E Diel, 1 Nëntor 2026

Të ardhurat, u mblodhën 34 milionë USD më pak për katër muajt e parë

 

Këtë vit tatimet dhe doganat kanë mbledhur më pak para se një vit më parë. Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Financave ritmi i të ardhurave në buxhetin e këtij viti ka shënuar një ulje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë, gati 10 herë më pak se mesatarja e viteve të fundit. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat për katër muajt e parë të vitit ishin 65.5 miliardë lekë ose 3.4 miliardë lekë më të ulëta se plani. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë rritur vetëm me 4.2 për qind. Të ardhurat nga taksa e TVSH-së janë rritur vetëm me 0.7 për qind. Tatimi mbi vlerën e shtuar është një nga taksat më të rëndësishme në buxhetin e shtetit. Kjo është e vetmja taksa që qeveria demokrate nuk e ka ulur gjatë këtyre viteve. Sipas të dhënave zyrtare rënie kanë pësuar edhe tatimi mbi fitimin, ku për katër muajt e parë të vitit ka rënë me rreth 9 për qind krahasuar me një vit më parë. I vetmi zë me rritje në të ardhurat e buxhetit të shtetit është tatimi mbi të ardhurat personale, që takson pagat e qytetarëve, niveli i të cilit është rritur me 32 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›