Kongoli prezanton Tufën
Dy autorë shqiptarë, kampionë të dy brezave të ndryshëm në letërsinë e sotme shqipe, janë duke përfaqësuar Shqipërinë në “Belles étrangères”, 8-22 nëntor 2008 në Francë. Është Fatos Kongoli që shoqëron Agron Tufën në prezantim e parë që ka ky i fundit, letërsia e tij me botën frankofone. Dhe qëllimi i “Të bukurve të huaj” që kur është themeluar më 1987, ky mbetet.
Ka mbërritur në edicionin e 20-të ky institucion letrar, i organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit, Ministria e Kulturës dhe e Komunikimit, që ka për synim njohjen, zbulimin e letërsisë së huaj apo letërsive pak të njohura në Francë. Politika që ai ndjek është për mbështetjen e përkthimit të veprave dhe këtyre autorëve të panjohur, për botimin dhe shpërndarjen e tyre, mision i marrë përsipër nga Qendra Kombëtare e Librit.
Në përvjetorin e njëzetë Qendra ka pritur njëzet shkrimtarë nga dhjetë vende: Shqipëria, Austria, Kanadaja, Koreja, Egjypti, Guatemala, Zelanda e Re, Polonia, Portugalia dhe Turqia.
Dy shkrimtarë paraqesin letërsinë e secilit vend: shkrimtari që është ftuar në edicionin paraardhës zgjedh që të shoqërojë një shkrimtar vepra e të cilit nuk është përkthyer akoma në frëngjisht ose është në proces përkthimi.
Një ditë pas mbërritjes në Francë, Kongoli, të cilit sapo i është botuar vepra më e re në gjuhën frënge “Jetë në kuti shkrepsesh”, dhe Agron Tufa i cili do të paraqitet me “Fabula rasa” e përkthyer nga Edmond Tupja dhe Anne-Marie Autissiere, prezantimin e parë e bënë në Arles. Në bashkëpunim me Kolegjin Evropian të Përkthyesve, aty u bë dhe inaugurimi i aktivitetit “Les Belles Etrangeres”. Po atë pasdite u mbajt seminari mbi përkthimin e letërsisë shqipe, ku Kongoli, Tufa dhe Autissiere ishin në panel para përkthyesve të ndryshëm, të shqipes dhe të gjuhëve të tjera. Aty u bë prezantimi i dy autorëve, i romanit të Tufës “Fabula rasa”. U fol gjithashtu për gjuhën dhe instrumentet me të cilat shkrimtari operon me gjuhën.
Dje Kongoli dhe Tufa kanë vijuar itinerarin në Paris, ku shoqata “Të lexosh do të thotë të jetosh”, ka organizuar takimin në bibliotekën “Toni Morrison”. Autorët shqiptarë kanë bërë lexime nga veprat e tyre. Në ditët e ardhshme, deri më 21 nëntor, kjo njohje me letërsinë vazhdon në disa qytete të tjera të vendit.
Në “Belles étrangères” Evropa përfaqësohet me Shqipërinë siç u tha nëpërmjet Fatos Kongolit i shoqëruar nga Agron Tufa; me Austrinë nëpërmjët Josef Ëinkler i shoqëruar nga Rosemarie Poiarkov; me Poloninë nëpërmjet Hanna Krall e shoqëruar nga Mariusz Szczygiel dhe me Portugalinë nëpërmjet Lidia Jorge e shoqëruar nga Gonçalo M. Tavares; Azia përfaqësohet me Korenë nëpërmjet Ko Un në shoqërinë e Chôn Myônggëan; me Turqinë nëpërmjet Enis Batur në shoqërinë e Yigit Bener; kontinenti afrikan paraqitete me Egjyptin nëpërmjet Gamal Ghitany-it në shoqërinë e Ahmed Abo Khnegar-it; kontinenti amerikan me Kanadanë dhe Amerikën e Veriut nëpërmjet Neil Bissoondath, Zoe Ëhittall, dhe Guatemala për Amerikën Qendrore me Rodrigo Rey Rosa i shoqëruar nga Alan Mills; dhe në fund Oqeania paraqitet me Zelandën e Re nëpërmjet Jenny Bornholdt dhe Gregory O’Brien.
Ky është një prezantim i gjuhëve dhe një antologji do të përmbledhë 10 tekstet e autorëve që priten të “zbulohen” të paraqitur nga shkrimtarët e “afrimuar” tashmë. Antologji është tashmë në duart e shkrimtaëve që po marrin pjesë tek “Të huajt e bukur”.