E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahija: Me ndihmën e BE ndryshuam ligjet tatimore

Sekui e Spahija gjatë ceremonisë së djeshme

BE, mbyllet projekti 2.5 milionë euro për tatimet. Zgjati dy vjet.

Sekui: Modernizimi i shërben luftës kundër korrupsionit.

Janë një sërë ligjesh të rëndësishme, të cilat janë përafruar sipas direktivave të BE-së dhe kjo falë projektit 2.5 milionë eurosh që përfundoi pak ditë më parë. Administrata tatimore përgjatë dy viteve pati asistencën për të hartuar një sërë draft-ligjesh të rëndësishme të përshtatura sipas praktikave më të mira europiane. Në një ceremoni të zhvilluar ditën e djeshme në praninë e ambasadorit të delegacionit të BE-së në Tiranë, Etore Sekui, zëvendësministrit të Financave, Nezir Haldeda, drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Gazmir Spahija, janë vlerësuar edhe kontributet e këtij projekti. Në fjalën e tij, kreu i Tatimeve, Spahija, detajoi se janë një sërë ligjesh si ai për TVSH-në, ai për të ardhurat personale, ai i akcizave, i cili tanimë është detyrim i doganave, që janë përafruar falë ekspertizës së Agjencisë Tatimore Suedeze dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Financave Publike Franceze. Por, projekti, përveçse në përafrimin ligjor, u shtri edhe në trajnimin e administratës si dhe modernizimin e sistemit fiskal në aspektin e teknologjisë së informacionit, duke e bërë më eficent dhe transparent atë. Intensifikimi i punës për të luftuar informalitetin, identifikuar dhe ndëshkuar evazionin tatimor, shfaqjet abuzive dhe korruptive në radhët e administratës, përmirësimi i shërbimit ndaj tatimpaguesve për të mbështetur pajtueshmërinë vullnetare të detyrimeve ligjore, duke ulur kostot e tatimpaguesve dhe të administratës, nëpërmjet thjeshtimit të procedurave dhe aplikimit të teknologjisë bashkëkohore, do ta afrojnë administratën tonë më shpejt me administratat tatimore të vendeve të BE-së, tha Spahija në fjalën e tij. Të njëjtin aspekt ka vlerësuar edhe shefi i delegacionit të BE-së në Shqipëri, Etore Sekui, në fjalën e tij përshëndetëse, duke i mëshuar faktit që modernizimi i sistemit fiskal ndikon në luftën kundër korrupsionit, si dhe në një shërbim më të mirë ndaj tatimpaguesve. Procedurat më transparente dhe efikase u shërbejnë bizneseve dhe qytetarëve, të cilët paguajnë me korrektesë tatimet e tyre me pritshmërinë legjitime për të marrë shërbime publike në këmbim. Modernizimi i sistemit fiskal të Shqipërisë është gjithashtu i rëndësishëm për luftën kundër korrupsionit, për barazimin e kushteve për bizneset dhe për të siguruar konkurrencë të ndershme, tha Sekui. Projekti i binjakëzimit, që filloi në mars të 2010-s, zgjati më shumë se dy vjet dhe ka konsistuar në asistimin e Tatimeve në kuadër të programit IPA 2007. Në thelb, projekti me vlerë totale 2.5 milionë euro kishte si qëllim mbështetjen e Drejtorisë së Tatimeve në lidhje me përqasjen e kuadrit ligjor dhe procedurave me standardet e BE-së.

Asistenca për ligjet
. Drafti i projekt-ligjit Për tatimin mbi vlerën e shtuar, i konceptuar dhe hartuar në përputhje me direktivën.

. Draft-ligji i akcizave, i hartuar me asistencën e projektit në bashkëpunim me specialistët e doganave.

. Janë dhënë sugjerime mbi draftligjin e tatimit mbi të ardhurat personale, të hartuar nga Ministria e Financave.

. Janë hartuar sipas standardeve të BE-së direktivat e shkrirjes dhe bashkimit të kompanive, me synim plotësimin e ligjit shqiptar.

. Është hartuar direktiva e kursimeve, direktiva mëmë-bijë, ajo e interesit dhe të drejtave të autorit, si dhe direktiva e shkëmbimit të informacionit.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›