“Freedom House”: Media në Shqipëri pjesërisht e lirë

Organizata ndërkombëtare “Freedom House” publikoi sot raportin për lirinë e medias në botë ku Shqipëria renditet në listën e vendeve me media pjesërisht të lirë. Sipas raportit, Shqipëria ka zbritur 5 vende, ku nga vendi i 102 që ishte pozicionuar vitin e kaluar këtë vit, vendi ynë është renditur në vendin e 107.
Raporti i ri vëren se në Evropën Qendrore dhe Lindore, klasifikim ky hyn edhe Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit është shënuar një rënie në dallim nga viti i kaluar. Në rajon Shqipëria lë pas vetëm Maqedoninë. Në renditjen e Freedom House Shqipëria gjendet në të njëjtën pozicion me vende si Libani, Tunizia, Maldive,Tunizia dhe pasohet nga Bangladeshi,Kenia dhe Mauritania qe pozicionohen vetëm një shkallë më poshtë se Shqipëria.
Freedom House” edhe këtë vit e ka vlerësuar lirinë e shtypit në Kosovë si pjesërisht të lirë, por me një përparim modest duke ia dhënë notën 49 nga 51, sa e kishte në vitin e kaluar.
Raporti i ri për Lirinë e Mediave i Freedom House, vëren se në Evropën Qendrore dhe Lindore, klasifikim ky ku hyn edhe Kosova dhe fqinjet e saj, është shënuar një rënie për dallim nga viti i kaluar.
Hungaria ka rrëshqitur nga vendi i lirë, në atë me liri të pjesshme të shtypit. Maqedonia thuhet se ka shënuar ulje të madhe, sikurse edhe Ukraina.
Përmirësimet e vetme të vogla, sipas raportit, janë shënuar në Kosovë, Mal të Zi dhe Gjeorgji.
Për Kosovën është përmendur si përmirësim rënia e trendit të sulmeve ndaj gazetarëve si dhe transparenca më e madhe e pronësisë së mediave.
Ndërkaq, në gjendje më të mirë vlerësohet të jetë liria e shtypit në Bosnjë e Hercegovina me notën 48, ndërsa më lart gjendet Mali i Zi e Serbia të dy këto shtete kanë marrë notën 35.
Freedom House, vendet që i vlerëson nga 0 – 30 i sheh si vende me shtyp të lirë, ato që marrin nota nga 31 – 60 klasifikohen në kategorinë e vendeve me shtyp pjesërisht të lirë, kurse në kategorinë e notimit nga 61 – 100 hyjnë vendet me shtyp jo të lirë.
Në tabelën e radhitjes së vendeve të anketuara, Serbia së bashku me Malin e Zi hyjnë në vendin e 75-të, Kroacia në të 83-tin, Bosnjë e Hercegovina në të 95-in, Kosova në vendin e 97, Shqipëria në vendin e 107 si dhe Maqedonia e fundit në atë të 115-in.
Kosova gjendet në kategorinë e njëjtë me Indonezinë, Nikaraguan, Nigerin, Sierra Leonen, Tanzaninë dhe Lesoton.
Në raportin e ri të grupit pro-demokracisë me seli në SHBA, Freedom House, thuhet se vetëm një në gjashtë njerëz në botë gëzon lirinë e shtypit - përqindja më e ulët në më shumë se një dekadë.
Raporti vjetor ka vlerësuar nivelin e lirisë së mediave të shkruara, atyre elektronike dhe në internet në 197 vende, duke u bazuar në faktorët ligjorë, politikë dhe ekonomikë.
Raporti gjeti se përqindja e njerëzve në botë, që jetojnë në një mjedis të lirë të shtypit ka rënë pak, në 14.5 për qind, që shënon nivelin më të ulët që nga viti 1996, kur grupi nisi të mbledh të dhënat në lidhje me këtë çështje.
Por, në mes të lajmeve shqetësuese, në raport thuhet se ndër zhvillimet më të mëdha në vitin e kaluar ishin "fitoret potenciale me ndikim të gjerë” që erdhën me pranverën arabe.
Në raportin e Freedom House, vendet skandinave janë radhitur sërish të parat për lirinë e shtypit, kurse dhjetë vendet e fundit janë Siria, Kuba, Guinea, Irani, Bjellorusia, Eritrea, Uzbekistani, Turkmenistani dhe Korea Veriore.