Frika nga ekstremizmi i brendshëm
Të hënën, ushtari Michael Burnett, tha para një gjykate në Georgia se një dhjetor ai ka përcjellë nga afër se si një ushtarë tjetër kishte qëlluar me armë zjarri një vajzë 17 vjeçare, në pyjet afër bazës së tyre, duke kontrolluar më pas pulsin e saj dhe duke e qëlluar sërish nga afër.
Ai tha se është fajtor nën akuzat për përfshirjen e tij në vdekjen e ish-ushtarit Michael Roarke dhe të dashurës së tij. Por ajo që është edhe më drithëruese se vrasja gjakftohtë është faktit se këta vrasës, katër prej tyre, përfshirë edhe Burnettin, të cilët janë akuzuar, jo vetëm se janë ushtarë aktivë në armatën e SHBA-së, por edhe pjesëtarë të një njesie paramilitare, e cila kishte planifikuar një komplot, për të përmbysur qeverinë e SHBA-së.
Madhësia dhe fuqia e këtij grupi mbetet e paqartë, por sipas Burnettit, ky grup, i quajtur Fear, kishte synuar që “t’ia kthejë qeverisjen prapa popullit”.
Prokurorët shpalosen planet anëtarëve të grupit për komplote të ndryshme, përfshirë këtu edhe hedhjen në ajër të automjeteve të gjykatësve dhe politikanëve, si dhe të zyrtarëve të Departamentit për siguri të brendshme. Ata kanë folur edhe për hedhjen në ajër të një rezervuari në parkun Savanah, në Georgia, si dhe për helmimin e fushave të mollëve në Washington. Në fund, ata kishin planifikuar që të vrasin presidentin Barack Obama.
Sipas prokurorëve, udhëheqës i grupit ishte ushtari Isaac Aguigui, i cili kishte rekrutuar pjesëtarë të ri në bazën Fort Stewart në Georgia dhe i cili kishte vënë në shënjestër ata, të cilët ishin në “telashe dhe të deziluzionuar”. Armata amerikane ka mohuar se ekziston një problem me ndonjë bandë në bazën Fort Stewart dhe ka shtuar se është duke zhvilluar hetimet e veta të pavarura rreth këtij rasti.
Por duket se nuk ka qenë vetëm ushtria ajo, e cila nuk ka pasur njohuri për aktivitetet e grupit FEAR. Qendra ligjore Southern Poverty, e cila vëzhgon veprimtarinë e grupeve paramilitare dhe ekstremistëve në gjithë SHBA-në, gjithashtu nuk kishte njohuri për pjesëtarët apo aktivitetet e grupit FEAR. Në të vërtetë, duket se askush nuk ka pasur njohuri se disa ushtarë amerikanë janë duke planifikuar një komplot të tillë në bazën në Georgia.
Steven M. Chermak, profesor për drejtësi kriminale në Universitetin e Michiganit, i cili drejton edhe një bazë të të dhënave për krime ekstremiste, thotë se hulumtimi i numrit të madh të grupeve militante, për të identifikuar personat, të cilët mund të paraqesin rrezik, është si të kërkosh një gjilpërë në kashtë.
Daryl Johnson, ish-analist i Departamentit për siguri të brendshme, i cili ka zhvilluar hulumtime shumëvjeçare në lidhje me terrorizmin e brendshëm, me gjasë ka qenë më pak i befasuar se të tjerët.
Në vitin 2009, Johnson autorizoi një raport të Departamentit për siguri të brendshme, në të cilin u nënvizua se rënia ekonomike dhe zgjedhja e parë e një presidenti afro-amerikanë paraqesin një nxitje për radikalizim të krahut të djathtë dhe për rekrutim. Në raport u përfshi edhe një pjesë për “veteranët e dëshpëruar të ushtrisë”, me ç’rast u tërhoq vërejtja se ata mund të rekrutohen nga ekstremistët, për shkak të trajnimit të tyre ushtarak.
Raporti nxiti një stuhi të vërtetë në spektrin e djathtë, me ç’rast shumë zyrtarë theksuan se ishte kjo një përpjekje për të kufizuar lirinë e shprehjes së grupeve të djathta.
Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kërkuan dorëheqjen e kryesueses së Departamentit për siguri të brendshme, Janet Napolitano, ndërsa udhëheqësi i pakicës në dhomën e përfaqësuesve, John Boehner, madje theksoi:”Nuk e kuptoj se si qeveria jonë mund të hedh shikimin kah amerikanët dhe të thotë, ‘Ju të gjithë jeni kërcënim potencial terrorist’”.
Në fund, Napolitano tërhoqi raportin dhe Johnson thotë se më vonë u shpërbë edhe njësia e tij, e cila studionte terrorizmin e brendshëm dhe neo-nazistët. Sipas Johnsonit, kritikët e raportit po luanin me zjarr.
“Ata nxorën gjërat jashtë kontekstit, në përpjekje për të siguruar përkrahje për platformën politike të republikanëve. Duke kritikuar informatat në raport, ata e bënë vendin tonë më të lëndueshëm dhe më pak të sigurt, ngase kritikat e tyre ndikuan që të mbushën radhët e grupeve ekstremiste”, thotë ai.
Johnson beson se ekzistojnë lidhje brengosëse mes shërbimit ushtarak dhe përfshirjes në grupet paramilitare. Fillimisht, struktura e pjesës më të madhe të këtyre njësive paramilitare i ngjason asaj të ushtrisë-me hierarki të përcaktuar dhe sistemin e gradave.
“Njësitë paramilitare janë gjithashtu shumë nacionaliste dhe patriotike”, shton Johnson.
Ai më tutje thekson se raporti i vitit 2009 nuk do të kishte parandaluar sulmin i cili ndodhi së fundi në SHBA kundër një tempulli sik, i cili u ndërmor nga një ish-ushtarë, e as ekzistencën e grupit të zbuluar në Georgia. Por Johnson shton se po të ishte pranuar dhe trajtuar si duhet raporti, atëherë ai do të kishte mundur të bindë zyrtarët për zbatimin e ligjit për të ndarë më shumë burime, për të vëzhguar grupet ekstremiste që paraqesin kërcënim të brendshëm.
“Është vështirë të pranosh se kemi një problem në shtëpinë tonë. Është vështirë të pranosh së vëllai, apo xhaxhai, apo babai janë ekstremistë dhe potencialisht të dhunshëm. Gjithmonë është më lehtë që këto gjëra të mbulohen. Por çdo terrorist ka një familje”, nënvizon Johnson. (Newsweek)