E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frigato: Gjenerali im? I ndjeshëm dhe pasionant

Koreografja Italiane Laura Frigato tregon për përvojën e saj me baletin shqiptar. Si e sheh bashkëpunimin me Agron Aliajn dhe si do të ishte "Gjenerali" i saj. "Nëse do të më kishin thënë Laura bëj çfarë të duash, do të kisha zgjedhur tre balerinë për Gjeneralin. Por këtu të katër netët do të jenë në skenë të njëjtët artistë. Balerinët kanë edhe impenjime."


Koreografja dhe balerina italiane Laura Frigato prej gati tre javësh po përgatit një version modern të baletit "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur" bazuar në romanin me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë.

Më 11 mars është parashikuar premiera, nëse mund të quhet e tillë kjo shfaqje pas afro 30 vjetësh nga vënia në skenë për herë të parë nga koreografi Agron Aliaj. Tek ky version idetë janë të Aliajt, ndërsa gjuha e baletit që do t'i transmetojë ato është e Frigatos. Ja si është "Gjenerali" në përfytyrimin e saj.

Kur je njohur me veprën "Gjenerali i ushtrisë së vdekur"?

Njihja Kadarenë si emër, ndërsa për "Gjeneralin..." nuk kisha dëgjuar. Kur skenografi Valerio Ferrari më propozoi që të punoja me maestro Agronin për të sjellë një version modern të kësaj vepre, bleva librin në Francë dhe e lexova. Gjithashtu pashë prodhimin francez të filmit, me Marcello Mastroiannin dhe Michel Piccoli, që luan priftin shumë mirë.

Filmi apo libri të nxiti përfytyrimin për koreografinë?


Libri, sepse është më i detajuar, lexohet më shumë intimiteti i gjeneralit, është më elegant. Në film Mastroianni, nuk është drejtuar mirë nga regjisori, sepse është paksa i rëndë, i pahijshëm (pa kulturë). Në libër më ka bërë shumë përshtypje ky gjeneral që është shumë emotiv, sentimental dhe që nuk është gjenerali i keq. Libri jep një anë të ndjeshme të gjeneralit që në film nuk shihet.

Çfarë lloj koreografie propozon për këtë rikthim të "Gjeneralit"?

Unë jam përpjekur të ndjek idetë e Agronit, mendimin e tij, dhe kështu mendova të sjell një version më modern, më trupor, pasionant, tokësor.

Balerinët do të kërcejnë këmbëzbathur. Jam frymëzuar shumë nga toka, nga njerëzit që gërmojnë tokën. Gjenerali kthehet në Shqipëri, ai i ka bërë keq shqiptarëve dhe vazhdon t'iu bëjë keq, sepse vazhdon të gërmojë, akoma e dhunon këtë tokë.


Për mua bërthama e librit është dhimbja e këtij gjenerali që është i detyruar të rigërmojë dhe të marrë këta të vdekur.

Në libër Gjenerali është një njeri që pi shumë, pastaj ka shumë kujtime. Unë e shoh të ndjeshëm jo të ngurtë. Prifti është i tillë.


Gjenerali në versionin tim nuk pi por humbet ekuilibrin. Fizikisht jam përpjekur ta përkthej këtë ndjeshmëri me humbjen e ekuilibrit. Ai thuajse asnjëherë nuk rri drejt në skenë (përveç rasteve kur duhet të kërcejë). Për shembull kur hyn në skenë me ushtarët mbahet tek njëri nga ata.

Po ëndrrat e gjeneralit, si do inskenohen ato?

Ëndrra është një koncept i skenografit Valerio Ferrari. Ëndrrat e gjeneralit janë pesë cilindra transparentë, të vendosur vertikalisht dhe horizontalisht në skenë. Brenda secilit qëndron një balerin që përfaqëson një ëndërr, kujtimet, ndjesitë. Do të jetë një moment shumë sugjestiv, paksa si një ëndërr.

Në këtë version modern dhe më të shkurtër nuk kemi ndjekur gjithë librin. Sepse në baletin modern, ose të paktën ashtu siç e shoh unë, duhet t'i lësh hapësirë spektatorit në mënyrë që ai të ketë mundësinë të interpretojë. Publiku ka një pjesë përgjegjësie. Ai nuk mund të rrijë ulur rehat dhe shfaqja t'i tregojë gjithçka. Baleti është trup dhe trupi lë më shumë hapësirë për interpretim.


Si është ndarë puna mes teje dhe Aliajt?


Unë kam bërë pak nga të gjitha. Agroni ka bërë një version, thuajse 20 vjet më parë. Ai kishte idenë e baletit shumë të gjatë klasik. Më tregoi pjesë nga ajo që kishte bërë (që ishte shumë e bukur) dhe së bashku vendosëm që t'i shtonim edhe nga gjuha ime e baletit. Në fund baleti u transformua por mbeti thelbi i ideve të Agronit.

