E Diel, 1 Nëntor 2026

Freedom House shuplakë Shqipërisë: Korrupsioni në rritje

Shqipëria renditet në vendin 113 ndër 176 vende të botës lidhur me korrupsionin

Freedom-House-LogoOrganizata Freedom House nxorri dje raportin e përvitshëm  për vendet në tranzit, ku vlerësimi i përgjithshëm për Shqipërinë shënon rënie në krahasim me vitin e  kaluar, për shkak të korrupsionit, sistemit të drejtësisë, qeverisjes qendrore dhe asaj lokale. Sipas vlerësimit të organizatës, rezultati i përgjithshëm i Shqipërisë ka rënë, duke shkuar nga 4.14 në 4.25.  Ky klasifikim bëhet me një shkallë nga 1 deri në 7,  ku vlerësimi 1 është më i larti dhe shtatë më i ulëti.
Raporti
Raporti i organizatës së pavarur vëzhguese ndërkombëtare Freedom House 2013, e cilëson Shqipërinë si një vend ku nuk ka përmirësim në luftën kundër korrupsionit pasi mungon vullneti politik dhe përforcimi i institucioneve. Sipas këtij raporti korrupsioni në Shqipëri është i përhapur dhe BE ka kërkuar në mënyrë të përsëritur zbatimin e masave anti-korrupsion. Në indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, të zhvilluar nga kjo organizatë, Shqipëria klasifikohet në vendin e 113 ndër 176 vende të Europës dhe Azisë Qendrore të vëzhguara për këtë fenomen.
Liria e shprehjes
Shqipëria mbetet edhe në këtë raport i cilësuar si një vend pjesërisht i lirë. Lidhur me lirinë e shprehjes raporti vë në dukje që edhe pse atë e garanton Kushtetuta ndërthurja e biznesit të fuqishëm me interesat politike të medias pengon zhvillimin e mediave të pavarura; ato janë të njëanshme, të prirura nga PD ose PS, vëren raporti. Gazetarët, sidomos ata që mbulojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, përballen me presion politik, kërcënime dhe sulme.
Të drejtat e njeriut
Raporti vë në dukje që në Shqipëri Kushtetuta garanton një gjyqësor të pavarur, por gjykatat, që kanë fonde të kufizuara, bëhen objekt i presioneve politike. Institucionet e dobëta shtetërore kanë rritur fuqinë e sindikatave të krimit. Shqipëria është e njohur si një pikë tranzit për kontrabandistët e heroinës dhe vend i rëndësishëm për prodhimin e kanabisit shkruan raporti. Romët përballen me diskriminim në arsim, kujdes shëndetësor, punësim dhe strehim.

Berisha mënjanoi kundërshtarët
Raporti thotë se zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë një provë thelbësore për demokracinë dhe institucionet shqiptare. Në raport thuhet se viti 2012 shënoi një konsolidim të pushtetit nga kryeministri Sali Berisha dhe Partia Demokratike, që sipas Freedom House, mënjanoi nga poste të rëndësishme persona që mendohej të ishin kundërshtarë, duke i zëvendësuar me të emëruarit e vet.
 
Reforma zgjedhore
Raporti vlerëson konsensusin e arritur për reformën zgjedhore, megjithëse thekson se partitë e vogla nuk ishin të përfshira në negociata. Po ashtu aty theksohet se KQZ-ja e re u krijua me propozimet e PS-së dhe PD-së, megjithëse disa afate ligjore u shkelën deri në fund të vitit. Vlerësimi në kategorinë e procesit elektoral mbeti i pandryshuar për vitin 2012.
 
Media
Përsa i takon medias, raporti thotë se liria e shprehjes është e garantuar ligjërisht dhe ushtrohet lirisht në vend, megjithëse në vend mungon kuadri ligjor dhe mekanizmat vetërregulluese. Për vitin 2012 nuk pati përplasje madhore mes autoriteteve dhe gazetarëve, falë mjedisit më të qëndrueshëm politik. Për median vlerësimi i organizatës është 4.

21 janari
Në raport përmenden ngjarjet e vitit 2011 dhe thuhet se kryeministri Berisha sfidoi të drejtat e prokurorisë së përgjithshme për ndalimin e anëtarëve të gardës të akuzuar për rolin në ngjarjet e janarit 2011. Po ashtu përmendet vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi dhe nevoja për mbrojtjen e gjykatësve nga kërcënimet.

Korrupsioni
Korrupsioni ka pasur keqësim nga 5 pikë vitin e kaluar,  në 5.25. Megjithëse përpjekjet kundër korrupsionit janë një prej elementëve kryesor për integrimin në BE, sipas Freedom House,  rezultatet në luftën kundër tij janë të dobëta dhe po shtohen  të dhënat për mosndëshkueshmëri në nivele të larta. Si shembuj në raport përmenden rastet e Ilir Metës dhe falsifikimi i e diplomës së të birit të një politikani italian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›