Anija me klandestinë fundoset në Australi

Tragjedi në brigjet e Australisë. Një varkë me të paktën 150 azil-kërkues nga pjesët lindore të Azisë, që ishin drejtuar për në jug, drejt tokës australiane, u përmbyt në afërsi të Christmas Island, në Oqeanin Indian.
Alarmi është dhënë nga autoritetet australiane dhe ato indoneziane. Për momentin, mediat australiane flasin për 144 të vdekur dhe vetëm 6 të mbijetuar nga tragjedia.
Ministri i Brendshëm australian, Jason Clare, konfirmoi numrin e të shpëtuarve, ndërsa shtoi se pjesa tjetër e udhëtarëve të varkës konsiderohen të zhdukur.
Forcat e rojës bregdetare australiane dhe ato indoneziane janë përfshirë në një operacion të gjerë për të gjetur të mbijetuar, në një rreze prej disa kilometrash nga zona ku mendohet se është fundosur anija me klandestinë.