E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtëpia e rrugës

Shtëpia e Remzi Ismailit ndodhet thuajse në mes të rrugës Prishtinë-Mitrovicë. Ajo është shndërruar në pengesë për ndërtimin e magjistrales M2. I zoti i shtëpisë me familjarët jeton me frikë nga ndonjë automjet që mund t’i futet aksidentalisht në shtëpi. Që ta lëshojë pronën, ai kërkon shtëpi. Ministritë përkatëse janë ngatërruar në kompetencat e tyre. Nga Lirita Halili më 09 korrik 2011 në ora 08:41

Ka tri vjet që Remzi Ismaili nuk e bën gjymin rehat, as ditën, as natën. Jo se ai vuan nga pagjumësia, por ka frikë nga rruga. Ai frikësohet se ndonjë automjet aksidentalisht një ditë mund t’i futet në shtëpi. Ankthi i tij ka nisur prej që ka filluar rregullimi i magjistrales Prishtinë-Mitrovicë. Kështu, ka më shumë se dy vjet që këtij bujku nga fshati Milloshevë i Obiliqit, përveç frikës, i ka dalë problem i mëdh edhe me pronën e tij.

Shtëpia e Remziut ndodhet shumë pranë rrugës që shpie nga Prishtina për në qytetin e Mitrovicës. Ajo ndiodhet përskaj rrugës në fshatin Milloshevë. E gjithë pasuria e tij ndodhet aty, afër magjistrales të quajtur M2, punimet e së cilës ka vite që janë lënë në gjysmë, për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore, ndërmjet këtij pronari e dikur ish-Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunkacionit, tash Ministrisë së Infrastrukturës.

Por nuk është ky problem i kahershëm që tashmë e preokupon Remziun. Ai nuk mërzitet më për çështjen e kompensimit pronësor. Frika kryesore e tij tash është siguria e familjarëve.

Remzi Ismaili jeton në një shtëpi njëkatëshe bashkë me gruan dhe pesë fëmijët e tij. E bashkë me të, nën një çati jeton edhe i vëllai me gjashtë anëtar të tjerë të familjes.
Kjo shtëpi ndodhet në Milloshevë, pikërisht në vendin ku janë ndërprerë punimet e autostradës.

Një gjendje e tillë e krijuar në ambientin ku jeton, ka bërë që Remziu çdo natë ta kalojë pa vënë gjumë në sy. “Po frikësohem shumë për familjen time. Nuk kalon javë që nuk ndodh ndonjë aksident pranë shtëpisë, pikërisht për shkak të bllokimit të punimeve”, rrëfen Remzi Ismaili për Express.

Është kjo arsyeja, për të cilën ky bujk thotë se i ka futur frika në palcë. “Mos ardhtë askush në këtë gjendje në të cilën jam unë që tri vjet”, thotë ai. Remziu nuk ka asgjë tjetër, përveç tokës me të cilën e mban familjen e tij 11-anëtarëshe. Shtëpia, përmes së cilës Ministria ka vendosur ta ndërtojë autostradën, është e vetmja pasuri e patundshme që ai ka. Prandaj, edhe thotë se kërkon një shtëpi tjetër si kompensim, për ta lëshuar këtë të veten, për rrugë. “Unë nuk po kërkoj të holla, po kërkoj një shtëpi për fëmijët e mi. E dua një vend sado të vogël, vetëm ku të kenë fëmijët e mi ta kalojnë natën”, sqaron Remziu, teksa shton se kjo shtëpi në të cilën jeton aktualisht, nuk i ka mbetur më për asgjë.

“Kur në pronën tënde nuk je i sigurt, nuk ka çfarë të duhet më ajo. Prandaj, ata që më kanë sjellë në këtë gjendje, duhet ta dinë se mua më duhet ndihmë”, flet i bindur Remziu, i cili burimin kryesor për mbajtjen e fëmijëve i ka produktet bujqësore të cilat i kultivon.

Edhe përkundër këtij tmerri që po përjeton, Remziu thotë se nuk e ka ndërmend të lëshojë pe, për dorëzimin e pronës. “Nuk e lëshoj shtëpinë pa kompensim. Dua një shtëpi për ta dhënë shtëpinë time”, shprehet ky bujk, i cili thotë se prona ku është e ndërtuar shtëpia, është e tij, prandaj vlerëson se ka të drejtën e plotë të kërkojë një strehë si kompensim. “Që nga fillimi kam qenë i qartë. Nuk dua të holla nga Ministria, sepse nuk dua ta shfrytëzoj momentin. E dua veç një shtëpi, asgjë më shumë”, thotë ai.

E, përveç frikës për familje, Remziun po e mundon edhe një fakt tjetër. Ai ndjen turp nga qytetarët, të cilët kalojnë kah shtëpia e tij me makina. “E di që ndërprerja e punëve nuk është e hijshme. E di edhe që qytetarët do të çuditen me mua, por askush nuk është nën lëkurën time”, flet i bindur ai.

Rrëfimin e tij, Remziu e vazhdon duke treguar edhe arsyen e marrjes së vendimit për të mos e lëshuar pronën e tij. Kjo pasi ai thotë se është ndjerë i tradhtuar nga marrëveshja të cilën e ka bërë me Ministrinë e Infrastrukturës, kur kanë filluar punimet në autostradë.
“Qemë marrë vesh që Ministria të ma kompensojë pronën. Por ja, që tri vjet asgjë nuk ka lëvizur. Marrëveshja u harrua”, sqaron Remziu, duke thënë se do të luftojë deri në fund për të drejtat e tij. “Do t’i shkoj kësaj pune deri në fund, derisa të mundem. Por nëse nuk do të mund të bëj asgjë, do të dorëzohem, pasi unë jam më i ligë se shteti”, tregon ai.

Derisa Remzi Ismaili vazhdon të merret me çështjen e frikës për familjen e tij, ministritë kanë një problem tjetër. Për shpronësimet dhe vlerësimet e pronave, Ministria e Infrastrukturës (MI) dhe ajo e Financave (MF) fajësojnë njëra-tjetrën, sa u përket kompetencave. Lah Nitaj, këshilltar i ministrit në Ministrinë e Infrastrukturës, thotë se ky dikaster është i interesuar të vazhdojë projektet, por nuk është në kompetencën e tij të bëjë shpronësimet. “Kjo është në kompetencën e Ministrisë së Financave”, tregon Nitaj për Express. Por Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave, thotë të kundërtën. “Për arsyet e moskompenzimit, interesohuni në Ministrinë e Infrastrukturës”, sqaron Shahini për Express. Sipas tij, Ministria e Financave e ka kryer punën e saj rreth vlerësimeve. “Pronat ne i kemi vlerësuar. Tash hapat e tjerë i mbeten Ministrisë së Iinfrastrukturës”, thotë zëdhënësi Shahini. Derisa ministritë kanë probleme njëra me tjetrën, Remziu me familje jeton në ankth nga ndonjë aksident i mundshëm për shkak se shtëpia e tij ndodhet thuajse në mes të rrugës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›