E Shtunë, 31 Tetor 2026

Freedom House: Edhe Kosova pjesërisht e lirë

PRISHTINE - Kosova sërish renditet në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira, në raportin e fundit të publikuar të enjten nga Freedom House.

Raporti bën fjalë për të drejtat politike dhe liritë civile, ndërsa matjet janë bërë nga 1 janari deri në 31 dhjetor të vitit 2011.
Në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Kosovën gjendet edhe Shqipëria, Bosnja dhe Maqedonia, kurse Serbia dhe Mali i Zi janë radhitur në kategorinë e vendeve të lira.

Vitin e kaluar Kosova ka qenë vend gjithashtu pjesërisht i lirë dhe të dhënat në dy shtyllat kryesore që sipas Freedom House përcaktojnë lirinë e një vendi, kanë mbetur identike, nota 5 për të drejtat politike dhe 4 për liritë civile.

Sipas Freedom House, një vend është “pjesërisht i lirë” kur në të ka respekt të limituar të të drejtave politike dhe të lirive civile.

Shtetet “pjesërisht të lira” shpesh vuajnë nga një mjedis i korrupsionit, sundimit të dobët të ligjit, grindjeve etnike dhe fetare, si dhe nga një ambient politik në të cilin një parti e vetme e gëzon dominimin, pavarësisht shkallës së caktuar të pluralizmit.

(er.nu/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›