Freida, mbretëresha e re e Hollivudit
Pavarësisht shifrave për një ekonomi gjithmonë e më në rritje dhe fuqisë së madhe ushtarake, fytyra e Indisë së re sot mund të krahasohet me atë të bukuroshes Freida Pinto. E shfaqur në “Slumdog millionaire”, një yll në filmin e Woody Allen-it, “You will meet a tall dark stranger”, i prezantuar me shumë sukses në Kanë, protagoniste në filmin e Julian Schnabel, “Miral” (ende në fazën e prodhimit), për Freida Pinton “New York Times” ka shkuar se karriera e saj e rrufeshme është e ngjashme me përrallën e Borëbardhës. Mund të thuhet se kjo është pjesërisht e vërtetë, sepse jeta e saj para filmit “Slumdog millionaire” nuk ishte kaq e pafat. Aktorja është lindur dhe rritur në një nga lagjet më të pasura të Mumbait. Prindërit e saj ishin të dy në punë shumë të mira: e ëma drejtoreshë në një shkollë private, ndërsa i ati financier. “Që në moshën 5-vjeçare shpresoja që një ditë të bëhesha aktore, dhe frymëzimi im ka qenë Marlene Dietrich”, tregon me një buzëqeshje të ëmbël. “Sigurisht që më është dashur shumë kohë të gjej rrugën time, por dëshira ka ekzistuar gjithmonë dhe kjo është e rëndësishme. Ime më nuk ka reshtur kurrë së ma kujtuari, fatmirësisht.
Kjo ka qenë vërtet domethënëse”. Iluminimi, në të vërtetë, erdhi në moshën 20-vjeçare, kur Freida u regjistrua në një shkollë arti dhe kinematografie. Në atë kohë u dashurua me kolosët e Hollivudit, sidomos ata të viteve ‘30-‘40. “Nuk mjafton të jesh e bukur, e re dhe të dish të kërcesh vallet indiane. Bollivudi të shtyp. Për të kapur një mundësi, duhet të kesh forcë të jashtëzakonshme dhe një familje që të mbështet fort”, tregon ajo. Pikërisht në këtë kohë Freida ishte duke menduar seriozisht edhe për zgjedhjen për t’u bërë modele. “Isha 20 vjeçe dhe shpresoja të gjeja një mënyrë për të rënë në sy, por kjo nuk ndodhi”. Kopertinat e revistave nuk po “vinin”, ndërsa agjencitë e modës zgjidhnin modele gjithmonë e më të dobëta. “E vetmja gjë që m’u ofrua në botën e spektaklit ishte një punë si prezantuese”. Në moshën 24-vjeçare, Freida e pa veten në prag të dështimit. Ishte viti 2008, viti i “Slumdog millionaire”. Drejtori që do të merrej me përzgjedhjen e aktorëve telefoni edhe në agjencinë ku një vit më para kisha lënë një CV. Nuk më kishin marrë kurrë në telefon dhe nuk kisha asnjë shpresë”. Dany Boyle, regjisori i atij që do të bëhej një nga sukseset më të mëdha në historinë e kinemasë, kërkonte aktorë që të përmbushnin gjithë aspiratat e tij. Gjashtë muaj pas audicionit erdhi telefonata që do t’i ndryshonte jetën. “Isha në supermarket. Në fillim mendova se bëhej fjalë për një shaka. Kisha frikë se filmi do të ishte shumë komercial, por pas tetë çmimeve ‘Oscar’ e kuptova se kisha punuar në një film që kishte bërë histori. Askush më mirë se filmi i Boyle nuk tregon për plagët e Indisë bashkëkohore”. Prej një viti e gjysmë Freida është vajza 1 milion dollarëshe e Hollivudit, që po pëlqehet gjithmonë e më shumë. Shembulli më i goditur i botës amerikane që shoqëron lindjen e një ylli është kopertina e famshme e “Vanity fair”, ku ajo del e veshur si një nga ato femrat e viteve ‘50, me një bust të kuq, pantallona të verdha, taka të larta dhe hartën e botës në dorë, ku duket India e saj e dashur. As titulli i “Los Angeles Time”, që e përshkruan si aktoren indiane më perëndimore mbi tokë, duket se nuk e ka bezdisur aspak.
“Perëndimi është shumë autoreferencial në përzgjedhjen e gjërave. Por kaosi i qyteteve të mëdha amerikane është gjithmonë e më i ngjashëm me atë tonin në Mumbai, me ndryshimin që ne po organizohemi”. Megjithatë, lagjet e varfra mbeten një nga sfidat e mëdha të vendit. “Në Mumbai ato lulëzojnë pas grataçelave dhe nuk duhet të harrojmë që popullsia sot është katër herë më e madhe se ajo e SHBA. Problemet janë në përpjesëtim të drejtë me shifrat”. Me pak fjalë, lagje të tilla ekzistojnë edhe në Perëndim, vetëm se janë më të vogla dhe më të fshehura. Prej dy vjetësh Freida gjendet në të gjitha evenimentet më të rëndësishme të botës së modës dhe spektaklit. Në rresht të parë në pasarelat e Milanos dhe Parisit, në faqen e parë të “Vogue”, “Cosmopolitan” dhe “Harper’s”, apo pjesë e pandarë e kontratave të firmave të mëdha kozmetike. Karriera e Freida-s sapo ka nisur. Pas “Slumdog” atë e presin projekte të tjera akoma edhe më ambicioze. “Nuk mund të pretendoja më shumë. Menjëherë pas ‘Slumdog’ mora ofertën për të punuar me Woody Allen dhe Julian Schnabel. Dy vizionarë të kinemasë, me një pasion thuajse identik për xhirimin”. Filmi i shumëpritur i Schanbel është frymëzuar nga “Rruga e luleve të Mirall”, libër i Rula Jebreal (ku tregohet një ngjarje e ndodhur në Palestinë”). “Më pëlqeu menjëherë skenari i filmit. Të punosh me Schnabel është një eksperiencë që nuk mund ta provosh shpesh në jetë”, tregon bukuroshja indiane. Në filmin tjetër, atë të Allen-it, do të ketë përkrah emra të tillë si Anthony Hopkins, Naomi Watts dhe Antonio Banderas. Ai është një histori dashurish të pamundura. “Allen është regjisori i femrave. Filmat e tij janë gjithmonë studime për universin femëror. Askush nuk e paraqet si ai imazhin e femrës bashkëkohore”. Pas Mia Farrow, Diane Keaton, Mia Sorvino dhe Penelope Cruz, deri te Scarlett Johansson, tani edhe Freida zë një vend të rëndësishëm në galerinë e muzave të regjisorit. “Shpirti i grave është i njëjti kudo. Unë me punën time synoj t’i bëj botës të njohur ndjeshmërinë indiane”, përfundon ajo.
#