E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi, 11 mijë të prekur në javë, mjekët apel për vaksinim

Autori i Lajmit: Redaksia
Statistikat flasin për 11 mijë persona në gjithë vendin të cilët janë prekur nga gripi sezonal vetëm gjatë javës së shkuar. Por specialistët thonë se jemi në një fazë kritike, pasi qarkullimi i virusit AH1N1 dhe i gripit sezonal ka shtuar rrezikshmërinë dhe numrin e personave të prekur. Shenjat që paraqesin dy viruset janë të ngjashme dhe klasifikimi mund të bëhet vetëm në laborator. Specialistët këshillojnë që mjekët të marrin të gjitha masat për ruajtjen e shëndetit të tyre dhe të përdorin vaksinën tamiflu në të gjitha rastet e kërkuara. “Kemi një vaksinë në treg që duhet të shfrytëzohet. Mjekët duhet të marrin masa që fillimisht të mbrojnë veten e tyre”, u shpreh Dritan Ulqinaku pranë Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP. Virusi i gripit të derrit ka prekur kryesisht moshat aktive, ndërsa gripi sezonal prek moshat pediatrike dhe të moshuarit. Ulja e temperaturave ka sjellë një rritje të numrit të të sëmurëve dhe specialistët e kanë të vështirë të bëjnë një klasifikim të shpejtë mes të prekurve nga virusi AH1N1 dhe gripit sezonal.

A/H1N1 në Kosovë

Ndërkohë autoritetet shëndetësore japin alarmin për shtimin e numrit të të prekurve nga virusi A/H1N1 në Kosovë. Mësohet se që prej shfaqjes së parë në Kosovë të gripit të derrave, janë shënuar gjithsej 19 raste të reja të virusit A/H1N1, 6 prej të cilave janë evidentuar gjatë muajive të verës. Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se në muajin dhjetor pritet mbërritja e vaksinës kundër gripit të derrave dhe fillimi i vaksinimit për kategoritë e riskuara. Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga të gjitha institucionet shkollore të raportojnë mungesën e nxënësve për arsye shëndetësore, në mënyrë që të evidentohen rastet e reja të prekjeve nga virusi. Autoritetet theksojnë se po hasin probleme në rajonet e banuara me shumicë serbe, prej nga informacionet për të prekurit nga virusi janë të kufizuara
Ky lajm është publikuar: 11/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›