A/H1N1, viktima e 9, gruaja shtatzënë me dy binjakë
Autori i Lajmit: RedaksiaVdes si pasojë e virusit A/H1N1 një tjetër grua shtatzënë me dy binjakë duke çuar në 9 numrin e viktimave të gripit pandemik në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar dje vdekjen e një 25-vjeçareje nga Kukësi, e cila ishte e diagnostifikuar me virusin A/H1N1. Mësohet se 25-vjeçarja e cila ishte shtatzëne me binjakë ishte paraqitur pak ditë më parë në spital me simptomat e gripit të derrit ndërsa ka ndërruar jetë në Sanatoriumin e Tiranës pas 12 ditësh trajtim intensiv për shkak të gjendjes së rënduar që kishte shfaqur e reja nga Kukësi. Pak ditë më parë një 18-vjeçare shtatzëne në muajin e tetë ndërroi jetë nga gripi i derrave.
Alarmi
Rastet e fundit të vdekjeve nga gripi i derrit kanë rritur alarmin tek institucionet shëndetësore. Drejtori i ISHP, Alban Ylli, pak ditë më parë tha se tashmë virusi i gripit të derrit dominon në popullatës ndaj duhet rritur vigjilenca për ta trajtuar atë në kohë dhe sipas këshillave të mjekëve.
Shpërndarja e rasteve te konfirmuara sipas rretheve
“Jemi në sezon gripi dhe rreziku nga gripi AH1N1 nuk ndryshon nga gripi stinor ndaj përsërisim apelin që popullata të rrisë higjienën personale dhe të marrë trajtimin e duhur sapo të shfaqë probleme shëndetësore. Mund të themi se ne si sistem shëndetësor kemi rritur vigjilencën, po ndërgjegjësojmë mjekët për situatën e krijuar por duhet që popullata ta marrë seriozisht situatën dhe të mos neglizhojë shëndetin”, ka pohuar drejtori i i ISHP, Alban Ylli. Specialistët ripërsërisin faktin se ka një rënie të fluksit të shtrimeve në spital, dhe se kjo periudhë është maksimumi i rasteve që ka agresivitete nga virusi AH1N1. Ylli theksoi se ekziston një mendim i përgjithshëm i ekspertëve se virusit i kanë mbetur edhe 6 javë nga qarkullimi i tij por nuk dihet se kur ai do të rikthehet sërish tek ne. Sipas të dhënave më të fundit nga ISHP, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me virusin A(H1N1) deri në datën 27 Dhjetor është rreth 400. Mosha mesatare e rasteve të prekura në total është 23 vjeç dhe shumica e rasteve janë konfirmuar në Tiranë.
Vaksinat
Instituti i Shëndetit Publik ka marrë në dorëzim 10 mijë dozat e para të vaksinës kundër AH1N1 të cilat mbërritën në vendin tonë nga Hungaria. Drejtori i Politikave shëndetësore në ministrinë e Shëndetësisë Pëllumb Pipero ka deklaruar, se po vazhdon vaksinimi për grupet e para më të rrezikuara. “Sipas një plani të paracaktuar kemi menduar të vaksinojmë të parët fëmijët mbi 5 vjeç, fëmijët që vuajnë nga sëmundje kronike dhe personelin shëndetësor në QSUT dhe Sanatorium të cilët janë në kontakt direkt me pacientët e prekur nga gripi i derrit. Drejtori i ISHP, Alban Ylli, ka deklaruar se dhe Shqipëria sikurse vendet e tjera në botë do të kryejë vaksinimin në disa faza sipas nivelit të riskut nga gripi i derrit në popullatë. “Që nga SHBA e deri tek vendet fqinje është aplikuar fushata e vaksinimit sipas një sistemi prioritar, që do të thotë se me ardhjen e dozave të tjera të vaksinës do të vaksinohen dhe grupet e tjera të rrezikuara, siç janë gratë shtatzëna apo kategori të tjera në popullatë”, tha Ylli. Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se gjithsej janë porositur rreth 250 mijë doza të cilat do të mbulojnë nevojat për gjithë grupet e përcaktuara. Pipero theksoi se detyrë e ministrisë është ta sigurojë dhe rekomandojë kryerjen e vaksinës por ajo në asnjë mënyrë nuk detyron qytetarët ta aplikojnë.
Ky lajm është publikuar: 28/12/2009