Plot 215 mln fëmijë punojnë në vende të rrezikshme
Mbi 215 milionë fëmijë, rezultojnë të jenë punëtorë me orare të tejzgjatura në vende pune të rrezikshme, siç është detyrimi skllavërues, puna pa dëshirë ose e detyruar, trafikimi, bujkrobëria, prostituimi, pornografia, si edhe rekrutimi i detyruar në konflikte të armatosura. Në Ditën Botërore kundër Punës së Fëmijëve, drejtori i ILO-s, Juan Somavia, kërkoi që deri në fund të vitit 2016 t’u japin fund punëve të rrezikshme që kryejnë fëmijët, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë globin. Nga inspektimet e kryera gjatë punës për realizimin e këtij raporti, është evidentuar një rritje e numrit të fëmijëve, që punojnë në sektorë të rrezikshëm me 20 për qind. Grupmosha e tyre është përkatësisht 15-17 vjeç. Por edhe pse përqindja e këtyre të rinjve është në rritje, në raport theksohet se grupmosha e fëmijëve nga 5-14 vjeç ka rënë me 10 për qind. Sipas drejtorit, ajo që është edhe më pozitive është se 31 për qind e fëmijëve të kësaj moshe nuk kryejnë më punë, që do të përbënin rrezik për jetën e tyre. Por vendosja e një limiti prej 6 vjetësh për të hequr një mori kaq të madhe fëmijësh nga rruga apo nga sektorë të tjerë të rrezikshëm është e vështirë. Për më tepër kur shumë vende të botës po përballen me një krizë ekonomike që ka goditur më fort shtresën më të varfër të shoqërisë tonë. Për sa kohë situata në vend do të paraqitet e tillë, fëmijët gjejnë si rrugëzgjidhjen e vetme për të mbijetuar të punuarit që në moshë të vogël, por mbi të gjitha në sektorë të rrezikshëm. Kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së vendeve të punës, por edhe si pamundësi e prindërve për t’u plotësuar të gjitha kushtet fëmijëve, pa i “detyruar” ata të punojnë që në moshë të vogël. Në raport theksohet se disa nga format që do të ndihmonte në largimin e këtyre fëmijëve nga rruga është përfshirja e tyre në arsimin cilësor. E megjithatë, në të nuk lihen pa përmendur edhe disa faktorë të tjerë, si zgjerimi i mbrojtjes sociale që ofron mbështetje për familjet e tyre, dhe krijimi i vendeve të punës për të rriturit.
#