I vetmi renegat fisnik që i ktheu shpinën sulltanit
Më 10 janar të vitit 1454 dy diplomatët milanezë Sceva de Curte dhe Jacobo Trivulzio i shkruajnë zotërisë së tyre, dukës Francesco Sforza të Milanos, për pritjen që i kishte bërë papa Nikollë V një bajlozi të Skënderbeut. Kjo ndodhi pak më shumë se gjysmë viti pas rënies së Kostantinopojës, kur krejt Italia ishte si në ethe dhe fuqitë që si zakonisht veç grindeshin me njëra-tjerën tani po punonin për një “ligë italiane”, e cila u realizua me të vërtetë në paqen e Lodit po atë vit. E pra në këto rrethana erdhi përpara papës i dërguari i Skënderbeut dhe njoftoi se “për arsye të urrejtjes personale që ai (Skënderbeu, O.S.) ushqen kundër Turkut, meqë ky Turk ka vrarë babanë e zotërisë, ky zotëri (Skënderbeu, O.S.) ka vënë të vrasin një vëlla të Turkut (Mehmeti II, O.S.)” Kështu zgjidhet edhe rebusi, shpjegohet mosbesimi i sulltanit, kryengritja e Skënderbeut.
Ivan Kastrioti pra, më 2 maj 1437 nuk pati vdekur nga një vdekje e natyrshme, por ishte vrarë me urdhër të Muratit II. SI shkak mund të hamendet që urëtrazuesi i vjetër do të kishte përgatitur ndonjë rebelim të ri, e me të vërtetë ai vazhdonte të mbante lidhje të ngushta me Venedikun, kishte kërkuar gjithashtu të drejtën e qytetarisë venedike për të bijtë Stanishta dhe Gjergj, këtë qytetari e kishte kërkuar edhe në Raguzë.
Shkëputur nga “Skënderbeu”