E Diel, 1 Nëntor 2026

Karta me 200 lekë për ata pa pasaporta

 

Aristir Lumezi

Qeveria pas negocimeve me ambasadorët e Trojkës Evropiane dhe ambasadorit amerikan në Tiranë Xhon Uidhërs, duket se është tërhe-qur për kartat. Mësohet se kartat do të jepen me 200 lekë të reja për të gjithë ata që nuk kanë pasaportë. Edhe pse negociatat mes ekspertëve të PS-së dhe qeverisë, por dhe atyre të Trojkës janë ende në proces, mësohet se do t’i jepet kjo zgjidhje krizës së kartave të identitetit. Mbeten të përcaktohen dhe disa modalitete që lidhen me mënyrën e rimbursimit të pjesës së mbetur të shumës, por duket se edhe socialistët do të preferojnë këtë zgjidhje. I vetmi shqetësim për socialistët mësohet të jetë koha kur do të nisë ky proces. Sipas tyre, aplikimi për karta me 200 lekë të reja duhet të nisë nga dita e hënë, pasi përtej kësaj date, koha fizike e pajisjes me karta e të gjithë shtetasve pa pasaportë do të jetë e pamjaftueshme. Sot pritet të bëhet publik vendimi pas negociatave të arritura. Negocimet për të vendosur çmimin e ri bashkë me modalitetet për kartat kanë nisur pas takimit të Trojkës Evropiane dhe ambasadorit amerikan në Tiranë, John Uithërs me kryetarin socialist Edi Rama në Bashkinë e Tiranës. Dy ditë më parë ata u takuan edhe me Kryeministrin Berisha dhe mësohet se në qendër të këtij takimi ishin kartat e identitetit dhe bojkoti i socialistëve nga Parlamenti. Si në çdo prag zgjedhjesh, edhe kësaj radhe u desh ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje për çështjet që kanë të bëjnë me infrastrukturën zgjedhore. Edhe para zgjedhjeve vendore të muajit shkurt 2007, marrëveshja mes PD dhe PS u nënshkrua pas negociatave disa orëshe në zyrën e ambasadorit të OSBE-së. Kjo lëvizje e diplomatëve perëndimorë në këtë moment kur kryeministri Berisha thotë se ka bërë gjithçka mundet për procesin e kartave dhe opozita kërkon heqjen e taksës së votës dhe ka vënë alarmin se zgjedhjet janë në rrezik, duket se ka ndihmuar në gjetjen e një kompromisi mes dy palëve. Dy ditë më parë, para takimit të Trojkës dhe Uidhërs me Kryeministrin Berisha, socialistët prezantuan propozimet e tyre lidhur me kartat e identitetit. Sekretari socialist për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, përmes një konference për shtyp, kërkoi realizimin e këtij procesi sipas parimit ‘One Stop Shop’, ose e thënë ndryshe ‘Të gjithë shërbimin në një sportel’. Në pikat e aplikimit për karta, ku pritet të bëhet edhe pagesa prej 200 lekësh të reja, shtetasit do të plotësojnë një deklarim dhe do të jenë institucionet shtetërore, që do të merren më pas me shlyerjen e tarifës së kartës nga ana e shtetasit. Socialistët kanë deklaruar se nëse qeveria nuk merr parasysh këtë kërkesë të tyre, që vjen si pamundësi ekonomike e disa shtresave shoqërore për të përballuar tarifën e kartës së identitetit, ata do të hidhen në protesta në të gjithë vendin. Vetë kreu socialist Edi Rama, një javë më parë, kërkoi një tryezë për gjetjen e një zgjidhje, pasi situata rrezikon të çojë në dështim zgjedhjet e 28 qershorit.  

Ambasadorët

Ambasadori i SHBA - Xhon Uidhërs

Ambasadorja çeke - Marketa Fialkova

Ambasadori i BE - Helmut Lohan

Ambasadori i OSBE - Robert Bosch

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›