Frenk Lampard paralajmëron Mançesterin
Mesfushori i Çelsit mendon se "djajtë" nuk mund të humbasin më asnjë ndeshje, nëse duan ta mbrojnë "kurorën"
Frenk Lampard "i ka hedhur dorashkën" Mançester Junajtedit, duke thënë se kampionët aktualë të Anglisë (Mançesteri) nuk e kanë luksin të humbasin më ndeshje, nëse dëshirojnë të mbrojnë kurorën. Çelsi gjendet tetë pikë përpara skuadrës së Sër Aleks Fergusonit, pas fitores 2 0 ndaj Blekbërnit, në fushën e këtij të fundit, kurse Mançester Junajtedi u mund këtë fundjavë nga Arsenali. Junajtedi ka një ndeshje më pak, por Lampard mendon se të mbash ritmin me kryesuesit është më e vështirë sesa të kryesosh, duke shtuar: "Kemi një diferencë të mirë pikësh me Junajtedin. Kampionati do shumë që të mbarojë, por vitet e fundit situata ka qenë e kundërta. Ne kemi qenë pesë pikë pas tyre dhe e dimë se nuk është e lehtë të kapësh kryesuesin. Kur je në ndjekje të skuadrës kryesuese, nuk e ke luksin të humbasësh asnjë ndeshje. Sigurisht që është më e lehtë të caktosh ritmin për të tjerët sesa të ndjekësh ritmin e të tjerëve, pasi pikët të japin siguri," - tha Lampard. Fitorja e Çelsit në ato kushte të vështira atmosferike, në stadiumin e Blekbërnit, tregoi edhe një herë se skuadra e Luiz Felipe Skolarit ka taban të fortë. Lampardi këmbëngul se pikët e marra në Blekbërn ishin shumë të rëndësishme, sepse i vënë nën presion skuadrat ndjekëse, veçanërisht Junajtedin dhe Arsenalin. Ai shtoi: "Duhet të kemi parasysh se Liverpuli ka po aq pikë sa ne, por Junajtedi dhe Arsenali, dy rivalë të mëdhenj dhe pretendentë për titull, janë disa pikë pas nesh. Nuk është e lehtë të ndjekësh kreun,presioni rritet me çdo pikë që lë rrugës, pasi pikët e lëna të zbresin në renditje. Por as e kundërta nuk është e lehtë, pasi nuk është e lehtë të fitosh kundër këtyre ekipeve. Vjet ne u treguam të kujdesshëm për të mos lënë pikë dhe u ngritëm në renditje. Por në fund e humbëm kampionatin vetëm për dy pikë, kështu që ndihemi mirë në krye," - tha ai. Ndërkohë, kapiteni i Çelsit, Xhon Terri, pati fjalët më të mira për sulmuesin Nikolas Anelka, i cili ka mbushur hapësirën e krijuar nga Didier Drogba. Sulmuesi i Bregut të Fildishtë, i zakonshëm në formacionin e Hose Murinnjos dhe Avram Grantit, është i dëmtuar në gju dhe nuk ishte në transfertën e Blekbërnit, edhe pse luajti si zëvendësues javën që shkoi në ndeshjen e humbur kundër Romës. Anelka shënoi të dy golat në "Ewood Park", në stadiumin e Blekbërnit, duke u bërë golashënuesi më i mirë i ligës angleze deri tani me tetë gola. Terri tha këto fjalë për shokun e tij të skuadrës: "Eshtë treguar brilant në momente vendimtare. Kemi një sulmues të madh jashtë fushës për momentin, Didier Drgoban, por vendin e tij e ka zënë Anelka, duke u treguar fantastik që prej javës së parë. Shpresoj të vazhdojë kështu dhe të shënojë sa më shumë gola për ne," - përfundoi kapiteni i Çelsit.