Fustanet, kur femrat duken si kukulla
Margarita, zambakë, trëndafila, jasmina apo lulëkuqe. E gjithë kjo verë nuk mund të ketë kuptim pa to. Antistres, kundër ankthit dhe antidot i depresionit. Ngjyrat të bëjnë mirë dhe ndikojnë pozitivisht mbi humorin dhe psikikën njerëzore. Këto janë fjalët e psikologëve, por edhe stilistëve të mëdhenj. Fustanet e zonjave dhe zonjushave këtë sezon duhet të kenë patjetër lule, ngjyra, fjongo dhe dekolte shumë të ekzagjeruar. Me pak fjalë, një stil kukullash, plot elegancë dhe sharm. Lule dhe ngjyra gjithandej, sipas asaj që propozojnë mbretërit e modës: Cavalli, Moschino, Kenzo, Diane von Furstenberg, Valentino, Rochas, Sarli, Gattinoni, Ferrè, Riva, Ferrera. Fustane të thjeshtë, të realizuar me basmë për në punë dhe mëndafsh për mbrëmje, por në të dyja rastet plot ëmbëlsi dhe elegancë. I gjatë, i shkurtër, mbi gju, apo nën gju, nuk ka femër që në gardërobën e saj nuk ka një fustan. Por edhe pse tendencat ndryshojë nga një sezon në tjetrin, i pavdekshmi i mbrëmjeve ngelet fustani i zi. Kur më 1926-n stilistja transgresive, Koko Shanel, e prezantoi, nuk pritej që edhe pas më shumë se 80 vjetësh do të ishte akoma një simbol. Në të vërtetë, kështu ndodhi: fustani i shkurtër i zi, pa mëngë, i gjatë vetëm 70 cm, i realizuar në ngjyrën që në atë kohë përdorej ekskluzivisht për funeralet, mbijetoi mbi gjithçka. Edhe pse Shanel e kishte krijuar për t‘i treguar botës se ishte në zi për vdekjen e të dashurit të saj, fustani zi i puthitur pas trupit shfaqet sot në dhjetëra pasarela nga Milano në Nju-Jork, nga Parisi në Londër. është më shumë në modë se kurrë më parë. Madje, nga faqet e një reviste të famshme mode amerikane pranohet se gratë tregojnë që fustani më i bukur që ato kanë në gardërobë është pikërisht fustani i zi i puthitur pas trupit. Ai është simbol historik i elegancës, për të cilin dhjetëvjeçarë pas dhjetëvjeçari janë matur dizajnuesit më të mëdhenj të planetit nga Yves Saint Laurent te Balenciaga, nga Jil Sander deri te Miuccia Prada. Sepse pikërisht për thjeshtësinë që e karakterizon, fustani më i famshëm në botë është një nga veshjet më të vështira për t‘u krijuar në mënyrë të përshtatshme. Ndoshta është pikërisht për këtë që, pavarësisht modës dhe tendencave, vazhdon të jetë në majë të klasifikimit si në kohërat kur gratë filluan ta vishnin edhe në mbrëmjet e veçanta, përveçse në funerale dhe kur shumë revista të specializuara mode i kushtonin faqe të tëra. "Number one" dhe i pavdekshëm, ai është më i dashuri i të gjitha kohërave. Kështu tregon një sondazh anglez, ku 75 për qind e grave zgjedhin "little black dress", apo LBD siç i thonë shkurt anglosaksonët. është fustani më i rëndësishëm në historinë e veshjeve, atë që duhet ta kesh patjetër në gardërobën tënde shik. I hyrë në histori si ikonë, fustani ishte krijuar nga stilisti i famshëm Hubert de Givenchy. Modeli i fustanit që doli në ankand në Londër, në dhjetor të vitit 2006, për 410 mijë sterlina, në dyqanin ku u zhvilluan edhe xhirimet e filmit, pëlqehet mjaft edhe nga meshkujt. Shumica e burrave të pyetur preferojnë që në mbrëmjet shik, gratë, të fejuarat, shoqet dhe mikeshat të veshin një fustan të tillë. Ndoshta i shoqëruar me një palë perla, ndoshta edhe i pashoqëruar me dorashka. Por fustani i zi klasik, i puthitur pas trupit, nuk është i vetmi që nuk vdes kurrë. Në të vërtetë, veshjet simbol, duke nisur që nga pantallonat, fustanet, këmishët dhe aksesorët që mund të ruash në dollap pa pasur frikë se mund të dukesh qesharake kur t‘i veshësh, janë vërtet shumë. Ja disa nga veshjet që nuk dalin kurrë nga moda dhe janë më të preferuarat e të gjitha kohërave. Në vend të dytë, sipas klasifikimit, renditen xhinset, të konsideruara si të domosdoshme dhe të pandashme për të gjithë brezat pa dallim seksi apo moshe. Më shumë se gjysma e femrave të intervistuara tregojnë se nuk mund të bëjnë dot pa to. Në vend të tretë pozicionohet Wonderbra, reçipetat e "mrekullive", të hedhura në treg 17 vjet më parë, për të nxjerrë më në pah dekoltetë në një fushatë publicitare ku modelja Eva Herzigova thoshte: "Më shiko në sy... të thashë në sy". Në vendin e katërt është minifundi i krijuar nga Mary Quant në vitet ‘60. Minifundi ndiqet nga çizmet kauboj të gjata sipër gjurit dhe takat e holla gozhdë që nuk dalin kurrë nga moda. Në fund, zhartjerët, të shfaqura që nga 1986-a për të ndezur dëshirat erotike të meshkujve. Më pas lista vazhdon edhe për veshjet me më pak histori, por shumë të rëndësishme për t‘i pasur në gardërobë: si për shembull e famshmja këmishë e bardhë me prerje mashkullore, prezantuar në fillimet e saj nga Katherine Hepburn dhe e ripropozuar nga dhjetëra stilistë, mes të cilëve edhe Gianfranco Ferre dhe Ralph Lauren. Edhe vargu i perlave, të vërteta apo false, siç predikonte "Chanel", dhe gjithashtu "Kelly", çanta e ideuar nga Hermes, për t‘i bërë homazh Grace Kelly-t, edhe sot e pamundur për shkak të rekordit të shitjeve. Veshje që pëlqehen, sepse nuk njohin kufij mes brezash, sepse mund t‘i veshësh edhe kur je 18 vjeç, por edhe kur je 70. Përgjatë viteve i kemi parë të vishen nga femrat më të famshme në botë, që nga mbrëmjet elegante e deri në plazhin e St.Tropesë. "Janë dhe do të jenë gjithë kohës në modë, sepse janë veshje që nuk vdesin kurrë. Mund të vazhdojnë të përdoren, mjafton që të dish t‘i përziesh me veshje më bashkëkohore dhe t‘i bësh aktuale me pjesë të reja", tregon stilisti i mirënjohur, Roberto Cavalli. Ndonjë shembull? "Që perlat mund t‘i vësh edhe me një veshje sportive, këmishën e bardhë po ashtu mund ta veshësh dhe nëpër mbrëmje, mjafton që të jetë material i mëndafshtë, ndërsa këpucët e larta mund t‘i veshësh edhe me xhinse. Kjo është pikërisht ajo që unë dua të bëj në koleksionet e mia. Të përziej çdo gjë, mjafton që të duken bukur", thotë Cavalli.
#