E Diel, 1 Nëntor 2026

Frika, bankat japin më pak kredi

 

Fabiola Çela

Kriza globale ka ndikuar në uljen e nivelit të kreditimit. Gjatë tremujorit të parë të vitit, bankat kanë dhënë më pak kredi si për bizneset ashtu edhe për individët. Gjatë muajve të ardhshëm bankat kanë parashikuar një rritje të interesit të kredive.
Vrojtimi
Rezultatet e vrojtimit më të fundit nga banka e Shqipërisë për tremujorin e parë të vitit tregojnë se kriteret për kreditë dhënë bizneseve dhe individëve, në përgjithësi mbeten të shtrënguara edhe për tremujorin e parë të vitit 2009. Faktorët kryesorë pas politikës shtrënguese të bankave janë vlerësimi për situatën makroekonomike dhe faktorë specifikë të sektorit ku operojnë për bizneset si dhe gjendja financiare për individët. Por në ndryshim nga vrojtimi i kaluar, kriteret për miratimin e kredive për bizneset kanë qenë më të shtrënguara se sa kriteret për miratimin e kredive të individëve. Në muajt në vijim pritet që bankat t’i lehtësojnë disi kriteret për marrjen e një kredie. “Pritjet e bankave për tremujorin e dytë të vitit 2009 flasin për një zbutje të mundshme të standardeve shtrënguese që bankat do të aplikojnë krahasuar me shkallën aktuale të shtrëngimit të tyre”, thuhet në vrojtimin e BSH-së.
Bizneset
Ekspertë të bankave janë shprehur për një shtrëngim të standardeve për kreditë e dhëna bizneseve në një shkallë më të theksuar krahasuar me vrojtimin e mëparshëm. Sipas BSH-së kriteret për kredinë dhënë korporatave dhe për kredinë me qëllim financimin e investimeve kanë qenë më të shtrënguara se sa kriteret për kredinë dhënë bizneseve të vogla e të mesme dhe për kredinë për qëllime financimi të kapitalit qarkullues.
Faktorët me ndikimin më të madh në shtrëngimin e kritereve të kredisë janë gjendja aktuale dhe e pritshme makroekonomike, si dhe problemet specifike të sektorit ku operojnë firmat. Gjendja e kredive me probleme është një faktor, rëndësia e të cilit në shtrëngimin e standardeve të miratimit të kredive është rritur në tremujorin e parë të këtij viti. Gjatë kësaj periudhe biznese ka kërkuar më pak kredi nga bankat. Sipas BSH-së kërkesa neto e ndërmarrjeve për kredi është vlerësuar në rënie dhe negative për tremujorin e parë të vitit. 
Konsumatorët
Ulet kërkesa për kredi për shtëpi. Rezultatet e vrojtimit të BSH-së tregojnë për një shtrëngim më të ulët të standardeve të kredidhënies për individët në tremujorin e parë të vitit 2009 krahasuar me vrojtimin e mëparshëm. Kriteret janë shtrënguar me të njëjtin intensitet si për kredinë konsumatore ashtu edhe për kredinë për blerje banese. Sipas llojit të kredisë, kërkesa për kredi për financimin e banesës shënoi një rënie më të theksuar se sa kredia për kredinë konsumatore. Faktorët që kanë ndikuar më shumë në rënien e kërkesës për kredi gjatë tremujorit të parë 2009 janë nevoja për financimin e banesës, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme, si dhe kushtet e kreditimit të aplikuara nga banka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›