Çelsi shpartallon Boltonin, Totenhem fiton derbin me Arsenalin
Janë zhvilluar ndeshjet e fundit për javën VII, ku fitoren më të thellë e ka arritur Fulham, që ka mposhtur 6-0 QPR-në
Çelsi ka arritur një fitore të thellë në tranfertën e Boltonit në “Reebok Stadium” me rezultat 5-1. Nuk është e çuditshme që Çelsi ka fituar aq thellë, pasi menjëherë janë vërejtur efektet e mungesës së Fernando Torres në formacionin bazë. Daniel Starrixh hapi serinë e golave në minutën e dytë, para se Frank Lampard (15’) dhe përsëri Daniel Starrixh (26’) të shënojnë për 3-0. Lampard i dha fundin pjesës së parë me golin e tij të dytë në këtë takim dhe të katërtin për Çelsin (27’). Dedrik Bojata shënoi golin e nderit për Boltonin, kurse Frank Lampard e realizoi tregolëshin e tij në minutën e 60-të me asistimin e Didie Drogbas. Me këtë fitore Çelsi mban vendin e tretë me 16 pikë, tri më pak se rivalët Mançester Juanjtid dhe Mançester Siti që janë liderë të përbashkët me nga 19 pikë.
Totenhemi ka mposhtur 2-1 Arsenalin në derbin e Londrës Veriore, duke iu falur golave të shënuar nga Van der Vart dhe Uollker. Për “topçinjtë” e Venger, barazoi përkohësisht shifrat 1-1 Ramsej.
Ndërkohë, rezultatin më të thellë të javës së shtatë në Premier Ligë e ka arritur Fulhami, që në “Craven Cotagge” ka shpartalluar 6-0 Kuins Park Rejnxhërs. Heroi për skuadrën e Roi Hogdsonit ka qenë Xhonson, që me 3 golat e tij ka udhëhequr skuadrën drejt triumfit. Pikërisht Xhonson çel serinë e golave në minutën e dytë, për t’u ndjekur më pas nga penalltia e shndërruar në gol nga Mërfi, ndërsa në minutën e 38-të, sërish Xhonson shënon duke i çuar skuadrat në pushim me shifrat 3-0. Në fraksionin e dytë, Xhonson e nis aty ku e la, duke bërë poker për Fulhamin në të 60-të, përpara se Dempsi (65’) dhe Bobi Zamora (74’) të vulosnin makthin për ekipin e QPR-së. Debutuesit e Sunonsit kanë mposhtur pastër, 2-0, Stoke Sitin. Golat për skuadrën vendëse u shënuan nga Sinkler në minutën e 9-të pas ekzekutimit të saktë të një penalltie dhe nga Graham pesë minuta nga fundi i takimit.