Frika nga “macja e zezë”
Autori i Lajmit: Genc Llakaj
Shpesh herë qëllon të na presë rrugën macja e zezë dhe si pasojë të shtangemi e njëherëshi të ndërojmë udhë. Ky ”respekt” ndaj maces, është derivat i injorancës, frikës, shmangies nga realiteti, por mbi të gjitha është i lidhur me lodhjen e tejshkuar të njerzve nga fatkeqësitë dhe padrejtësitë. Sinjifikata (kuptimi) e shprehjes me qëllimin e tij janë një përzierje jo e rastësishme marrë këtu në konsideratë realitetin shqiptar. Në Shqipërinë tonë, gjërat nuk është se shkojnë vaj, kështu që frika nga ”macja e zezë” është një normalitet i justifikueshëm. E gjithë kjo për shkak të politikëbërjes së mbrapsht dhe dashakeqe nga grupe individësh, që influencojnë dukshëm në mjerimin e shqiptarëve. Po cilët janë vallë këta individë që qënkërkan e përcaktokan fatet e qytetarëve shqiptarë?
Kam bindjen time të ”cmendur” se padyshim kanë lidhje me politikën. Pra, janë këta politikanë të cilët, me dashje ose jo, kanë zënë vendin e maces së zezë. Justifikueshëm, populli ose qytetarët, ndodhen në dilemë ta kalojnë rrugën e progresit apo të kthehen pas. Logjikisht nuk duhet ta bëjmë.
Pse nuk duhet ta bëjnë? Sepse po të rradhitim dëmprurjen për llogari të tyre nga politika e fundit 30 vjecare e këndej, natyrshëm do të bindemi se supersicioziteti i tyre është i justifikueshëm. Supersticiozitet ky që lidhet me bukëskamjen e pas viteve 75 - 90-të, me shkatërrimin e pajustifikueshëm të viteve 90të , me vrasjen e një populli të tërë më 1997ën, me shitblerjen morale të gjithçkaje që flet shqip në këto vite demokraci, me degradimin e sistemit arsimoro-kulturor, me eleminimet fizike të figurave patriotike e së fundmi me hedhjen në erë të Gërdecit.
E si të mos tmerrohen shqiptarët mjeranë pas gjithë kësaj zullumaie nga macja e zezë – politika shqiptare; e si të mos jenë superstciozë ndaj së zezës që kjo politikë reflekton?
Ishte 1992shi, viti i demokracisë, por njëkohësisht edhe i çndërgjegjes apo i euforisë dritëshkurtër. Vërtet të vrarët e dëshiruar nuk plotësonin numrin e arkivolëve të nevojshëm, por kjo nuk do të thotë se me patjetër të vdisnin më shumë për të jetuar më shumë të tjerët që mbeteshin.
Edhe kurbani, si rit i sakrifikimit musliman, nuk thotë të therin gjithë kopenë që të mbijetojë çobani. Pra vdekja sjell vdekjen, e asnjë gjë më tepër sesa liri të privuar... Mentaliteti i varfër i disave të çalë, që rrjedh në këto rrëpira të logjikës së ngathët të një populli, është kthyer në virtyt. Në këtë kazan torturash, bashkë me vuajtjet e detyruara, lindin, ose bëhen domosdoshmëri vuajtjet e nevojshme që do të thotë mazokizëm e si pasojë: triumf i legjitimuar me gjak.
A ka lidhje shprehja se: Më shumë të vuash, më shumë do rrosh!? Jo! Mendoj se nuk ka lidhje...Apo mos vallë një 92-sh, 97-t dhe së fundmi Gërdec, do të na zgjoj ndërgjegjen duke menduar se mbi eshtra të vdekurish mund të ngremë demokracinë e drejtë, të krijojmë e të standardizojmë shtetin ligjor, të ngremë nivelin e mirëqënies apo të përfaqësohemi denjësisht në tregun ekonomik-politik të botës?!
Është e nevojshme me patjetër të ngremë themelet e një shteti të fortë, bazuar te sasia e gjakut të derdhur ndër vëllezër?! Apo mos ndoshta nevojitet rruga e inteligjencës-diplomatike – ajo e nxjerrjes së gështenjave nga zjarri, shesh herë, edhe me duart e ndonjë tjetri? Në rastin tonë, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleate, e drejta jonë e kahershme për rikrijimin e një komb-shteti solid e të shumërespektuar ( me meritë), është pronë juridiko-historike e jona, kur koha na flet: boll më shërbëtor të fqinjve dhe mjaft me politika dritëshkurtëra të tipit amatoresk; përse duhet të jemi vëtvrasës? Ku qëndronë e keqja që edhe në politikë të jemi ”ateist”( në kuptimin politik të fjalës). Ateist e dritëgjatë, pa marrë në konsideratë as macen e zezë të Tiranës e as tutorët 100 vjeçar të boshtit Athinë-Beogradë...
Pra, të djegur nga qulli, shqiptarët, kanë filluar ti fryjnë kosit. Kështu që, domosdoshmërisht, është e drejta e tyre të jenë ”frikacak” e supersticiozë ndaj çdo produkti të politikës shqiptare. Këtu nuk bëhet fjalë për një përqindje natyrale të frikës, por për më tepër se 6 dekada nëprkëmbjë apo 6 dekada tmerr e zhgënjim.
Po të rikujtojmë komunizmin (sistem i deklaruar ligjërishtë i tillë) dhe më pas pseudodemokracinë e deklaruar juridikisht, por që në realitet është një komunizëm i thatë e dinjitoz, do të kostatojmë se superstioziciteti i këtij populli është logjik
Shqiptarët, bashkë me ta edhe unë, të çoroditur e mbartës të një mjerimi të pamerituar, sot, po udhëtojnë ndërmjet dilemës indinjuese nëse duhet të kemi frikë nga realiteti i maces së zezë që tashmë është futur jo vetëm në çdo familje shqiptare, por dhe në inde të gjithsecilit prej nesh apo duhet të behemi trima si i ndjeri Trebicka?
Ky lajm është publikuar: 28/12/2009