E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frika nga përkeqësimi

Me vdekjet në Turqi, bombardimet në Liban dhe incidentet në kufi me Jordaninë, po bëhet e qartë se lufta në Siri ka filluar të përhapet edhe në shtetet fqinje. Sa më shumë që të zgjatë kriza, aq më i madh po bëhet rreziku nga një përkeqësim i madh rajonal.

Ngjarjet gjatë ditëve të kaluara kanë ilustruar se sa shpejtë dhuna në Siri do të mund të shndërrohet në një luftë rajonale. Pasi që predhat e Sirisë ranë sërish në territorin e Turqisë, kësaj radhe duke vrarë pesë civilë, kryeministri turk, Reccep Tayib Erdogan, ishte i detyruar të vepronte. Kundërpërgjigjja turke të mërkurën dhe të enjten zgjoi edhe bashkësinë ndërkombëtare.

Megjithatë, gjatë aksioneve të ndërmarra, Turqia qartazi veproi me kujdes: ajo ju përgjigj sulmeve të përsëritura nga Siria me disa predha të artilerisë, e jo me raketa. Dhe leja për aksione të mëtutjeshme ushtarake, të cilën Erdogan e mori nga parlamenti i Turqisë, kryesisht është paraparë si një masë parandaluese. Me gjasë nuk ekziston qëllimi për të shpallur luftë gjithëpërfshirëse, së paku për momentin. Në ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka dënuar ashpër sulmin në territorin turk dhe ka kërkuar nga të dy palët që të përmbahen.

Por fakt është se sa më gjatë që të zgjasë lufta civile në Siri, aq më shpesh do të ndodhin incidente të këtilla, në veçanti në Turqi dhe Liban.

Një pjesë e madhe e territoreve përgjatë kufijve të Sirisë tashmë janë shndërruar në zona të luftës. Më herët, bashkësia ndërkombëtare ka shprehur brengën se intervenimi ushtarak në Siri do të nxiste një luftë rajonale, por kjo mundësi tashmë po bëhet realitet, madje edhe pa intervenimin fare të bashkësisë ndërkombëtare.

Që të gjithë shtetet fqinje të Sirisë tashmë kanë ndier pasojat e luftës civile, me ç’rast ky konflikt një ndikim më dramatik ka pasur në Turqi dhe Liban.

Me dhjetëra civilë janë vrarë në territorin e Turqisë, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit në afërsi të kufirit turko-sirian. Kryeministri Erdogan po përballet me hidhërimin gjithnjë e më të madh të popullatës, e cila po kërkon që të reagohet ndaj dhunës, e cila po vjen nga Siria.

Edhe në rajonet kufitare në perëndim, tendosjet kanë filluar të shtohen brenda Turqisë. Ankaraja po mbështetë kryengritësit sirianë dhe ka pranuar rreth 100 mijë refugjatë, duke hidhëruar alavitët në rajonin kufitar turk të Hatajit. Ky rajon ka qenë pjesë e Sirisë deri në vitin 1938 dhe ka një përzierje të ngjashme sektare si Siria. Alavitët në vazhdimësi kanë organizuar protesta në Hataj kundër kryengritësve sirianë.

Ajo që po nevrikos tej mase qeverinë në Ankara është mbështetja, të cilën qeveria e presidentit Baschar Al Assad po ja u jep militantëve kurdë nga radhët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK). Për të ju shmangur hidhërimit të fqinjit verior, Damasku për një kohë të gjatë ka shtypur aktivitetet e këtij grupi në territorin e Sirisë. Por që nga përkeqësimi i marrëdhënieve turko-siriane, PKK-së i është lejuar që të rekrutojë dhe të trajnojë pjesëtarë në Siri dhe që të iniciojë sulme kundër shënjestrave në Turqi.

Gjatë 18 muajve të fundit, aq sa po zgjatë lufta civile në Siri, sulmet e PKK-së në pjesët lindore të Turqisë janë shtuar dukshëm. Në të kaluarën, Ankaraja është përgjigjur me sulme ushtarake ndaj sulmeve, të ndërmarra nga pjesëtarët e PKK-së me bazë në Irak. Prandaj mund të pritet që sulme të tilla do të ndërmerr edhe kundër PKK-së në Siri.

Pjesa më e madhe e popullatës në rajonet kufitare mes Sirisë dhe Libanit tashmë është arratisur nga aty. Pothuajse për çdo ditë predhat siriane po bien në Liban, duke shkatërruar shtëpi dhe duke vrarë civilë.

Forcat e Sirisë rregullisht e kalojnë kufirin dhe rrëmbejnë banorët e fshatrave kufitare në Liban, për të cilët besojnë se po mbështesin kryengritësit. Edhe numri i madh i refugjatëve sirianë tashmë po shkakton tendosje brenda shoqërisë libaneze. Grupe të ndryshme, që veprojnë në Liban dhe mbështesin qeverinë në Damask, kanë rrëmbyer civilë, për të cilët dyshojnë se janë kundërshtarë të Assadit. Krahas kësaj, lufta në Siri ka nxitur konfliktin edhe në qytetin e Tripolit, mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të Assadit.

Frika nga përhapja e dhunës jashtë Sirisë ka filluar të shtohet edhe në Izrael. Në Rrafshnaltën e Golanit, të cilën Izraeli e ka pushtuar në vitin 1967, protestat pro dhe kundër Assadit janë shtuar gjatë javëve të kaluara. Luftimet në Siri po i afrohen Izraelit. Ushtria izraelite këtë javë evakuoi turistët nga një rajon kufitar, pasi që vërejti disa individë të armatosur në afërsi të kufirit.

Edhe qeveria në Bagdad brengoset se lufta në Siri mund të ndez konfliktin e brendshëm të armatosur në Irak. Në të kaluarën, qeveria e Assadit ka lejuar luftëtarët islamikë që të hyjnë në Irak dhe më pas ju ka ofruar sërish strehim në territorin sirian.

Asnjë shtet fqinj i Sirisë nuk është i interesuar që të përfshihet në luftë. Përkundër të gjitha provokimeve, regjimi i Assadit po bën gjithashtu çmos që të parandaloi ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të fqinjëve në konflikt. Pas incidenteve të fundit, Siria ka vepruar me politikën e de-eskalimit.

Megjithatë, kërcënimet e ndërsjella dhe rritja e dhunës përgjatë kufijve të Sirisë, përcjellë një vërejtje të qartë: rreziku nga lufta rajonale nuk mund dhe nuk duhet të nënçmohet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›