paçka se e tëra është shkak-pasojë e luftës dhe traumës së fituar atje”, thotë Mulliqi.

I pyetur nga Express se çka aktualisht është duke punuar në teatër ai tha: “Me aktorët Mentor Zymberaj dhe Ismet Azemi ka pak ditë që jemi duke e punuar dramën time “The Kosowars” në një variant të ri. Aktorët po punojnë me shumë frymëzim”.

Mulliqi kujtoi që Stefanovski është i interesuar që, ndoshta, premierën e kësaj shfaqje ta bëjnë pikërisht në festivalin e Strumicës. “Gjithashtu besoj se ka ardhur koha që ta punoj një komedi dhe këtë do ta bëj diku. Pse jo!?”, tha në fund ai.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›