Topalli takon anëtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë
Në kuadër të fushatës promovuese për rritjen e pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje dhe në politikë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi dje një takim me anëtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Kryetarja e Kuvendit, gjatë këtij takimi, tha se kishte zgjedhur posaçërisht gra, lidere në biznes, për të vijuar në vitin 2009 fushatën kombëtare sensibilizuese në mbrojtje të të drejtave të grave. “Ky është një rast i mirë që nga ky takim i historive të suksesit të secilës prej jush, të japim mesazhe për çdo grua që mund të bëhet si ju. Jam e bindur se gratë lindin me dhuntinë e të qenit lidere“, - u shpreh ndër të tjera ajo. Duke shpjeguar rolin e Kuvendit në përmirësimin e legjislacionit, klimës ekonomike dhe biznesit në vend, kryetarja e Kuvendit i garantoi pjesëmarrëset se zyrat e Parlamentit dhe të komisioneve do të jenë gjithmonë të hapura për to. “Ky Kuvend, gjatë këtyre viteve, në fakt, është transformuar në konceptin e tij dhe është hapur për të gjithë. Ndaj mendoj se ky partneritet, bashkëbisedim i hapur, i sinqertë, mes politikës dhe biznesit, vetëm se ndihmon për një perspektivë dhe afrim me biznesin”, - deklaroi kryetarja e Kuvendit.
14 Janar 2009