E Diel, 1 Nëntor 2026

“Salome”, femra fatale ngjitet në skenë

Autori i Lajmit: Redaksia
“Salome”, femra fatale që i kushtoi jetën Gjon Pagëzorit do të ngjitet në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Legjenda e operas me një akt, merr spunton dhe subjektin nga libri i shenjtë i Biblës. “Dua kokën e Gjon Pagëzorit”, citati i famshëm biblik vjen në një interpretim nga sopranor e njohura shqiptare si Edit Mihali, Sonila Baboçi, etj. Salome, një vajzë adoleshente e pamoralshme, kërkon kokën e profetit, në mënyrë që të plotësojë dëshirën e nënës së saj hakmarrëse. Më tej drejt hakmarrjes dhe kërkesës së saj të tmerrshme do ta dërgonte edhe refuzimi, nga ana e profetit, për vajzën më të bukur të pallatit, e cila me bukurinë, lajkat dhe sharmin do të “urdhëronte” edhe mbretin Herod. Gjithkush i bindej Salomesë, më shumë se të gjithë Herodi, për shkak të magjepsjes nga “njomëza” bukuroshe. Me gjithë legjendën dhe ngjarjen biblike, opera është bërë e famshme më së shumti për kërcimin e shtatë vellove të princeshës fatale, që zakonisht përshkruhet si kërcimi i Salomes. Ky kërcim është shumë oriental në orkestrimin e tij. Gjatë këtij kërcimi Salome heq me ngadalë të shtatë vellot që mbulojnë shtatin e saj, duke rënë e zhveshur në këmbët e Gjon Pagëzorit. Refuzimi, e bëri adoleshenten e “përdalë” që të kërkojë kokën e profetit në një pjatë argjendi. Në Teatrin shqiptar të Operas e Baletit, “Salome” vjen si bashkëpunim i një sërë emrash të njohur të operas shqiptare dhe asaj të huaj. Tashmë puna për premierën e kësaj opera ka nisur dhe do të ngjitet në skenë në 15 nëntor. Premiera e "Salomesë" kthen në skenë sopranon e mrekullueshëm Edit Mihali.

Subjekti

Nga tarraca e mbuluar me dritë hëne të pallatit të mbretit Herod, Narrabothi, kapiten i rojeve hyn brenda në dhomën e princeshës Salome, e cila është në një banket me njerkun e saj dhe me gjyqtarët e tij. Zëri i profetit Gjon Pagëzori jehon nga një cisternë e thellë, ku ai është i burgosur nga mbreti, i cili e ka frikë profetin. Salome, e mërzitur nga shthurja e Herodit dhe miqtë e tij të vrazhdë, del jashtë të marrë ajër të pastër dhe bëhet kurioze kur dëgjon mallkimin e Gjon Pagëzorit për Herodian, nënën e saj. Salome habitet nga fytyra e zbehtë si e një të vdekuri të profetit dhe shpreh dëshirën e zjarrtë të prekë trupin e tij. Profeti e refuzon dëshirën e saj, duke i folur për birin e Perëndisë, që do të vijë për të shpëtuar njerëzimin. Kur Salome vazhdon të kërkojë puthjet e Gjon Pagëzorit, Narraboth ther veten nga tmerri. Ndërsa profeti zbret në cisternë, i bën thirrje asaj që të kërkojë shpëtim tek Mesia. Herodi shfaqet i ndjekur nga gjykatësit e tij. Kur ai rrëshqet në gjakun e Narrabothit, nervozohet dhe fillon të përjetojë halucinacione, që Herodia i përçmon. Mendimet e Herodit kthehen tek Salome. I sugjeron Salomes ta argëtojë duke kërcyer, por nuk i jep asgjë në shkëmbim asaj, të paktën jo atë që ajo do. Salome e bën Herodin të betohet se do të realizojë premtimin e vet pas kërcimit, dhe më pas fillon kërcimin duke hequr ngadalë të shtatë vellot që mban veshur. Princesha Salome kërkon kokën e Gjon Pagëzorit mbi një pjatë argjendi, duke injoruar ato që i ofron Herodi, xhevahire, zogj të rrallë dhe një vello të shenjtë. Mbreti i tmerruar i jep fund. Pas një pauze të tensionuar, krahu i ekzekutuesit zgjatet nga cisterna duke i ofruar Salomesë kokën. Ndërsa retë errësojnë hënën, Salome merr shpërblimin e saj plot pasion, duke iu drejtuar Gjon Pagëzorit sikur ai jeton akoma, i puth buzët e tij triumfalisht. I mposhtur nga kjo, Herodi urdhëron ushtarët të vrasin Salomenë.

Shfaqja

Me muzikë të Richard Strauss dhe libret sipas Oscar Wilde, regjizorja Patrizia Panton vë në Teatrin kombëtar të Operas dhe Baletit operën me një akt "Salome". Skenografia i përket Platon Bardhit, ndërsa kostumet janë siguruar nga Teatri i Operas së Romës. Koreografia e shfaqjes bëhet e mundur nga Denys Ganio, ndërsa Mjeshtri Koncertues i kësaj opere është Nicola Colabianchi. Për vënien në skenë të kësaj shfaqjeje janë ftuar Nausicaa Policiçhio, Roy Stevens, Thomas Gazheli dhe Aleksandar Dojkovic. Në të interpretojnë: Sonila Baboçi, Edith Mihali, Lindita Kola, Oltion Mehilli, Gilmond Myftari, Erlind Zeraliu, Denis Skura, Elson Braha, Eduard Sokoli, Armando Likaj, Genci Vozga, Pandush Koko, Rezarta Qevani, Sokol Hidersha ndërkohë që ajo do të shfaqet në datat 15, 17, 19 dhe 21 nëntor 2009, ora 19.00.

Ky lajm është publikuar: 11/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›