Shiti pronat e minierës, arrest ish- drejtorit
Ylli Shaba, 48 vjeç, është arrestuar nga policia me disa akuza, pas përvetësimit të të ardhurave nga shitja e pronës shtetërore
Ish- kreu i minierës në fshatin Mushqeta akuzohet edhe për falsifikim të dosjeve të pensioneve në llogari të të tretëve
Tiranë- Arrestohet ish-drejtori i Minierës së Qymyrgurit në fshatit Mushqeta në Tiranë,Ylli Shaba, i akuzuar se shiti objektet shtetërore. Hetuesit e Antikorrupsionit të Policisë së Tiranës dhe Task- Force të Prokurorisë, arrestuan dy ditë më parë ish- drejtorin e minierës së Mushqetasë Ylli Shabën, 48 vjeç, banues në Tiranë, pasi akuzohet për shitjen dhe përvetësimin e zyrave, objekteve të paluajtshme si dhe pasurive të luajtshme të minierës.
Gjithashtu sipas burimeve të policisë, Shaba akuzohet edhe për falsifikim dokumentesh e abuzim me detyrën, pasi ka pajisur me dokumente për të përfituar pension një numër të konsiderueshëm njerëzish të cilët nuk kishin punuar asnjë ditë në minierë. Abuzimet mësohet se janë kryer gjatë viteve 2002- 2005, kur Shaba kryente funksionin e drejtorit të kësaj miniere dhe automatikisht ishte edhe likuidatori.
Arrestimi i tij është konfirmuar zyrtarisht nga policia e Tiranës, sipas të cilës Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë "burg pa afat" për 48-vjeçarin e akuzuar "Shpërdorim detyre", "Vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës", "Mashtrim" dhe "Falsifikim të dokumenteve".
Abuzimi
Gjatë tri viteve në krye minierës së Mushqetasë në Krrabë, dyshohet se 48-vjeçari Ylli Shaba ka abuzuar me detyrën duke nxjerrë në shitje objektet shtetërore, duke qenë se ishte likuidator i caktuar nga shteti.
Për shitjen e këtyre objekteve sipas hetimit të kryer nga njësia e Task- Force-es dhe Antkorrupsioni, ka pasur një vendim të qeverisë që cilësonte mënyrën dhe llojet e objekteve që duheshin shitur.
Por sipas hetimit të kryer, paratë që janë fituar nga shitja e objekteve janë futur në xhep nga i akuzuari dhe nuk janë derdhur në arkën e shtetit si duhej të kishte ndodhur.
Gjithashtu, sipas policies, se dyshohet me anë të dokumenteve false, Shaba ka mundur të përvetësojë automjetet dhe zyrat e minierës së qymyrgurit dhe më pas i ka shitur aty duke fituar edhe shuma parash.
"Paratë e fituara nuk janë derdhur në buxhetin e shtetit, por në xhepin e të arrestuarit",- thanë për "Shekullin" burime nga policia e kryeqytetit.
Pronat e përvetësuara, nuk janë të vetmet abuzime të Shabës, sipas policisë. Sipas hetuesve, ai akuzohet se ka favorizuar që një numër i konsiderueshmë personash, me anë të dokumenteve false, të pajiseshin me vjetërsi pune për të përfituar pension, si ish- punëtorë të minierës.
Hetimi
Hetimi ndaj ish- drejtuesve të minierave pas zbulimeve në Institutin e Sigurimeve shoqërore se shumë dosje pensionesh ishin të falsifikuara dhe thuajse të gjitha vinin nga këto ish- ndërmarrje.
Më pare, zyrtarë të kësaj miniere kanë qenë të akuzuar për abuzime me dosjet e pensioneve, e tashmë ka edhe të arrestuar.
Veç Shabës, sipas policies, po hetohen edhe ish- zyrtarë të tjerë të minierës dhe nga hetimet e kryera që mund t'i bashkangjiten ish- shefit të tyre në qeli.
Sipas të njëjtave burime, hetimet zgjatën për një periudhë të gjatë kohore ndërsa Gjykata vlerësoi për 48-vjeçarin masën e sigurisë "burg pa afat", i akuzuar për disa vepra, ndërsa të hënën në mbrëmje policia arrestoi 48- vjeçarin me banim në Tiranë.