Të përndjekurit, dokumentet për kompensimin
Ministria e Financave ka publikuar vendimin mbi procedurat që duhen të ndjekin ish të përndjekurit politikë për marrjen e dëmshpërblimit. Sipas këtij vendimi, personat e dënuar politikë duhet të depozitojë pranë degës së thesarit ku ato jetojnë vetëm numrin e llogarisë në emër të tyre në një nga bankat: “Alpha Bank”, “Raiffeisen Bank”, “Banka Popullore”, NBG, BKT, “Tirana Bank”, “Union Bank”, “Banka Ndërkombëtare Tregtare”. Varianti i dytë është që të dërgojnë me postë këtë numër llogarie në emër të tyre në adresën: Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, Tiranë. Me mbërritjen e numrave të llogarisë Ministria e Financave proceson pagesat nga Banka e Shqipërisë në llogaritë personale të përfituesve (ish të dënuarve). Eshtë kusht i domosdoshëm për pagesë përputhja e plotë: Emër, Atësi e Mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare. Sipas këtij vendimi për personat me dënim kapital dhe që trashëgimtarët janë përfshirë në listën e publikuar nga ministria duhet të depozitojnë pranë degës së thesarit, ku jetojnë ose dërgojnë me postë numrin e llogarisë në një nga bankat ose t’i dërgojnë në adresën e Ministrisë së Financave. Në këtë rast veprimet për marrjen e pagesës mund të kryhen edhe në emër të një trashëgimtari të vetëm kur së bashku me numrin e llogarisë depozitohet një prokurë që trashëgimtarët e tjerë autorizojnë njërin prej tyre për kryerjen e veprimeve të pagesave. Pagesa pastaj vijon normalisht nga Banka e Shqipërisë në llogarinë e përfituesit. Eshtë kusht i domosdoshëm për pagese përputhja e plotë: Emër, Atësi e Mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare. Për personat ish të dënuar që janë në listë, por që nuk jetojnë ose kanë vdekur pas daljes së Vendimit për dëmshpërblim, trashëgimtarët e ligjshëm do të jenë përfituesit. Në mënyrë që përfituesit të tërheqin pagesën duhet që të depozitojnë pranë degës së thesarit ose pranë Ministrisë së Financave këto dokumente: certifikatë vdekje të ish të dënuarit, certifikatë të trungut familjar, dëshminë e trashëgimisë të ish të dënuarit politik, prokurë kur autorizohet një person për të bërë veprimet, numrin e llogarisë në njërën nga bankat e lartpërmendura. Më pas pagesa pastaj vijon normalisht nga Banka e Shqipërisë në llogarinë e përfituesit brenda një muaji.