E Shtunë, 31 Tetor 2026

Friedrih Shiler

Autori i Lajmit: Redaksia
Klasiku Friedrih Shiler nuk është më sot autor bestseller. Ai është zhdukur nga librat shkollorë. Shkollat ose rrugët që mbajnë emrin e tij janë dëshmi e kohës kur nderimi i poetit ishte një çështje shoqërore.
Shkolla të Shilerit, rrugë të Shilerit, sheshe të Shilerit ka sot gjithandej në Gjermani - dëshmi nga një kohë kur nderimi i poetit ishte një çështje shoqërore, njerëzia recitonte vargjet e tij dhe përmendoret e tij ishin kthyer në vende pelegrinazhi. Shilleri është nderuar që kur ishte gjallë. Megjithatë lartësimi i tij arriti majat nga mesi i shekullit të 19-të.

Aktiviteti më i madh festiv i Gjermanisë

Më 10 nëntor të vitit 1859 në gjithë vendin festohej 100 vjetori i lindjes së Shilerit. Deri në qytezat më të vogla, çdokund ndodhi diçka e tillë, spontanisht. Mësuesit, priftërinjët, të arsimuarit morën organizimin në duart e tyre. U mbajtën marshime nëpër rrugë dhe në to morrën pjesë edhe organizatat e para të punëtorëve. Në të vërtetë ishte një eufori. Duhet thënë se ky ishte aktiviteti festiv më masiv që ka ndodhur në Gjermani në shekullin e 19-të. Një eufori në aspektin politik, siç e thekson historiani i Kölnit Otto Dann. Kishin kaluar vetëm dhjetë vite nga revolucioni i dështuar i vitit 1848. Në Gjermani qeverisnin ende princët. Por ideja për një shtet kombëtar gjerman nuk ishte harruar kurrë. I linduri 100 vjet më parë, që ndërroi jetë në vitin 1805 dhe ende poeti më i nderuar i kohës Shiler konsiderohej si prototip i rezistencës kundër sundimit absolut. "Një burrë që ishte përpjekur gjithmonë të mirrej me problemet e kohës së tij dhe që kishte një shkallë të lartë sensibiliteti për shoqërinë e tij, për politikën dhe çështjet estetike", do të shtonte historiani Dann

Prototipi i rezistencës kundër sundimit absolut

Më vonë Lëvizja e Riformuar gjermane e puntorëve zbuloi tek Shileri një shok të përbashkët për klasën punëtore. Në këtë lëvizje emancipuese u kuptua vërtetë tërësisht shpirti republikan i gjysmës së parë të shekullit të 19-të. Simfonia e nëntë me oden e lirisë të Shilerit zuri një vend të rëndësishëm tek lëvizja punëtore. Ajo luhej gjithmonë për vitin e ri. Një mit, një legjendë ishte Shileri që kur ishte gjallë. Pjesët e tij teatrale ku mbizotronin mendimet për lirinë prekën thellë dhe i hapën sytë njerzëve. Leksionet e Shilerit mbushnin plot sallën në Universitetin e Jenës.

Shileri nuk nderohej vetëm në Gjermani

Poeti gjerman u bë figurë e njohur edhe jashtë principatave gjermane. Asambleja Kombëtare Franceze e pati shpallur atë qytetar nderi të Francës. Paria e Danimarkës e pati mbështetur me para Shilerin e futur thellë në borxhe. Shileri ka shkruar drama për kombet më të rëndësishme evropiane, në të cilat është trajtuar historia kombëtare e tyre. Don Karlosin për Spanjën, Vilhelm Telin për Zvicrën, Maria Sjtuartin për Anglinë. Dhe ai ka vdekur mbi dorëshkrimin e Demitriusit për Rusinë. Dhe vepra dramatike e Friedrich Shilerit ka arritur ti mbijetojë ndryshimit të kohërave. Për këtë dëshmojnë riinskenimet e shumta në skenat evropiane.
Ky lajm është publikuar: 11/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›