Frika për numrat e komisionit hetimor për Ramën, PD thërret Ylli Pangon në Kuvend
Adi Shkëmbi
Ngritja e komisionit hetimor për kryebashkiakun Edi Rama rikthen në Kuvend ish-ministrin e Kulturës, Ylli Pango. Publikimi i një skandali seksual në televizion, bëri që kryeministri Berisha të shkarkonte nga detyra ish-kreun e dikasterit të Kulturës dhe që prej katër marsit ai nuk ka shkuar asnjëherë në Kuvend. Mungesa e ish-ministrit të shkarkuar brenda katër minutash, ka zgjatur deri ditën e djeshme kur ai është parë sërish t’i drejtohet Kuvendit, prej nga u sulmua në një zë si nga opozita ashtu edhe nga maxhoranca.
Rikthimi
Një sërë votimesh të rëndësishme ditën e djeshme dhe rreziku për të mos arritur kuorumin për shkak të bojkotit të paralajmëruar të opozitës, ka detyruar grupin parlamentar demokrat të thërrasë të gjithë deputetët për të qenë të pranishëm në votim. Burime pranë grupit të PD-së bëjnë të ditur se të gjithë deputetët, përfshi edhe Pangon, janë lajmëruar që të martën nga sekretarja e grupit për të mos munguar në seancën e ditës së djeshme. Pas dy të hënash kur për shkak të festave Parlamenti e ka pasur pushim, në seancën e një dite më parë ishin vendosur në rendin e ditës disa ligje të rëndësishme të ardhur nga qeveria si miratimi i licencës së katërt të telefonisë celulare, privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes apo edhe ngritja e komisionit hetimor për punën e kryebashkiakut Rama. Në këtë mbledhje të Kuvendit, ish-ministri Pango ka qenë ndër të parët deputetë, që ka hyrë në sallë duke përfituar edhe nga prezenca e vogël e mediave në ato momente përpara Parlamentit. Ai është ulur në një nga vendet e fundit në krahun e majtë të sallës në rreshtin e maxhorancës, ku edhe kamerat nuk e kanë shumë të lehtë për të filmuar për shkak të pozicionit të lozhës. Megjithëse veprimet e tij në videon e publikuar u kritikuan ashpër nga deputetët demokratë dhe veçanërisht nga Kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në seancën e djeshme Pango është pritur mirë nga kolegët e djathtë, të cilët e kanë përshëndetur, duke shmangur batutat për skenat e videos. Ai ka qëndruar gjatë punimeve të seancës në shumicën e kohës me kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali dhe kandidaten për kreun e PD-së së Tiranës, Lajla Përnaska. Burime nga grupi i PD-së bëjnë të ditur se në të gjitha bisedat është folur për temat aktuale të politikës dhe disa prej votimeve të rëndësishme të kësaj seance. Pas rreth dy orësh punime parlamentare, Ylli Pango ka votuar pro ligjeve dhe është larguar i fundit, madje kur kishin ikur edhe thuajse gjithë punonjësit e gardës për t’iu shmangur kamerave të televizioneve në oborrin e Kuvendit. Ai është shoqëruar nga dy deputetët republikanë, Genc Sharku dhe Hajrullah Paturri. Por ende nuk dihet nëse prezenca e tij në seancën e djeshme ka qenë për shkak të rëndësisë së votimeve apo dita e parë e rikthimit pas një mungese prej afro dy muajsh.