E Diel, 1 Nëntor 2026

Frenimi i huas, kreditë e këqija arritën 20.1%

Godina e Bankës së Shqipërisë

Frenimi i kreditimit nga ana e bankave e ka bërë më të dukshme rritjen e kredive të këqija, të cilat në muajin mars arritën 20.1 për qind. Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e Bankave, në raportet e tyre respektive shfaqin edhe tendencat në sektorin bankar në fund të tremujorit të parë të këtij viti. Pavarësisht këtij niveli të kredive të këqija, sektori bankar ka ruajtur vlerë të qëndrueshme përfitimi. Kreditë me probleme arritën në fund të marsit në 20.1 për qind, ndikuar jo vetëm nga ngadalësimi i dukshëm i ritmeve të rritjes së kredisë, por edhe nga ecuria e dobët e aktivitetit ekonomik në vend. Me gjithë përkeqësimin e këtij raporti, treguesit e përfitueshmërisë së bankave individuale, raportuar sipas standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit, për pjesën më të madhe të bankave, paraqiten të qëndrueshëm dhe më të lartë se nivelet e të njëjtit tremujor të një viti më parë, vlerëson Shoqata e Bankave. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë, në raportin e saj statistikor, detajon edhe më mënyrën se si është e ndarë huadhënia nënstandarde dhe se sa prej saj është e provigjonuar. Kështu, huaja nënstandarde vlerësohet se në muajin mars arriti 9.9 për qind, kurse huaja e dyshimtë, 4.07 për qind. Më i lartë është ritmi i rritjes së huave të humbura, të cilat nga 5.67 për qind, që ishin në tremujorin e katër të vitit 2011, për këtë tremujor të parë të 2012-s kanë arritur 6.1 për qind e totalit. Sipas Bankës së Shqipërisë, nga totali 20.1 për qind të kredive të këqija, 11.39 për qind e tyre janë të mbuluara me provigjone. Edhe këto të fundit kanë pësuar rritje krahasuar me një tremujor më parë. Në fund të vitit të kaluar provigjonet ishin 10.77 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›