Boatinjoviç!!! Milani nuk ndalet më
Po tani kush do t’i ndalë? Pas 3-0 ndaj Breshias ja dhe 3-0 ndaj Bolonjës. Praktikisht fotokopje, sepse gola e Milanit i firmosin me të njëjtën rregullsi të një jave më parë, Boateng, Robinjo e Ibrahimoviç, ky i fundit autor i asisit (të shtatë) për ganezin. Lavdi për Abbiatin, që në ‘78 priti një penallti të Di Vaios. Milan mban kreun, i gatshëm për t’u arratisur. Alberto Malesani kishte karikuar skuadrën e tij që vinte pas dy fitoresh dhe kërkonte një mrekulli tjetër dje. Përballon Milanin me kurajo dhe vë talentin Ramirez në shërbim të Di Vaios. Alegri dëshiron dinamizëm dhe vetëm Boateng i garanton shpejtësi pas shpatullave të Robinjos dhe Ibrës. Kështu që lë Sedorfin në pankinë nën shoqërinë e Ronaldinjos. Bonera zëvendëson Thiago Silvan. Bolonja nuk trembet përballë Everestit dhe pas një faze studimi paralajmëron Milanin. Në minutën e 4-t Ramirez eviton Gatuzon dhe shënjestron portën, por Abiati grushton fluturimthi. Që nga ai moment ekziston vetëm Milani. Kuqezinjtë qarkullojnë topin dhe nisin papritur sulme vrasëse me treshen Ibra-Boateng-Robinjo. Ideja e Alegrit është e vlerësueshme. Bolonja nuk ka asnjë faj dhe ndoshta Malezani gabon duke lënë Di Vaion sulmues të vetëm. Kapiteni e mban repartin i vetëm, por nuk mund të bëjë asgjë përballë mbrojtjes së organizuar të Milanit. Si me Breshian, Ibrahimoviç shpik nga e majta një asist: Boateng e godet me të majtën dhe mposht Vivianon. Një gol që boks do të quhej “Knock-down”. Bolonja përpiqet të bëjë bashkë copat, por pëson presingun e kuqezinjve. Milani është spektakolar dhe në 35' dyfishon falë treshes së saj. Gjeneza është identike: Ibra pason për Boateng, i cili fton Robinjon në limite, që lëshon një gjuajtje të pakapshme. Më pas Viviano ndal Ibrën dhe në të regjistrohet dhe një traversë e Zambrotës. Në të dytën në fushë zbret një Bolonja më ofensive për të synuar barazimin. Por Milani pas pak minutash humb mundësinë për golin e 3-0 me Ibrën. E ka një rast edhe Ramires, por nuk e shënon dot. Bolonja duket me karakter dhe pasion, por mbrojtja kundërshtare është shumë e fortë. Goli i tretë i Ibrës në 60' është një miks superfuqie teknike dhe fizike. Vertikalizim i Pirlos për suedezin, që e stopon në limite dhe mposht Vivianon me të djathtën. Marshi i Zlatanit është i mirë dhe Alegri vendos të mos e zëvendësojë, edhe pse rrezikonte skualifikimin. Hyn në fushë Sedorf për Boateng dhe i shkakton një faull në zonë Di Vaios. Gjyqtari Roki tregon pikën e penalltisë, por Abiati, i cili dëshiron të marrë pjesë në festë, me një pritje të shkëlqyer i heq kënaqësinë e golit kapitenit të Bolonjës. Restoja është akademi puro: kuqezinjtë fluturojnë. Zlatani është sërish deciziv, për golat por edhe numrin e asisteve. Pas golit të 3-0, publiku Bolonjës u ngrit në këmbë për të duartrokitur nr.11 të kundërshtarëve. “I dëgjova, por është gjë e mirë, sepse fituam 3-0, tha Ibra. Ishte një ndeshje e vështirë, sepse luanim për herë të parë në mesditë. Fituam dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”. I pyetur se për Milanin tani a është titulli më pranë?, suedezi përgjigjet: “Po luftoj për të gjithë trofetë. Jam i kënaqur për këtë, por duhet të ecim përpara duke i marrë ndeshjet një e nga një, sepse kemi ende shumë”.