Jam mbështetur shumë psikologjikisht tek ai, edhe pse nuk ka qenë e lehtë. Është hera e parë që shihemi dhe për më tepër kemi pak kohë në dispozicion. Tre javë është kohë e pamjaftueshme për të punuar një shfaqje, me 35 balerinë që nuk i njoh.

Koreografi ynë vjen nga shkolla ruse e baletit, ndërsa ti je formuar në Perëndim. Si është komunikimi juaj?

Mësuesja ime e baletit ishte ruse, vinte nga teatri "Bolshoi". Unë kam shumë respekt për baletin klasik, edhe për Agronin se është një mjeshtër i madh. Ka qenë e vështirë sepse gjuha e baletit klasik është shumë e koduar dhe solistët janë gjithmonë të parët, ndërsa trupa gjithmonë përreth.


Unë jam përpjekur që të përziej gjithçka. Solistët i kam vendosur në mes të trupës. Nuk janë gjithmonë vetëm ose në mes të skenës. Jam përpjekur që të ndryshoj paksa rregullat. Agroni ishte dakord, ai është shumë i hapur.

Sa kohë duhet për të pregatitur një shfaqje baleti?

Varet nga baleti. Në Itali apo në Francë ku punoj më shumë, kur ndërtohet një shfaqje ka gjithmonë dy ose tre muaj përgatitje. Tre javë janë me të vërtetë pak. Por ndonjëherë urgjenca të bën të ecësh më shpejt.

Si funksionon një teatër, fjala vjen një nga ata ku ti ke punuar?

Në teatrot e Operës ka një trupë fikse, baletmaestër, repetitor njësoj si këtu. Por janë të organizuara më mirë. Të themi që ka orare fikse. Njerëzit nuk duhet t'i kërkosh nëpër dhomat e zhveshjes. Dhe kur punon për një vepër (si kjo që po bëjmë) balerinët janë gjithmonë aty. Këtu herë janë, herë jo.


Është organizuar jo mirë. Por këtu mungojë paratë dhe është kjo arsyeja që bëhet edhe ndryshimin. Në një teatër perëndimor zakonisht ka dy ose tre baletmaestër që ndërrohen. Nëse njëri nuk mund të bëjë një shfaqje e bën dikush tjetër.

Sa orë ushtrohen balerinët?



Në premiera si në këtë rast, 7-8 orë në ditë. Kur nuk ka shfaqje ushtrohemi pak, bëjmë disa ushtrime. Por gjithmonë ka punë dhe ke me çfarë të merresh.

Si janë zgjedhur rolet për këtë rast?

Unë mora rolet që më tha Agroni, nuk i zgjodha balerinët. Nuk thashë Enada do bëjë Nicën, Gerti gjeneralin dhe Dioni priftin. Janë të gjithë të zotët, ndoshta të njëjtat zgjedhje do të kisha bërë dhe unë. Me përjashtim të priftit, aty do të kisha zgjedhur Visin. Por kur erdha, rolet ishin vendosur.

Çfarë do të shihnim më 11 mars nëse i gjithë baleti do të të ishte besuar ty?

Nëse do të më kishin thënë Laura bëj çfarë të duash, do të kisha bërë ndryshe. Do të kisha zgjedhur tre balerinë për të interpretuar Gjeneralin, tre për Nicën dhe tre për Priftin. Tre persona që luajnë të njëjtin rol brenda një shfaqjeje, për t'i treguar publikut anët e ndryshme të qenies njerëzore.


Unë mund të jem e keqe, por mund të jem edhe e dashur. Tre forma të ndryshme të të njëjtit njeri. Por këtu nuk është e mundur. Të katër netët do të jenë në skenë të njëjtët artistë. Balerinët kanë edhe impenjime të tjera dhe është e vështirë të mblidhen.



Laura, mbi çfarë repertori punon ti?


Kam bërë shumë spektakle moderne në Francë dhe në Gjermani. Njëkohësisht jam edhe balerinë, e pavarur. Për disa muaj lidh një kontratë me një trupë, për një projekt. Kam qenë pjesë e një trupe fikse në Lion, "Maguy Marin", një qendër koreografike kombëtare shumë solide.


Pas katër vjetësh nuk mund të vazhdoja më, dojë diçka tjetër. Këto dy vitet e fundit kam punuar në "Project 2L", "Inoccenti", "De Corraine", "May be" me trupën "Maguy Marin" etj. Baletin klasik e kam lënë kur isha 19 vjeç, tani jam 41, gati 20 vjet që merrem me balet modern.

Cila është vepra më e paharruar që ke parë?

Një vepër që më pas e kam kërcyer. Kur studioja në konservatorin e baletit në Milano, pashë trupën "Maguy Marin," (me të cilën punova më vonë), ishte një pjesë e titulluar "May be", dhe ishte frymëzuar nga një vepër e Samuel Beckett. E pashë dhe u emocionova aq shumë sa qava.


Dhe më vonë, pas gati 20 vjetësh e kërceva. Nuk po më besohej, më dukej një ëndërr. Shfaqja vazhdon të jepet edhe sot.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›