E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Freedom House”: Berisha dhunoi median e lirë



Eljona Ballhysa
Organizata botërore “Freedom Houese” ka publikuar në Uashington raportin vjetor për të drejtat politike dhe liritë civile në botë. Sipas vlerësimit të këtij raporti, Shqipëria rezulton të jetë një vend pjesërisht i lirë. Në të theksohet se vazhdon të mbetet problematike për Shqipërinë shkalla e lartë e korrupsionit, mungesa e transparencës dhe mosfunksionimi i shtetit ligjor. Në raport dënohet gjithashtu dhe dhuna e ushtruar nga qeveria ndaj medias së lirë.
Konstatimet
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, analisti i organizatës “Freedom House”, Tejlor Rojlenc, i cili ka ndjekur zhvillimet në Shqipëri, thotë se gjendja e lirive në vend nuk ndryshoi shumë në 2008-n dhe në raport me vendet e tjera të rajonit është e dobët. Veçanërisht, sipas tij, do të ndikojnë negativisht në përshkrimin e gjendjes në Shqipëri edhe në raportin e organizatës “Freedom House” për vitin 2009, zbatimi i disa projektligjeve të miratuara nga fundi i vitit 2008. “Një nga këto është ligji i ri zgjedhor që do të zbatohet këtë vit për herë të parë. Një tjetër është ligji i pastërtisë së figurave dhe i treti ligji për Prokurorinë e Përgjithshme, i cili parashikon shtimin e kompetencave për Ministrinë e Drejtësisë për të kontrolluar dhe shqyrtuar veprimtarinë e prokurorit të Përgjithshëm”, - është shprehur analisti. Më tej ai ka shtuar se rezultatet më të dobëta Shqipëria i ka në fusha të tilla si niveli i lartë i korrupsionit, mungesa e transparencës dhe të funksionimit të shtetit ligjor, që përfshin edhe pavarësinë e Gjyqësorit dhe zbatimin e ligjit. Ndërsa përsa i përket fushës së medias, sipas analistit Rojlenc, gjendja lë shumë për të dëshiruar. “Rezultati është gjithashtu relativisht i ulët përsa i përket lirisë së shtypit. Kjo ka të bëjë me përzierjen e interesave të fuqishme të biznesit, të politikës dhe të medias, që pengojnë zhvillimin progresiv të mjeteve të pavarura të informimit. Shpesh kryeministri e denigron median dhe e akuzon atë për lidhje me krimin e organizuar, pa i mbështetur këto akuza në të dhëna faktike. Pra ekziston një atmosferë e përgjithshme armiqësore ndaj kritikave të medias”, - është shprehur Rojlenc.
Analiza
Sipas analistit, viti 2008 ishte i mbushur me një sërë zhvillimesh negative në Shqipëri, duke filluar në muajin mars me shpërthimin e fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec, ku gjetën vdekjen 26 veta, incident që u bë shkak për zhvendosjen e mijëra banorëve të zonës nga shtëpitë e tyre. “Po atë muaj doli se Shqipëria ishte pikë transiti për dërgimin e municioneve kineze në Afganistan nëpërmjet një kontraktuesi amerikan. Një nga dëshmitarët kryesorë në këtë skandal më vonë gjeti vdekjen në një aksident automobilistik. Megjithëse hetimet nuk rezultuan në krim kundër jetës së dëshmitarit, rasti ka ngritur shumë pikëpyetje për shtetin ligjor në Shqipëri”, - është shprehur Tejler Rojlenc. Me afrimin e zgjedhjeve, sipas analistit të organizatës “Freedom House”, gjendja e lirive kryesore në Shqipëri ka shumë mundësi të përkeqësohet.

14 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›