E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frederik Stamati: Kemi mungesë personeli për restaurimin e objekteve arkeologjike

Në Laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë janë restauruar 660 monedha nga Antigonea
Gërmimet e shumta arkeologjike të kryera në Antigone, që nga vitet 60 e deri sot, sidomos nga Dhimosten Budina, kanë zbuluar ndër të tjera një numër të madh monedhash. Këto janë gjetjet kryesore të një zbulimi arkeologjik, sepse ato datojnë sitin, zbulojnë lidhjet tregtare, pra qarkullimin monetar, orientimin e tregtisë, volumin dhe nivelin e shkëmbimit të mallrave, pra zhvillimin. Sipas drejtorit të Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë Frederik Stamati,

monedhat e zbuluara kanë pasur probleme për ruajtjen dhe studimin, të shkaktuara nga qëndrimi në tokë për më shumë se 2100 vjet. Kështu sipas tij jo të gjitha ishin të lexueshme, ndërsa korrozioni kishte dëmtuar sipërfaqen dhe vazhdonte të zhvillohej, duke rrezikuar ekzistencën e tyre. 660 copë monedha të këtij koleksioni, që ruheshin në kabinetin numizmatik të Institutit Arkeologjik,  iu nënshtruan restaurimit dhe konservimit për të realizuar trashëgiminë e tyre dhe për të bërë të mundshëm leximin dhe studimin përkatës për monedhat e palexueshme, pohon ai. Trajtimi i tyre u krye në Laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike. Puna filloi gjatë vitit 2009 dhe përfundoi në mes të janarit 2010. U punua në mënyrë shumë intensive. Ishte shumë e lodhshme, por rezultati i arritur justifikon mundimin. Nga ky grup monedhash vetëm 10 copë ishin prej argjendi, ndërsa të tjerat bronz. Tani ato ruhen të sistemuara në Kabinetin numizmatik të QSA, në konditat më të mira të arritura në Shqipëri, nga  puna e specialistes numizmate, Prof. Dr. Shpresa Gjongecaj, pohon më tej Stamati. E ndërkohë si kërkesë urgjente specialisti Stamati kërkon që ky laborator që merret me restaurimin e objekteve arkeologjike të ketë më shumë personel. Laboratori duhet të ketë patjetër më shumë personel, pasi janë shumë objekte arkeologjike, të cilat duan patjetër më shumë kuadro të specializuar për të kryer restaurimin tyre, cilëson drejtori Stamati. Më tej ai vijon duke treguar se emrin Antigone ia ka vënë Pirroja i Epirit në vitin 270, për nder të së shoqes, që quhej Antigona, pasi ajo ishte thesprote. Antigoneja ka qenë një qendër e rëndësishme në Ilirinë e Jugut. Nuk dihet mirë se kur është themeluar, por dihet mirë se u dogj në vitin 167 para erës së re nga konsulli romak Pal Emili, i cili si mundi ushtritë e Gentit dogji 70 qytete të Ilirisë së Jugut, midis të cilëve edhe Antigonenë, e cila nuk e mori më veten kurrë. Monedhat e gjetura në Antigone bëjnë pjesë kryesisht në ato të Koinonit të Epirit, të prera rreth viteve 234-168 per. Të gjitha përmbajnë të shkruar fjalën A?EIP?TAN. Tani, mbas restaurimit, jo vetëm që u sigurua ruajtja e tyre me një koefiçent sigurie prej 99.6%, por njëkohësisht mundësohet studimi më i plotë numizmatik, që natyrisht do të japi të dhëna të tjera, më të shumta, në tërësinë e studimeve të kryera deri sot. Me përfundimin e restaurimit të grupit të fundit prej 51 copë, arrin në më shumë se 1000  numri i monedhave të restauruara gjatë vitit 2009. Kjo është një shifër e mirë, ose shumë e mirë, në konditat tona, por u arrit me një punë të sforcuar, duke punuar paradite e pasdite, të shtuna e të diela, gjatë ditëve të pushimeve zyrtare dhe pa lejen e zakonshme, kështu që kjo shifër është tej mundësive normale të punës, përveç që laboratori ka detyra për të punuar edhe me objekte të tjera arkeologjike, si dhe me objektet etnografike. Kjo punë dëshmon më së miri nevojën e këtij laboratori për të pasur një numër shumë më të madh të kuadrove të kimisë për të përballuar nevojat urgjente, që ka trashëgimia e objekteve me vlera kulturore dhe historike, cilësoi ndër të tjera Stamati. E ndërkohë që ai bën të ditur se restaurimi i radhës ka të bëjë me objektet që i takojnë arkeologjisë nënujore.Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›