E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH nis eksportin e energjise

Gjatë dy javëve të fundit të muajit maj Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka nisur eksportin e energjisë elektrike. Gjatë kësaj periudhe nga eksporti drejt vendeve të rajonit të energjisë në arkën e KESH janë derdhur 5,1 milionë euro. Burime nga kjo koorporatë bëjnë me dije se çmimi i shitjes së energjisë varion nga 57 euro deri në 66 euro për megavat në orë dhe që prej fillimit të eksportit drejt rajonit tranzitohen 6 milionë kilovatë orë në ditë. Gjithashtu KESH bën me dije se situata hidrike në vend është e kënaqshme falë reshjeve të ashumta të shiut në javët e fundit, të cilat kanë ndikuar në rritjen e nivelit të uljit në liqene. Ndërkohë që ka garantuar se falë rezervave energjitike do të ketë një furnizim 24 orë në ditë me energji gjatë gjithë stinës së verës.

Aktualisht, KESH ka një rezervë energjetike rreth 1.4 miliard kilovat/orë, e cila sipas Korporatës garanton një verë të qetë. Nga të dhënat e KESH mësohet se aktualisht nuk prodhohet me kapacitet të plotë sepse nuk ka një konsum të madh. Konsumi ditor arrin në 17 milionë kilovat/orë në ditë dhe vet Korporata po prodhon më shumë se 8 milionë kv/orë energji në ditë.

Nëse KESH do të vazhdojë të eksportojë në të njëjtat sasi dhe me çmim të njëjtë, të ardhurat në arkë do të llogaritën në 10.2 mln euro në muaj. Ndërkohë që KESH duhet t’i kthejë qeverisë huanë, përqindjet dhe principalin që ka marrë në muajt e ftohtë të dimrit.

Ndërkohë nga ana e saj kompania CEZ-Shpërndarje këshillon se energjia elektrike mund të kursehet, në qoftë se qytetarët përdorin me kujdes pajisjet elektroshtëpiake. Kompania e furnizimit me energji elektrike ka nisur një fushatë për të ndërgjegjësuar konsumatorët që të harxhojnë më pak energji.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›