E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Ministri e re për Zhvillimin Rural, do hartojmë Kodin e Tokës

 

Kreu i PS-së Edi Rama hapi kapitullin e zhvillimit rural të programit qeverisës në qarkun e Fierit, duke nisur me komunën Këmishtaj të Lushnjës. Duke prezantuar këtë kapitull të Programit të ri qeverisës, Rama u ndal tek siguria pronës, sepse sipas tij, “pa nisur reformën ligjore mbi pronën në fshat, nuk mund të ketë një fshat që prodhon dhe një treg e çmime të arsyeshme në qytet”. “Duke kapitalizuar tokën dhe duke futur në treg kapitalet, ne mund të bëjmë politika favorizuese për fshatin. Problemet e tokës dhe të pronësisë paralizojnë financimin e sektorit bujqësor. Do të kryejmë një reformë ligjore në këtë drejtim”, u shpreh Rama, “duke hartuar dhe miratuar Kodin e Tokës”. “Gjëja e parë që ne do të bëjmë, është se do të ndërtojmë një strukturë tërësisht të re, një ministri të veçantë tërësisht për fshatin, që do të quhet Ministria e Zhvillimit Rural dhe do të adresoj problemin e madh të rimëkëmbjes së fshatit, duke e parë si një potencial jo vetëm të jashtëzakonshëm, por edhe tërësisht të pashfrytëzuar, me vetëdijen se nuk mund të ketë një Shqipëri evropiane që ushqehet normalisht, në rast se nuk ka një fshat shqiptar që prodhon në kushtet normale”, tha Rama. Kryetari socialist tha se programi i ri qeverisës i PS do të inkurajojë dhe me politika fiskale sipërmarrjen agrare. “Bizneset agrare të reja ne do t’i përjashtojmë nga çdo tatim fitimi dhe çdo taksë në 3 vitet e para”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›