“Vapa, Shqipëria rrezikohet nga epidemitë infektive”
zirina llambro
Shqipëria kërcënohet nga shpërthimi i epidemive. Ndryshimet klimaterike mund të rikthejnë sëmundje të rrezikshme për shëndetin e popullatës. Malarja, e harruar prej kohësh, është njëra prej tyre. Gjithçka e pohoi gjatë takimit të djeshëm me përfaqësues të OBSH Drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë Gazmend Bejtja. “Me rritjen e temperaturave brezi i malarjes, mund të zhvendoset më në veri. Pra, në qoftë se malarja sot shihet vetëm në Afrikë kryesisht, mund të shfaqet dhe në Evropën jugore, në qoftë se ngrihet temperatura. Shqipëria për nga pozita gjeografike është një vend i cili është vunerabël, pra i prekshëm nga kërcënime të tilla. Është një vend që mund të preket dhe të vuajë pasoja nga rritjet e temperaturës, nga thatësira”, tha Bejtja. Ai theksoi se krahas sëmundjeve ekzistuese, të cilat njihen, mund të shfaqen të reja që janë të panjohura nga specialistet e shëndetësisë. “Bëhet fjalë për ato sëmundje të cilat mund të rishfaqen, bëhet fjalë për sëmundje infektive që nuk kanë ekzistuar më parë. Pra, krijohen mikroorganizma të rinj, të cilat shkaktojnë sëmundje të caktuara. Apo mikoorganizma të shkuara që mund të rigjallërohen në një kontekst të ri dhe mund të shkaktojnë probleme për shëndetin”, tha ai. Situata nuk duket shumë hipotetike, nëse do bazoheshim në parashikimet e sinoptikanëve. Sipas sinoptikanëve, i nxehti afrikan nuk do ta kursejë edhe këtë vit Shqipërinë. Por për fat të mirë, nëse në vendet e Evropës Perëndimore termometri pritet të shënojë 47 apo 50 gradë celcius, te ne temperaturat maksimale nuk do t’i kalojnë 41 gradë. Në takimin e djeshëm u bë me dije se Shqipëria shumë shpejt do të fillojë zbatimin e projektit, për parandalimin e sëmundjeve infektive si pasojë e ndryshimeve klimaterike. Përfaqësuesit e OBSH-së kanë kërkuar përgatitjen e sistemit shëndetësor, për rritjen e temperaturave dhe zvogëlimin e burimeve ujore. Gjithashtu pritet të merren edhe një sërë masash gjatë nisjes së sezonit turistik, ku bëjnë pjesë dezinfektimi i plazheve si dhe shërbimi 24 orë në këto zona.
Masat, prezantohet projekti 1 milionë euro
Brenda një kohe të shkurtër vendi unë do të nisë projektin për parandalimin e sëmundjeve infektive, si pasojë e ndryshimit të klimës. Ai do të zgjasë 2 vjet dhe do të mbështetet financiarisht nga qeveria gjermane. Në total kap vlerën prej 7 milionë eurosh, prej të cilave Shqipëria përfiton rreth 1 milionë euro. Në projekt përfshihen 7 vende, midis të cilave Shqipëria, Maqedonia, Rusia dhe vendet ish-sovjetike të Azisë Qendrore. Asistenca teknike e projektit do të jetë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila koordinon punën në të gjitha vendet e përfshira. “Ka një seri masash dhe do të mundohemi që brenda 2 viteve të përfshihen të gjithë sektorët, si shëndetësia, mjedisi, etj, dhe në përfundim të dalim me një strategji, ku do të përcaktohet dhe plani i veprimit për çdo sektor”, ka deklaruar Drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja.
Godo: Kemi angazhim maksimal
E pranishme në takimin e djeshëm ishte edhe Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo. Ajo e cilësoi atë si dëshminë e angazhimit për ndërmarrjen e hapave të nevojshëm, jo vetëm në përballimin e pasojave që lidhen me ndryshimet klimaterike. Gjithashtu edhe për modifikimin e veprimtarive njerëzore që lidhen direkt apo indirekt me ndryshimet klimaterike. Këtë nismë e përshëndetën edhe Ambasadori Gjerman në vendin tonë, si edhe Drejtori i OBSh në Shqipëri, z. Banerjee.