E Diel, 1 Nëntor 2026

Rehn i përgjigjet Berishës: Zgjedhjet, pastaj statusi

Komisioneri për Zgjerimin pyetet nga media mbi deklaratën e Berishës. "Me parë duhen kriteret politike"

TIRANË- Optimizmi i kryeministrit të vendit, Sali Berisha, se Shqipëria do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE brenda presidencës çeke, nuk ka zgjatur as 24 ore. Menjëherë pas kësaj deklarate të mbajtur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, dy ditë më parë, vjen edhe reagimi Komisionit evropian për zgjerimin e BE-së. Komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn, i pyetur për deklaratën në fjalë, është përgjigjur se, zgjedhjet mbeten kushti kryesor për afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

"Zgjedhjet në Shqipëri janë kushti kritik kur t'i vijë koha vlerësimit se sa i gatshëm është vendi për t'i dhënë statusin kandidat. Shqipëria gëzon perspektivën evropiane me qëllimin përfundimtar të anëtarësimit, gjë që kërkon që në një moment të jetë logjike dhe e natyrshme që Shqipëria të aplikojë për anëtarësim në BE. Por ne kemi kritere shumë të qarta për këtë dhe njësoj si në rastin e Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë vendi duhet të plotësojë kriteret politike, dhe numri një i këtyre është mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme sipas standardeve ndërkombëtare. Konkluzionin nga kjo mund ta nxirrni ju"- tha Rehn.

Momentin e krizës ekonomike në Bashkimin Evropian, por edhe të problemeve të tjera në gjirin e Unionit, Olli Rehn këshillon që vende si Shqipëria ta shfrytëzojnë për të plotësuar të gjitha kushtet me qellim që në të ardhmen të hedhin hapin e sigurtë. "Ne mund të kemi disa sfida kontemporane si reçesioni ekonomik, kriza financiare dhe ratifikimi i traktatit të Lisbonës etj. Por jeta vazhdon dhe ne do të kemi kohë më të mira në një moment tjetër dhe është e këshillueshme që vendet të bëjnë progres të mirë në reformat e tyre dhe që të bëhen edhe më të gatshëm për të marrë përsipër detyrimet për anëtarësimin evropian duke iu afruar më shumë qëllimit të tyre për të hyrë në Bashkimin Evropian"- tha Rehn.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›