Frenohet Tirana, Vllaznia vazhdon ngjitjen
Vllaznia vazhdon të shfaqet si skuadra më në formë e kampionatit. Kuqeblutë kanë vazhduar ecurinë e jashtëzakonshme me trajnerin Mirel Josa, duke marrë tri pikë me peshë në transfertën e vështirë të luajtur dje në Laç. Shkodranët fituan me rezultatin 0-1, ndërsa takimi është vendosur nga goli i 22-vjeçarit Olsi Gocaj, në minutën e 70. Edhe pse gjatë gjithë kohës është përballur me presionin e fort të kurbinasve, të cilët kanë kërkuar vazhdimisht golin, Vllaznia u shfaq e rreshtuar mjaft mirë në fushë dhe pragmatiste në lojën e saj. Me triumfin e djeshëm, ata ngjiten në vendin e katërt në klasifikim, në kuotën e 24 pikëve (aq sa ka edhe Tirana e vendit të tretë). Edhe në këtë sfidë, mbrojtja u konfirmua si pika më e fortë e të besuarve të Josës. Në pesë javët e fundit të kampionatit, kuqeblutë kanë regjistruar katër fitore dhe një barazim. Një tjetër fakt shumë i rëndësishëm është se skuadra vazhdon të mos pësojë gol prej tetë ndeshjesh radhazi, e përkthyer në gjuhën e shifrave plot 720 minuta, duke llogaritur këtu edhe tre sfidat e luajtura në Kupën e Shqipërisë (me Tërbunin dhe dy ndeshjeve me Elbasanin në fazën e 1/8-ve). Në anën tjetër, ndeshja e djeshme vazhdon të komplikojë pozitat e Laçit: skuadra e Stavri Nicës ka rrëshqitur në vendin e tetë në tabelë, duke ndier kërcënimin e zonës “play-out”.
Tirana vuan në Ballsh, por arrin të mos kthehet duarbosh. Bardheblutë kanë marrë një pikë në minutat shtesë të ndeshjes përballë Bylisit. Vendasit kishin gjetur avantazhin në minutën e 48 me golin e shënuar nga Popoviç, por në të 94-ën, Lilaj e dërgon topin në rrjetë, duke barazuar rezultatin. Një pikë e rëndësishme kjo për skuadrën e Nevil Dedes, që megjithëse humbet vendin e katërt në klasifikimin e Superiores, ruan ecurinë pozitive, pas fitoreve të dy javëve të mëparshme. Gjithsesi, asnjë prej skuadrave nuk ka mbetur e kënaqur nga barazimi, ndërsa në konferencat pas ndeshjes, të dy trajnerët kontestuan gjykimin. Drejtuesi i stolit bardheblu, Nevil Dede, ishte mjaft i ashpër: “Gjykimi në këtë ndeshje ishte skandaloz. Tashmë u bë një periudhë që arbitrat vazhdojnë të ndikojnë me vendimet e tyre dhe po na masakrojnë. Personalisht mendoj se kështu nuk mund të vazhdohet më, me një gjykim amatorësh”. Natyrshëm i hidhëruar ishte edhe Nikolla Ilievski, që vetëm në sekondat e fundit pa skuadrën e tij të frenohej. Trajneri i mallakastriotëve deklaroi: “Mund të them se humbëm dy pikë për faj të gjyqtarit, që pa asnjë arsye akordoi gjashtë minuta shtesë në fundin e lojës. Megjithatë, dua të theksoj se edhe skuadra ime u tregua mjaft naive, duke bërë një gafë që nuk arriti të administronte avantazhin deri në fërshëllimën finale”.
Në ndeshjen e fundit të zhvilluar mesditën e djeshme, Kastrioti fitoi pa vështirësi përballë Elbasanit. Takimi i luajtur në Krujë përfundoi me rezultatin 3-1 për të besuarit e Ramazan Ndreut, pavarësisht se titullarët e Elbasanit vendosën të paraqiteshin në fushën e lojës, pas premtimeve për zgjidhjen e problemeve financiare. Rrjetat e triumfit të Kastriotit mbajnë firmat e Alikajt, Alvizh e Babiç, ndërsa goli i Endri Dalipit për miqtë ishte thjesht për statistikë.